Një autobus me 45 pasagjerë u sulmua nga persona të armatosur javën e kaluar në Islamabad. Dhjetë njerëz vdiqën. Bibi Roshan u ka shpëtuar plagëve të shumta nga plumbat që e goditën
Në një mëngjes të ftohtë dhjetori, në orën 10, Shah Bulbul ngarkoi dy valixhet e tij në një autobus dhe, së bashku me gruan e tij, Bibi Roshan dhe dy fëmijët, Umaima dhe Arsalan, i dhanë lamtumirën qytetit të lindjes Ghizer, në Pakistanin verior.
Ata ndërmorën një udhëtim 30-orësh për në Karachi, qyteti më i madh i vendit, që ndodhet në provincën jugore të Sindhit, me shpresën për të rifilluar jetën e re.
Në mbrëmje, një orë pas perëndimit të diellit, Bulbuli i lodhur kishte fjetur me vajzën 5-vjeçare Umaima në prehrin e tij, kur u zgjua nga gruaja e tij, që i bërtiste.
“Ajo më zgjoi mua dhe vajzën dhe më bërtiti që të shtrihem në dysheme”, kujton Bulbuli. Pikërisht në atë moment, tha Bulbuli, ai e kuptoi se autobusi ishte sulmuar pasi dëgjoi një breshëri të shtënash.
“Gruaja ime, e cila ishte ulur pranë dritares, e kishte shtrirë djalin tonë 2-vjeçar Arsalanin në dyshemenë e autobusit dhe më shtyu me forcë mua dhe Umaiman nën sedilje duke na mbrojtur meqë ishte shtrirë sipër nesh. Derisa po mundohesha ta kuptoja se çfarë po ndodhte, ajo më tha se ishte goditur nga plumbat dhe se unë duhet të kujdesem për fëmijët tanë”.
Edhe
Dhjetëra të vrarë nga sulmet e Pakistanit në Afganistan
“Gjithçka zgjati më pak se 10 minuta, por mua më dukej si 10 shekuj”
Bulbuli dhe familja e tij ishin në mesin e 45 pasagjerëve të një autobusi që u vu në shënjestër nga një grup sulmuesish më 2 dhjetor në Gilgit-Baltistan të Pakistanit, një rajon autonom në veri të vendit pranë kufirit me Kinën.
Autobusi ishte nisur drejt autostradës Karakoram, rruga 1.300 kilometërshe që lidh Pakistanin me Kinën përmes maleve Karakoram, kur u sulmua pranë qytetit Chilas.
Sulmi rezultoi me vdekjen e të paktën 10 pasagjerëve, duke përfshirë dy ushtarë të ushtrisë pakistaneze, ndërsa më shumë se njëzet njerëz u plagosën, duke përfshirë Roshanin, e cila megjithëse u godit nga gjashtë plumba, mbijetoi. Policia po heton sulmin, por më shumë se një javë më vonë, asnjë grup deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë.
Duke e kujtuar sulmin, Bulbuli e quajti atë “një orë ferri”, duke thënë se ndihej i sigurt se jeta e tij do të përfundonte.
“Ishte errësirë. Pati një breshëri plumbash. Njerëzit pas karriges sonë u goditën. I shtrëngoja fort fëmijët e mi, ndërsa gruaja ime u përpoq të na mbronte, edhe pse ajo vetë kishte gjakderdhje të madhe. Njerëzit bërtisnin në autobus, duke kërkuar ndihmë”, tha Bulbuli për Al Jazeeran.
Kur filluan të shtënat, autobusi ishte në një rrugë të pjerrët, dhe kur shoferi tentoi të shpejtonte, iu vështirësua kontrolli i mjetit, ndërkohë që u qëllua edhe ai.
