India do t’i përdorë barkat, autobusët dhe trenat për evakuimin e 800.000 indianëve të enjten, shkaku i ciklonit që pritet ta godasë bregdetin lindor të Indisë brenda 24 orësh, kanë bërë të ditur zyrtarët e këtij shteti.
Cikloni “Fani” ka epiqendrën në perëndim të Gjirit të Bengalit, ka bërë të ditur Zyra indiane për Meteorologji. Bregdeti jugor i shtetit Odisha po ashtu pritej që të prekej nga shirat e rrëmbyeshëm të enjten, shkruan në buletinin e kësaj zyreje, transmeton Koha Ditore.
Rreth 800.000 persona pritej të evakuoheshin nga sipërfaqet e ulëta në 14 qarqe të Odishas, për t’u dërguar në strehimore dhe objekte shkollore, shkruan në deklaratën e qeverisë, raporton “Reuters”.
“Jemi duke i maksimizuar përpjekjet në të gjitha nivelet”, ka thënë komisioneri i këtij shteti indian, Bishnupada Sethi.