Republikani Donald Trump është dorëzuar të enjten në një prej burgjeve të Georgias, teksa është bërë ish-presidenti i parë në histori të cilit i është bërë fotografia e arrestimit. Ai është liruar menjëherë pasi pagoi 200 mijë dollarë për dorëzani.
Një klik në aparat. Brenda një sekonde bëhet shkrepja, duke ngrirë përgjithmonë pamjen para aparatit fotografik.
Kur aparati shkrepi brenda burgut të Atlantas të enjten, krijoi dhe dokumentoi një pikë kthese në jetën amerikane. Në fotografinë e saposhkrepur ishte ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, për herë të parë në histori, i arrestuar dhe i vendosur në kornizën që në të shumtën e rasteve vendosen trafikantët e drogës dhe ngasësit pijanecë. Pushteti i madh ishte zhdukur, për atë gjysmë sekondi.
Mbeti prapa imazhi që do të shfaqet në librat e historisë shumë kohë pas ikjes së Donald Trumpit.
“Do të jetë përgjithmonë pjesë e ikonografisë së të qenit gjallë në këtë epokë”, thotë Marty Kaplan, profesor në Shkollën e Komunikimeve të Universitetit të Kalifornisë Jugore.
Në fotografi, Trumpi përballet me kamerën para sfondit ngjyrë hiri. Sytë e tij në shkëlqim të fortë takohen me lentet. Ka të veshur kostumin ngjyrë blu, këmishë të bardhë dhe kravatën e kuqe. Shpatullat i ka tkurrur dhe kokën të anuar pak nga kamera. Logoja e sherifit është vendosur në fotografi. Ca prej 18 të tjerëve të akuzuar së bashku me të, kanë buzëqeshur dhe dukej sikur po pozonin për ndonjë përvjetor. Ama jo edhe Trumpi. Acarimi i tij ishte i dukshëm, sikur tek aparati po shikonte armikun.
“Nuk është ndjenjë e mirë – sidomos kur e di se nuk kam bërë asgjë të gabuar”, ka thënë Trumpi për Fox News.
Republikani Donald Trump është dorëzuar të enjten në një prej burgjeve të Georgias, teksa është bërë ish-presidenti i parë në histori të cilit i është bërë fotografia e arrestimit. Ai është liruar menjëherë pasi pagoi 200 mijë dollarë për dorëzani.
Trumpi ka paguar lirimin me dorëzani që i ka kushtuar 200 mijë dollarë dhe tani gjykimin do ta presë në liri.
Pas lirimit nga burgu, Trumpi rastin ndaj tij e ka cilësuar si parodi të drejtësisë.
Ky ishte arrestimi i tij i katërt në pesë muajt e fundit, mirëpo për herë të parë policia ka shkrepur foto të arrestimit të tij. Të enjten ka publikuar fotografinë e arrestimit, teksa ka shkruar se kurrë nuk do të dorëzohet.
Ai u bashkohet figurave të njohura amerikane të cilëve policia u ka shkrepur foto pas arrestimit. Në këtë listë janë: Elvis Presley, Frank Sinatra, Al Capone dhe Martin Luther King Jr.
Trumpi ka argumentuar se rastet kundër tij janë të motivuara politikisht, sepse është duke i prirë garës për të fituar nominimin presidencial te partia republikane.
Para se të kthehej në shtëpi Trumpi ka thënë para gazetarëve në aeroport se ishte intervistuar për sfidim të rezultatit të votimeve, teksa ka shtuar se këtë po e bënte me mendimet se zgjedhjet ishin të vjedhura.
Përktheu: Gent Mehmeti