Më 6 dhjetor dy sulme ajrore izraelite goditën shtëpinë e gjyshërve të Omarit në kampin e refugjatëve “Nuseirat” në Gazën Qendrore. Eksplodimi ia hoqi lëkurën nga fytyra, duke ekspozuar shtresa rozë me çarje të thella. Krahu i tij i majtë nuk mund të shpëtohej. U amputua deri poshtë bërrylit. Prindërit e tij, motra 6-vjeçare, gjyshërit, dy halla dhe një kushëri u vranë në sulm
(AP) - Omar Abu Kuwaik është larg shtëpisë së tij në Gaza. Prindërit dhe motra e tij 4-vjeçarit u vranë nga një sulm ajror izraelit, ku ai humbi një pjesë të krahut të tij.
Ai është me fat.
Përmes përpjekjeve të familjes së gjerë dhe të të huajve, Omari u dërgua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u trajtua, duke përfshirë edhe vendosjen e një krahu protetik. Ai kaloi ditët në një shtëpi të udhëhequr nga një organizatë bamirëse mjekësore në qytetin e New Yorkut, i shoqëruar nga halla e tij.
Kjo ishte një masë e vogël mirësie mes një deti trazirash për të dhe për hallën e tij, Maha Abu Kuwaik, teksa prisnin të ardhmen e pasigurt. Pikëllimi dhe dëshpërimi për ata që ende mbesin të bllokuar në Gaza kurrë nuk është larg.
Abu Kuwaiki është e lumtur që mund ta bënte këtë për djalin e vëllait të saj. Ajo e konsideron Omarin si fëmijën e saj të katërt.
Por ishte zgjedhje e vështirë. Për të shkuar me Omarin, asaj iu desh të linte burrin dhe tre fëmijët adoleshentë prapa në një tendë në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Me Izraelin që vazhdon sulmet në zonat ku iu tha civilëve të strehoheshin, duke përfshirë Rafahun, Abu Kuwaiki e di që ndoshta nuk do ta shohë familjen e saj përsëri.
“Fëmijët e mi e duan Omarin shumë”, ka thënë ajo. “Ata më thanë mua: ‘Ne nuk jemi fëmijë më. Shko, dërgoje Omarin të trajtohet. Kjo është gjëja më e mirë për të. Është mundësia e tij e vetme’”.
Omari ishte dikur djalë i shoqërueshëm, ka thënë ajo, sikur babai i tij i ndjerë, i cili ishte inxhinier. Tani ai është i mbyllur më vete dhe qan shpesh. Ai mendon se pse ata nuk kanë një shtëpi sikur fëmijët që sheh në YouTube.
Nëse pyetet Omari për diçka, ai e mbulon veshin e djathtë me dorë dhe të majtin me krahun e amputuar dhe thotë: “Nuk dua të flas”.
“Kopshti ishte i mirë”, thotë ai pas një kohe, “dhe isha i lumtur ditën e parë”.
Ai kishte filluar të shkonte në kopsht disa javë para fillimit të luftës. Por ai thotë se nuk ka dëshirë të shkojë më në kopsht, sepse ka frikë ta lërë hallën e tij.
Fluturimi i tij për në New York mund t’i ketë dhënë atij një ëndërr të re.
“Kur të rritem dua të bëhem pilot”, ka thënë Omari. “Që të mund t’i dërgoj njerëz nëpër vende të ndryshme”.
Omari ishte fëmija i parë palestinez nga Gaza që është marrë nga Fondi Global i Ndihmës Mjekësore. Themeluesja e kësaj organizate bamirësie nga Staten Island, Elissa Montanti, ka kaluar njëzet e pesë vjet duke iu dhënë qindra fëmijëve kujdes mjekësor falas, pasi kanë humbur gjymtyrë në luftë ose katastrofa, duke përfshirë edhe fëmijë nga Iraku dhe Afganistani.
Secili fëmijë nisi si i huaj. Secili prej tyre bëhej pjesë e asaj që ajo e quan “familje globale” dhe do të kthehen në SHBA për proteza të reja të gjymtyrëve teksa rriten trupat e tyre. Fondacioni i saj sponsorizon gjithçka përpos trajtimit mjekësor, i cili dhurohet kryesisht nga spitali i fëmijëve “Shriners” në Filadelfia.