“Unë thjesht po mbaja frymën, duke menduar nëse autobusi do të bjerë nga rruga në lumë, ose nëse do të rrokullisej, kur ne goditëm një automjet tjetër që vinte nga drejtimi i kundërt”, kujton Bulbuli. “Që nga plumbi i parë deri në ndalimin e autobusit, gjithçka zgjati më pak se 10 minuta, por mua më dukej si 10 shekuj”.
“Kur autobusi u ndal, gruaja ime më tha të nxirrja fëmijët jashtë dhe vazhdoi të më kërkonte që të kujdesesha për ta, ta harroja atë dhe vetëm t’i mbroja fëmijët. Ajo thjesht më tha vazhdimisht që të mos shqetësohesha nëse ajo vdes, vetëm të kujdesesha për fëmijët”, tha ai.
Duke mbajtur në krahë dy fëmijët e tij, Bulbuli i shtangur u përpoq të zbriste nga autobusi. Ai pa njerëz të vdekur dhe të tjerë që kërkonin ndihmë.
Një shans për të jetuar
Edhe
Dy bomba shpërthejnë në Pakistan, vriten disa persona
Me lidhjen celulare jashtëzakonisht të vështirë në rajonin malor, Bulbuli tha se ishin me fat që disa vendas kishin dëgjuar të shtënat dhe mbërritën në vendngjarje e sollën ndihma.
Bulbuli tha se familja e tij dhe disa të plagosur të tjerë u dërguan me furgon, në një spital aty pranë në qytetin e Chilas, që ndodhet gjysmë ore larg, ku mjekët e informuan atë se Roshani ishte goditur me gjashtë plumba në shpinë dhe se spitali nuk kishte sasi të bollshme të gjakut që përputhej me grupin e saj.
“Unë e quaj fat që një nga të afërmet tona punon si infermiere në spital”, tha Bulbuli. “Ishte ajo që arriti të siguronte gjak disi”. Mjekët kryen një operacion urgjent dhe gruas së tij i shpëtoi jeta.
Bulbuli dhe familja e tij më në fund u nisën për në Gilgit, qyteti kryesor i rajonit Gilgit-Baltistan që ndodhet afërsisht tre orë larg Chilas, ku gruaja e tij u operua për herë të dytë të martën.
“Operacioni i dytë zgjati pesë orë. Mjekët thanë se organet e saj të brendshme ishin dëmtuar lehtë, dhe brinjët i ishin thyer gjithashtu. Ajo ka ende tre plumba në shtyllën kurrizore”, tha ai.
35-vjeçari Bulbul kishte një dyqan ushqimesh në qytetin e tij të lindjes, Ghizer, ku jetonte me familjen e tij.
Megjithatë, tha ai, si pasojë e ekonomisë së lëkundur të vendit dhe inflacionit në rritje, ishte e vështirë të kujdesej për familjen 4-anëtarëshe, si dhe për prindërit, vëllezërit e motrat e tij, me të ardhurat nga dyqani i tij.
Prindërit e Roshanit jetojnë në Karachi.
“Ata na kërkuan që të zhvendosemi atje dhe më thanë se do të më ndihmojnë që të gjej një punë. Kështu, ne vendosëm të vazhdojmë jetën tonë këtu”, tha Bulbuli.
Ata kurrë nuk e kishin imagjinuar se udhëtimi i tyre do të kthehej në një betejë të dëshpëruar mbijetese. Tani, tha Bulbuli, ai ndihet i bekuar që është gjallë.
Edhe
Arrestohet i dyshuari për sulm me armë ndaj një autobusi në Pagarushë të Malishevës
“Kjo është një mrekulli. Kur isha në dyshemenë e autobusit, po mendoja nëse do të goditesha unë i pari, apo fëmijët e mi, dhe nëse unë dhe gruaja ime vdisnim, kush do të kujdesej për ta. Por Zoti i ka dhënë familjes tonë një mundësi tjetër për jetë, falë guximit dhe kurajës së gruas sime”.
Përktheu: Forca Jashari