Pas protestave të sivjetme, grupi i armatosur ka kryer një seri të sulmeve në Karen State. Disa njerëz po rindërtojnë shtëpitë në xhungël, të tjetër i janë bashkuar thirrjes për rezistencë
Paw Wah, 36 vjeç, ishte fëmijë kur përjetoi për herë të parë brutalitetin e ushtrisë së Birmanisë të ashtuquajtur “Tatmadaw”. Kur ajo ishte vetëm 10 vjeçe, ushtarët erdhën në fshatin e saj dhe e rrëmbyen.
Paw Wah, fermere, gjithë jetën e kaloi në Karen, shtet në juglindje të Birmanisë në vijë kufitare me Tajlandën, ku distanca në këmbë përgjatë terrenit malor dhe luginave të pafundme të xhunglës, matet me ditë dhe jo orë.
Në shtëpinë e fqinjit të saj në fshatin e vogël te Nyah Beh Ki, i cili arrihet pas një ecje dyditore, Paw Wah kujton incidentin qe ndodhi kur ishte vajzë.
“Kur unë isha 10 vjeçe, ata më arrestuan dhe më detyruan mua dhe disa fshatarë të tjerë të qëndrojmë në kampin e tyre për 13 ditë”, thotë ajo. “Në atë kohë, gjyshi im kishte një elefant dhe ata e kërkuan elefantin në këmbim të lirimit tonë”.
Elefantët janë të vlefshëm në Karen, sepse ata zakonisht përdoren për bujqësi dhe për të transportuar ngarkesa të rënda përmes shtigjeve të ngushta të xhunglës, ku veturat nuk mund të kalojnë. Në këtë rast, ushtarët e ushtrisë “Tatmadaw” deklaruan se elefanti po përdorej për transportimin e municioneve për grupe të armatosura, por fshatarët menduan se ata po gënjenin.
Edhe
Lufta e harruar që po shndërrohet në apokalips
“Ata na lidhën dhe na kërcënuan… Ata kërcënuan se do t’i vrisnin të gjithë nëse nuk ua jepnim elefantin. Ne kemi vuajtur qëkur kemi qenë fëmijë”.

Sulmet ajrore
Paw Wah i përket minoritetit etnik Karen. Më shumë se një milion e gjysmë e këtij minoriteti e konsiderojnë shtëpi të veten këtë shtet. Karenët kanë formuar një identitet të veçantë kulturor dhe politik, i cili, krahas thurjes, ndërtimit dhe kuzhinës së tyre unike, manifestohet më qartë me dëshirën e tyre të zjarrtë për vetëvendosje - gjë që nxit inatin dhe agresionin e ushtrisë “Tatmadaw”, e cila rrëzoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Birmanisë me një grusht shtet më 1 shkurt.
Derisa qytetet kryesore të Birmanisë panë një goditje të përgjakshme ushtarake kundër protestuesve paqësorë, agresioni i ushtrisë “Tatmadaw” u kthye gjithashtu ndaj shteteve periferike të vendit dhe rreth 20 grupeve të armatosura etnike, duke përfshirë Karenin, me krahë politikë dhe ushtarakë.
Të gjitha këto grupe, si dhe qindra nëse jo mijëra milici të armatosura të përhapura në të gjithë vendin, kanë pasur historitë e tyre të shtypjes, kryengritjes dhe përplasjes me regjimin ushtarak dhe mes njëri-tjetrit që nga pavarësia e Birmanisë më 1948.
Këtë vit, Kareni ishte njëra ndër shtetet që e përjetoi sulmin. Derisa përplasjet mes dy palëve përshkallëzuan, rreth 40.000 karenë u zhvendosën nga një fushatë e sulmeve ajrore të ushtrisë “Tatmadaw” në mars dhe prill, ku u shkatërruan jo vetëm infrastruktura ushtarake e Karenit dhe asetet e tjera, por edhe shtëpitë dhe ndërtesat publike. Sulmet lanë 18 të vdekur, sipas shifrave nga Grupi për të Drejtat e Njeriut dhe deri në 49 të plagosur, sipas Bashkimit Kombëtar të Karenit.
