Derisa situata po përkeqësohet, Jusefi ka vetëm një dëshirë: të kthehet në shtëpi. Kurrë nuk do të udhëtonte nëse do ta dinte çfarë e priste. “Tregoju të gjithëve, nëse njeh dikë që dëshiron të vijë këtu, mos ejani! Sidomos tani që moti është i lig”, lutet ai. “Njerëzit po vdesin në male”
Kur Jusefi, mësimdhënës 48 vjeç nga Siria, mori vesh se tani ishte e sigurt që të kalohej në Bashkimin Evropian nëpërmjet kufirit ndërmjet Polonisë dhe Bjellorusisë, mendoi se mund ta realizonte ëndrrën e tij të madhe. Menjëherë preu një biletë aeroplani për Minsk, kryeqytet i Bjellorusisë. Me një pagë mujore prej tridhjetë dollarësh, mezi ia dilte të siguronte bukën e gojës për familjen katëranëtarëshe. Dhe shpresonte se kjo ishte mundësi e mirë për jetë më të mirë, ka rrëfyer Jusefi për televizionin “Al-Jazeera”, ekipi i së cilës ka biseduar gjerë e gjatë me emigrantë që po qëndrojnë në kufirin ndërmjet dy shteteve evropiane.
Akuzat e kundërakuzat
Polonia, por edhe shtetet baltike, kanë blinduar kufijtë e tyre me ish-republikën sovjetike të Bjellorusisë, të cilën e akuzojnë se po i josh emigrantët për të kaluar në territorin e Bashkimit Evropian në shenjë të hakmarrjes ndaj Brukselit që e ka sanksionuar regjimin e Aleksandër Lukashenkos, të njohur si diktatori i fundit i Evropës. Varshava ka qenë më e ashpër në akuza, duke vlerësuar se Minsku po synon destabilizimin e BE-së nëpërmjet dërgimit të mijëra emigrantëve që vijnë nga shtetet e Azisë dhe Lindjes së Mesme. Qeveria polake, e cila ka vendosur më shumë se 12 mijë trupa ushtarake në kufi, thotë se kriza po nxitet edhe nga presidenti rus, Vladimir Putin, aleat i Lukashenkos.
Jusefi udhëtoi nga Damasku nëpërmjet Bejrutit. Deri në kufi me Poloninë nuk pati telashe, por me të arritur aty, u rrah fort nga rojtarët kufitarë bjellorusë. Ata i nxisnin emigrantët që të kalonin rrethojën gjembore me Poloninë. “Ata na qëlluan, mikut tim ia thyen hundën, ia morën paratë dhe na i morën pasaportat, na morën gjithçka”, ka treguar Jusefi.
Në gjithë atë kaos, ka rrëfyer Jusefi për “Al-Jazeeran”, do të ndahej nga turma dhe do të ngelej në Pyllin Bialovieza, që është pjesë e mbrojtur e trashëgimisë botërore të Kombeve të Bashkuara. Terreni është tepër i vështirë dhe temperaturat janë të ulëta, në të shumtën e rasteve nën zero shkallë celsius.
Edhe
“S’kisha parë njerëz të buzëqeshur derisa mbërrita në Mbretërinë e Bashkuar”
Por edhe ai do të kurthohej në zonën e përjashtimit, prej tri kilometrash të krijuar në shtator nga Polonia për të mos lejuar hyrjen e emigrantëve. Janë tre mijë deri në katër mijë emigrantë të shteteve të ndryshme që kanë ngelur në këtë zonë, por organizatave humanitare, aktivistëve dhe gazetarëve nuk u lejohet hyrja brenda saj, shkruan “Al-Jazeera”.
Ndërmjet dy zjarreve

Jusefi ka provuar tri herë të kthehej në Bjellorusi, por secilën herë do të rrihej me kërbaç nga agjentët kufitarë. Ata i detyronin emigrantët të ktheheshin në zonën polake. Nuk u jepnin as bukë. “Ata nuk lodhen nëse ti po vdes apo je gjallë”, ka rrëfyer Jusefi për “Al-Jazeeran”. “Ata nuk ndiejnë kurrfarë keqardhjeje”.
Dhe vetëm pas pesë ditësh me përpjekje të vazhdueshme, ai dhe miku i tij ia kishin dalë t’ua mbushnin mendjen policëve polakë që të telefonin shërbimet urgjente pasi kishin telashe serioze shëndetësore shkaku i presionit të lartë të gjakut. Jusefi tani po qëndron pranë mikut. Ai është dëshpëruar dhe nuk e ka hallin nëse do t’i pranohet kërkesa për azil në shtetet e Bashkimit Evropian.
“Veç dua të shkoj në Siri”, thekson ai me sytë të përlotur. “Të shkoj në aeroport dhe të kthehem në shtëpi”.
Pas katër ditësh në spital, ku është trajtuar nga një mjek i kujdesshëm polak, Jusefi ka marrë veten dhe po pi lëngje. Por ende ka frikë për shkak se rojat kufitare polake e kanë kërkuar para se të fliste për “Al-Jazeeran”. Ai thotë se druan se rojat do ta marrin dhe do ta kthejnë në zonën ndërmjet kufirit, ku do të përballej me një tjetër tmerr, sikurse shumica e atyre mijëra emigrantëve që tashmë nuk e dinë se cili do të jetë fati i tyre.
Edhe
“Kthehu në vendin tënd”: Migrantët përballen me presion për t’u larguar nga Afrika e Jugut
Derisa situata po përkeqësohet, Jusefi ka vetëm një dëshirë: të kthehet në shtëpi. Kurrë nuk do të udhëtonte nëse do ta dinte çfarë e priste. “Tregoju të gjithëve, nëse njeh dikë që dëshiron të vijë këtu, mos ejani! Sidomos tani që moti është i lig”, lutet ai. “Njerëzit po vdesin në male”.
Përgatiti: Rexhep Maloku