Me të gjithë vëmendjen e shkencës dhe politikës tani të kthyer kah koronavirusi, një faktor tjetër mund të jetë po kaq i rëndësishëm në formësimin e jetës nën pandemi: mënyra sesi njerëzit do të ndryshojnë në përgjigje ndaj saj.
Ndryshimet sesi mendojmë, sillemi dhe lidhemi me njëri-tjetrin – disa qëllimisht, por disa të tjerë pavetëdijshëm, disa përkohësisht e disa potencialisht përhershëm – tanimë janë duke u shfaqur për ta definuar normalen e re, shkruan KOHA.
Kriza me pandeminë mund të ketë precedentë, por ka edhe tregues të qartë për sa i përket mënyrës sesi njerëzit dhe komunitetet sillen përgjatë periudhave të gjata të izolimit dhe zemërimit.
“Ishte dimri i parë kur e kuptuam se kjo gjë do të zgjasë, se e tillë do të ishte jeta jonë”, ka thënë Velibor Bozhoviq, tek e kujton rrethimin e viteve ‘90 të Sarajevës, që e ndërpreu jetën në kryeqytetin boshnjak. “Dhe disi ia dolëm. Njësoj sikurse njerëzit po i përshtaten kësaj situate tani”.
Gjatë rrethimit pothuajse katërvjeçar, ndjesia e njerëzve për komunitetin, kujtimi dhe madje koha u transformuan tërësisht, tha ai. Tani, Bozhoviq dhe të mbijetuarit e tjerë veç po e ndiejnë jehonën e asaj kohe në këtë pandemi të avashtë, që veçse është paraparë të zgjasë, nëse nuk ndodh mrekullia, mbase një deri dy vjet.
Një studim mbi efektet e pandemive dhe rrethimeve, bashkë me njohuritë e deritanishme për koronavirusin, lë të kuptohet sesi do të duken muajt në vijim.
Edhe
Kur vdes e mira e përgjithshme
Aftësia jonë për t’u përqendruar, për t’u ndier rehat përreth të tjerëve, madje për të menduar për më shumë se vetëm pak ditë në të ardhmen, mund të tretet – me pasoja afatgjate. Por mund të mbërthehemi po ashtu nga një instinkt i mbijetesës që mund të aktivizohet nga periudhat e rrezikut të kudondodhur: dëshira për t’ia dalë mbanë, duke u kujdesur edhe për fqinjët.
“Jemi jashtëzakonisht të aftë që të përshtatemi në çdo lloj situate”, ka thënë Bozhoviq, tani profesor i fotografisë në Montreal. “Pa marrë parasysh se sa keq është, përshtateni. E jetoni jetën sa më mirë që mundeni”.