Derisa sulmet ajrore janë ndalur gjatë sezonit të të reshurave të shiut në Karen, mes qershorit dhe tetorit, përleshjet në vend janë ende të shpeshta. Bazat e vogla të ushtrisë “Tatmadaw”, të shpërndara në të gjithë shtetin terrorizojnë popullsinë vendase duke shtënë në tokat bujqësore për të parandaluar fermerët të prodhojnë ushqim dhe bastisin fshatrat për bagëtinë e tyre dhe për gjëra të tjera të cilat mund të kenë mbetur për t’i marrë. Shumë qytetarë të Karenit e shohin këtë aktivitet si kapitullin më të fundit në historinë e gjatë të përpjekjeve të ushtrisë “Tatmadaw” për të konsoliduar kontrollin mbi njerëzit e tyre.
“Ushtria Tatmadaw nuk do që minoritetet etnike si ne, të kenë sovranitet dhe vetëvendosje. Ata duan të kontrollojnë gjithçka, çdo zonë ku ka grupe që rezistojnë. Ata jo vetëm që kanë ardhur në rajonin tonë tani, por kanë ardhur për dekada," tha koloneli Saw Kler Doh, një komandant në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare të Karenit, e cila është më e madhja nga dy forcat e armatosura aleate të drejtuara nga Bashkimi Kombëtar i Karenit.
Vetëm në tetor, sipas Soh Kler Doh, krahët e armatosur të drejtuar nga Bashkimi Kombëtar i Karenit, u përleshën me forcat junte të Birmanisë në 275 raste, pavarësisht shpalljes së armëpushimit nga forcat junte më 1 tetor.

Bastisjet e fshatrave
Mutraw, një nga shtatë krahinat e shtetit të Karenit, është e njohur mes qytetarëve karenë dhe nga ushtria “Tatmadaw” për t’i strehuar brigadat ushtarake më aktive dhe sfiduese të minoriteteve etnike.
Për shkak të kësaj, kjo krahinë ka përjetuar disa nga torturat më të rënda. Në qershor dhe korrik të këtij viti, “Al Jazeera” siguroi qasje të rrallë në krahinë për të kuptuar se si ndikimi i grusht shtetit u përhap përtej qyteteve të Birmanisë.
Në çdo qytet dhe fshat në të gjithë shtetin, janë gërmuar gropa në tokë për fshatarët e Karenit në mënyrë që ata të fshihen aty dhe të mbrohen nga sulmet ajrore. Deri në qershor, aeroplanët shpesh kishin fluturuar pa hedhur bomba, por fshatarët gjithmonë vraponin për t’u fshehur në çdo rast.
Në Nyah Beh Ki të Mutraw, e cila është e vendosur midis dy pozicioneve të ushtrisë “Tatmadaw”, Paw Wah dhe fqinjët e saj u mblodhën brenda njërës prej shtëpive të tyre. Atmosfera ishte e hareshme pavarësisht nga sulmet e fundit.
Edhe
OKB: Mbi 700 civilë u vranë nga ushtria e Mianmarit gjatë periudhës zgjedhore
Të ftuarit u servuan me banane dhe peshku po përgatitej në një tenxhere gatimi. Disa burra ndiznin cigare të holla, të mbështjella me gjethe, ndërsa të tjerët përtypnin arra “betel”, një stimulues i butë që i njollos dhëmbët me kalimin e kohës. Ky lloj i arrave është i preferuari për qytetarët e Karenit.
Si Nyah Beh Ki ashtu edhe fshati fqinj, Hee Poh Der, u sulmuan në qershor nga ushtarët e ushtrisë “Tatmadaw” të vendosur aty pranë.
