Botë

Netanyahu: Hamasi, nazistët e rinj

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se militantët e Hamasit janë “nazistët e rinj”.

“Hamasi janë nazistët e rinj”, ka thënë Netanyahu në konferencë të përbashkët me kryeministrin britanik Rishi Sunak, raporton BBC.

Netanyahu i ka treguar Sunakut se “britanikët luftuan me nazistët 80 vjet më parë”.

Ai ka thënë se kjo nuk është betejë vetëm e Izraelit, por betejë e “botës së civilizuar dhe shteteve moderne arabe”.

Netanyahu ka deklaruar se pala tjetër janë një bosht i së keqes, që përfshin Hamasin e Hezbollahun.

Ai ka thënë se vlerëson përkrahjen e Britanisë.

E Sunak ka thënë se ka përkrahur të drejtën e Izraelit për ta luftuar Hamasin. Por, ka shtuar se e di se Izraeli “po merr çdo masë të mundshme për të evituar lëndimin e civilëve, e në kontrast terroristët e Hamasit po bëjnë çdo gjë për t’i lënduar civilët”.

Sunak ka thënë se palestinezët “janë viktima të Hamasit po ashtu”.

Ministria e Shëndetësisë së Gazas ka njoftuar se 3785 palestinezë kanë humbur jetën në Gaza që kur Izraeli e nisi ofensivën më 7 tetor.

Në mesin e viktimave ka thënë se janë 1524 fëmijë, 1000 gra dhe 120 të moshuar. Ka raportuar për 12 mijë e 493 të lënduar.

Rreth 1400 është numri i të vrarëve në Izrael nga Hamasi.