Kur filloi lufta në Gaza në tetor, Montanti e dinte se duhej të ndihmonte.
“Por sinqerisht, thashë: ‘Si? Si do t’i nxjerr këta fëmijë kur as nuk mund të largohen nga Gaza?’”.
Montanti kurrë nuk e kishte parë Omarin, por e ka kuptuar se fëmijët si ai plagoseshin çdo ditë.
Rundi më vdekjeprurës i konfliktit me dekada izraelito-palestinez filloi më 7 tetor, kur militantët e Hamasit thyen barrierën e sigurisë izraelite rreth Gazës dhe sulmuan komunitetet izraelite. Rreth 1200 njerëz janë vrarë dhe rreth 250 të tjerë janë marrë peng.
Izraeli u kundërpërgjigj. Për më pak se pesë muaj luftë, ushtria e Izraelit ka krijuar krizë humanitare tronditëse dhe rreth 80% e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre. Një raport sugjeron se gjysma e ndërtesave të enklavës bregdetare janë dëmtuar ose shkatërruar.

Numri i njerëzve të vrarë në Gaza ka tejkaluar 30.000 të enjten, me më shumë se 70.000 të lënduar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria nuk i dallon civilët nga luftëtarët në të dhënat e saj, por ka thënë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vrarëve në Gaza. Izraeli i lë faj Hamasit për vdekjen e civilëve, duke thënë se militantët veprojnë në mesin e popullatës.
Dy javë pas fillimit të luftës, familja e Omarit mezi i shpëtoi vdekjes. Disa minuta para se të shkatërrohej nga një sulm ajror izraelit, ata u larguan nga apartamenti në qytetin e Gazës, të cilin e kishin blerë vetëm disa muaj më parë. Familja e hallës së tij u largua nga ndërtesa pranë. Kjo ndërtesë u bombardua po ashtu.
Të pastrehë, vetëm me rroba me vete, familjet u ndanë për të qëndruar me të afërm të ndryshëm. Por në kohë lufte vendimet në dukje të parëndësishme - si ku të kërkojnë strehim - kanë pasoja të mëdha.
Më 6 dhjetor, dy sulme ajrore izraelite goditën shtëpinë e gjyshërve të Omarit në kampin e refugjatëve “Nuseirat” në Gazën Qendrore. Eksplodimi ia hoqi lëkurën nga fytyra, duke ekspozuar shtresa rozë me çarje të thella. Krahu i tij i majtë nuk mund të shpëtohej. U amputua deri poshtë bërrylit. Prindërit e tij, motra 6-vjeçare, gjyshërit, dy halla dhe një kushëri u vranë në sulmin.
Omari ishte bllokuar nën rrënoja, teksa shpëtimtarët gërmonin me duar në betonin e nxirë. Më në fund ata arritën trupin e tij të vogël, akoma të ngrohtë, me gjakrrjedhje, por disi akoma gjallë dhe e dërguan në një vend të sigurt. Ai ishte i mbijetuari i vetëm.
Ndërsa kalonin javët, Omari rrinte shtrirë në një shtrat në korridorin e spitalit me krahët e mbuluar me fashë – mendja e tij fëmijërore mendonte se disi krahu do t’i rritej përsëri. Sistemi i kujdesit shëndetësor në Gaza mund të ofronte vetëm kujdes fillestar për djegiet në këmbë dhe në trung.
“Pikëpamja jonë ishte, kudo është më mirë për të se në Gaza”, ka thënë Adib Chouiki, zëvendëspresident i “Rahma Worldwide”, organizatë bamirëse me seli në SHBA, i cili dëgjoi për Omarin nga grupi i ekipit humanitar në Gazë.
Izraeli dhe Egjipti kanë kufizuar në mënyrë të ashpër lëvizjet e njerëzve jashtë Gazës, duke lejuar vetëm disa qindra të dalin çdo ditë, kryesisht ata me shtetësi të huaj. Disa palestinezë kanë arritur të dalin jashtë duke përdorur ndërmjetës privatë. Organizata Botërore e Shëndetit ka thënë se 2293 palestinezë – 1498 të lënduar dhe 795 të sëmurë – janë larguar nga Gaza për trajtime mjekësore së bashku me 1625 shoqërues. Sidoqoftë, rreth 8000 pacientë mbeten në listën e pritjes për të dalë jashtë vendit, sipas agjencisë së refugjatëve të OKB-së.
