Zorana Mihajloviq nga shumëkush në Serbinë e orientuar nga Lindja mund të konsiderohet tradhtare dhe ka shumë fushata të tilla që janë bërë për të, e për Perëndimin, ku të paktën zyrtarisht e ka synim Serbia të shkojë, mund të shihet zë i arsyes.
Mihajloviq, zëvendëskryeministre dhe ministre e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Serbisë, ka kohë që ka dal hapur kundër Qeverisë së vendit të saj, duke kërkuar sanksione ndaj Rusisë.
Ajo vlerësoi të hënën, se lufta në Ukrainë “nuk është si të tjerat që ndodhin çdo vit në botë”, përcjell gazeta “Danas”.
“Ky është një hap drejt një konflikti botëror dhe kur përballemi me një ngjarje të tillë, atëherë duhet të shprehim qartë qëndrimin tonë, ashtu si para Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore dhe besoj se së shpejti do të jemi edhe më të qartë”, tha Mihajloviq në qytetin Bor, ku mori pjesë në kremtimin e Ditës së Qytetit.
Ajo përsëriti se Serbia nuk i njeh rezultatet e referendumit në katër rajone të Ukrainës dhe vendimin e Rusisë për të aneksuar ilegalisht 15 për qind të territorit të një vendi të pavarur dhe sovran, si Ukraina.
“Është e tmerrshme ajo që presidenti i Rusisë Vladimir Putin po i bën popullit të tij, ai po e ndalon dhe po e shkatërron të ardhmen. Dhe jo vetëm kaq, por ai shkeli luftën e lavdishme të rusëve në Luftën e Dytë Botërore, kur ata luftuan për liri, kundër nazizmit, jo për pushtimin e territoreve”, deklaroi ajo.
Serbia ka kohë që po refuzon kërkesat e Perëndimit për të bashkërenduar politikën e saj të jashtme me të BE-së, aty ky synon të anëtarësohet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë hapur se nuk do t’i vë sanksione Rusisë për shkak, siç ka thënë ai, të “raporteve vëllazërore”.
Së fundi, Serbia është kërcënuar edhe me sanksione dhe me ndërprerje të negociatave për anëtarësim në BE, nëse nuk i vë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë.