New Yorku u bë të enjten shteti i fundit në SHBA që ndaloi shitjen e maceve, qenve dhe lepujve në dyqanet e kafshëve shtëpiake, në një përpjekje për ta luftuar mbarështimin artificial të cilësuar nga kritikët si “mullinj për këlyshët”.
Ligji i ri, i cili u nënshkrua nga guvernatorja, Kathy Hochul dhe hyn në fuqi në vitin 2024, lejon që dyqanet e kafshëve të punojnë në vend të kësaj me strehimore për të ofruar kafshë të shpëtuara ose të braktisura për birësim. Ai gjithashtu do të ndalojë mbarështuesit të shesin më shumë se nëntë kafshë në vit, raportoi Associated Press të enjten.
“Kjo është një punë shumë e madhe. New Yorku priret të jetë një blerës dhe përfitues i madh i këtyre mullinjve dhe ne po përpiqemi të ndërpresim kërkesën në nivelin e shitjes me pakicë”, ka thënë senatori Michael Gianaris, një demokrat.
Ai shtoi nuk ka asnjë dyqan kafshësh shtëpiake që nuk preket nga ky ligj.
Dyqanet e kafshëve kanë argumentuar se ligji nuk do të bëjë asgjë për të mbyllur mbarështuesit jashtë shtetit ose për të rritur standardet e tyre të kujdesit dhe thanë se do të rezultojë në mbylljen e dhjetëra dyqaneve të kafshëve shtëpiake që ekzistojnë në New York.
Kalifornia ka miratuar një ligj të ngjashëm në vitin 2017, duke u bërë shteti i parë që ndalon shitjet e tilla.