Sjellja e ushtarëve është shpesh e paparashikueshme. Ndonjëherë ata kalojnë nëpër fshat me dhunë, duke i trembur fshatarët dhe duke plaçkitur çfarë të mundin. Në raste të tjera, ata ikin kur kapen duke u futur pa leje. Herave të tjera, forcat ushtarake kanë fjetur në fshat dhe kanë blerë mallra nga fshatarët pasi kërkesat e tyre për zhvatje nuk janë plotësuar.
Fqinji i Paw Wah në Nyah Beh Ki, Saw Eh Kaw La, 44 vjeç, është një fermer, dosa shtatzënë e të cilit u vra nga ushtria “Tatmadaw” gjatë një bastisjeje në qershor. Për disa fermerë humbja e bagëtive mund të ketë një efekt dërrmues në të ardhurat e tyre.
“Ushtria ‘Tatmadaw’ po shkonte në fshatin Hee Poh Der, por më pas u zunë në pritë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare e Karenit”, tha Saw Eh Kaw La. “Për të kundërsulmuar, ata filluan të bombardojnë fshatrat tona, kështu që ne u desh të fshiheshim në një bunker”.
Fshatarët në Hee Poh Der u përpoqën të prisnin që bombardimet në fshatin e tyre të përfundojnë, por bombardimet u bënë aq intensive sa ata u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre të djegura. Megjithëse ushtria “Tatmadaw” gjuajti edhe predha në Nyah Beh Ki, dëmi ishte më pak i rëndë.
Kur bombardimet përfunduan, Saw Eh Kaw La u kthye në shtëpinë e tij në fshatin Nyah Beh Ki për të inspektuar dëmet dhe për të mbledhur disa nga gjërat e tij.
“Nuk guxova të qëndroja gjatë. Ushtarët po vinin dhe filluan të gjuajnë me armë para se të hynin në fshat për të na trembur. Ata gjuajtën rreth pesë plumba para se të arrinin në shtëpinë time. Pastaj ata vazhduan të plaçkitnin dhe shkatërronin çdo shtëpi që ishte braktisur. Pikërisht në atë kohë ata vranë katër derra nëpër fshat”.
Ushtria “Tatmadaw”, që kalonte nëpër Nyah Beh Ki, në një rast tjetër vrau një lopë dhe një ka që i përkisnin Paw Wah. “Ata plagosën rëndë një lopë tjetër. Nuk mund ta trajtoj më – mendoj se lopa do të vdesë”, tha ajo, duke folur me një përzierje zemërimi dhe lodhjeje në zërin e saj.
“Do të kishte qenë më mirë sikur të më kishin vrarë mua”, tha ajo. “Nuk do të vuaja më kështu. Unë kisha vetëm tetë kafshë shtëpiake dhe jam e mërzitur për gjërat që kam humbur”.
Duke komentuar në mënyrën e trajtimit të fshatarëve nga ushtria “Tatmadaw”, Saw Kaw K'Lu Htoo, 33 vjeç, tha: “Ushtarët burmezë kanë një thënie për ne: “Njerëzit i përkasin varrit, qerret janë për dru zjarri dhe bagëtia është për t’u ngrënë”.
Strehimet në shpella
Në mot të mirë, fshati Dae Pu Noh mund të arrihet për një orë e gjysmë me motor, duke u nisur në perëndim të lumit Salween. Si fshati më i madh në Mutraw, ai ka një spital, një shkollë, disa kisha dhe aty ndodhet selia krahinore e Bashkimit Kombëtar të Karenit.
Duke qenë qendër qeverisëse për atë krahinë, ky fshat vuajti rëndë nga një fushatë treditore e ushtrisë “Tatmadaw” për bombardime në fund të marsit.
Edhe
Rebelët në Birmani në tërheqje teksa ushtria forcohet me rekrutime të detyruara
Gjatë ditëve të bombardimit dhe pas tyre, fshatarët u strehuan në shpellat përreth xhunglës. Ndërkohë që shumë prej tyre janë kthyer në shtëpi, të tjerët mbesin të zhvendosur dhe kanë gjetur strehim të përhershëm në xhungël.
Përktheu: Marigona Avdimetaj