Chouiki filloi të kontaktojë me qeveritë palestineze, izraelite dhe egjiptiane. Ai mori pasaporta të reja për Omarin dhe Abu Kuwaikin dhe leje sigurie izraelite për hallën që ta shoqëronte nipin e saj nga Gaza në Egjipt.
Abu Kuwaikit iu rritën shpresat. Leja për t’u larguar nga Gaza erdhi kur Montanti ishte duke punuar akoma për të marrë aprovimin qeveritar amerikan për Omarin që të fluturonte në New York.
“Ai qau dhe qau dhe mu lut ta ktheja te fëmijët e mi”, ka thënë Abu Kuwaiki. “Eventualisht ne e hipëm në ambulancë dhe e dërguam drejt kufirit”.
Pasi priti e shqetësuar shqyrtimin e dokumenteve, ata u bartën në një ambulancë egjiptiane dhe u nisën drejt shkretëtirës Sinai.
Të sigurt në një spital ushtarak të Egjiptit, Omari dhe halla e tij pritën me javë të tëra derisa Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së u dhanë lejen për të fluturuar në New York më 17 janar.
Plagët e Omarit janë duke u shëruar, por ai mbetet i traumatizuar. Në spitalin e fëmijëve “Shriners” në Filadelfia ai iu nënshtrua operacionit të transplantit të lëkurës për djegien e rëndë në këmbë. Disa njolla hiri nga plagët mbeten të shpërndara në fytyrën e tij, që duken si nishane.
Ai ishte i lumtur që u pajis me krahun e tij të ri protetik, tha duke buzëqeshur teksa e prekte atë: “Krahu im është i mirë”.
“Fëmijët ndihen të plotë”, ka thënë Montanti. “Psikologjikisht ajo do të thotë shumë për ta”.
“Shriners” për momentin është duke trajtuar dy fëmijë të tjerë nga Gaza, duke përfshirë një shtetas amerikan që ishte i bllokuar atje kur filloi lufta. Ka plane për të sjellë një fëmijë tjetër nga Gaza, një djalë 2-vjeçar këmba e të cilit ishte amputuar mbi gju. Ai do të shoqërohet nga nëna e tij, e cila do të lërë familjen mbrapa për hir të fëmijës së saj.
Omari dhe halla e tij hipën në aeroplan për t’u kthyer në Kajro një ditë pasi djali mori krahun e tij protetik. Ata u shoqëruan nga një anëtar i familjes së saj të gjerë, i cili ka një shtëpi në Egjipt, ku do të qëndrojnë derisa përpiqen të gjejnë një shtëpi të përhershme.
“Unë gati nuk fle fare”, ka thënë Abu Kuwaiki. “Unë mendoj për Omarin dhe mendoj për fëmijët e mi dhe kushtet në të cilat po jetojnë në tenda”.
Ushqimi është i paktë. Bllokada gati totale e Gazës ka shtyrë më shumë se gjysmë milioni palestinezë drejt urisë dhe ka rritur frikën nga uria. Dhe tenda e dobët të cilën e ndajnë me 40 njerëz të tjerë ofron pak mbrojtje nga shiu dhe era, ka thënë ajo. Kur një person sëmuret, ajo sëmundje bartet shumë shpejt.
Lufta ka prishur në mënyrë të vazhdueshme shërbimet e telefonit dhe të internetit në Gaza, por Abu Kuwaiki mban kontaktet “kur ka rrjet”. Familjes së saj shpesh i duhet të ecë në spitalin “Kuwaiti”, qendër për gazetarët, për të marrë sinjal.
Pas kthimit në Egjipt, e ardhmja e Omarit dhe hallës së tij mbetet e pasigurt; ata mund të kenë ngecur në mërgim.
Për Abu Kuwaikin nuk ka shtëpi ku të kthehet Omari.
“Nuk mund ta imagjinoj... që të kthehem në Gaza”, ka thënë ajo. “Si do të jetë jeta e tij? Ku është e ardhmja e tij?”