Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Nëpër xhunglën e vdekjes drejt Amerikës së shpresës

Rreth nëntëdhjetë mijë persona kanë kaluar Darien Gapin sivjet rrugës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Xhungla ndërmjet Kolumbisë dhe Panamasë është një prej rrugëve më të rrezikshme për emigrantët në botë – dhe jo të gjithë ia dalin të mbesin gjallë deri në fund të saj

Wickendy Romain ishte me fat këtë mëngjes. Haitiani po rrinte në limanin e Necoclit, fshat në Kolumbinë veriore. Çehrja po i bënte dritë. E arriti qëllimin.

31-vjeçari ia doli të siguronte një prej biletave të pakta për kalimin e Gjirit të Urabas. Ai beson se bileta e 15 tetorit të vitit 2021 është fillimi i një jete të re që do ta ndërtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ëndrra e madhe

Kështu e nis shkrimin e përjavshmja gjermane “Der Spiegel” në hulumtimin e saj për xhunglën e shpresës dhe vdekjes ndërmjet Kolumbisë dhe Panamasë. Kjo është një prej rrugëve më të rrezikshme për emigrantët në botë. Është shpresa më e madhe për të gjithë emigrantët nga Amerika Latine që marrin rrugën në sy drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bashkë me të janë vendosur deng edhe shumë fëmijë të vegjël e gra shtatzëna. Policia po mundohet të mbajë rend. Herë pas here përdorin edhe dajakun për ata që nuk u binden urdhrave të prerë: “Kthehu prapa!”. Si Romaini, shumica janë nga Haiti. Edhe ai kishte pritur për ditë të tëra në radhë për të prerë një biletë. Të gjithë ndajnë ëndrrën e njëjtë.

Edhe Të sulmuar e të grabitur: Refugjatët rrëfejnë për abuzimet në kufirin Bosnjë - Kroaci Botë 3 muaj më parë Të sulmuar e të grabitur: Refugjatët rrëfejnë për abuzimet në kufirin Bosnjë - Kroaci

“Dua të nis gjithçka nga e para”, thekson Romain për ekipin e revistës “Der Spiegel”. Automekaniku është i bindur se tregut amerikan i duhen shkathtësitë e tij. Me vete ka gruan dhe vajzën tremuajshe, Kasumi. Megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të riatdhesojnë haitianët që kanë hyrë ilegalisht, Romain nuk e ka ndërmend të kthehet në vendlindje. Në të vërtetë, pakkush prej këtyre njerëzve nuk besojnë se do të shkelin në tokën amerikane.

Rruga e ferrit

Image

“Der Spiegeli” përshkruan se si pjesa më e rrezikshme e rrugës është ajo që i pret shumicën e emigrantëve të ngujuar në këtë pikë. Ata duhet të përshkojnë xhunglën që lidh Kolumbinë dhe Panamanë, e dendur me drurë dhe e njohur për reshje shiu.

Ata do të kalojnë një rrugëtim në këmbë prej gjashtë ditësh përgjatë pyllit të rrezikshëm. Ka shumë njerëz që dërmohen gjatë rrugës dhe ndalen, duke u shtrirë përtokë në xhunglën me lumenj, këneta e gjallesa të rrezikshme. Në anën e Panamasë, grupe te armatosura kanë sulmuar edhe familje, duke i vjedhur, dhunuar e vrarë.

Më parë ishte më i ulët numri i emigrantëve që merrnin këtë rrugë. Sivjet 90 mijë njerëz kanë provuar fatin e tyre. Prej tetorit janë shtuar edhe familjet që me vete kanë edhe fëmijë të vegjël.

Të lodhur nga jeta me vështirësi ekonomike për të siguruar bukën e gojës, e gjendjen e rënduar edhe më shumë nga pandemia, ata po kërkojnë të ardhme më të mirë. Njëherësh mendojnë se presidenti aktual amerikan, Joe Biden, do të hartojë politika më të buta ndaj emigrantëve që hyjnë ilegalisht në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“E di se është e rrezikshme”, thekson Romain. “Por gjithnjë mendoj anën pozitive”.

Dorë për dore

Image

Optimizmi, thekson ai, i ka shërbyer shumë herë në jetë. Pesë vjet më parë ai migroi në Kil, në kërkim të punës dhe ia doli të punësohej në një garazh për meremetimin e makinave. Edhe gruaja ishte punësuar në një fabrikë për prodhimin e qeseve të najlonit. Ia kishin dalë që 200 dollarë në muaj t’ia dërgonin nënës në Haiti. Kishin arritur të siguronin banesë të rehatshme me qira. Vajza u lindi atje, duke marrë shtetësinë kiliane.

“Kishim jetë të mirë”, kujton Romain, derisa turma prapa tij nis të hahet e shtyhet për radhën e biletave.

Në anën tjetër të xhunglës, një familje nga Venezuela po rrinte në një tendë najloni në dyshemenë e pashtruar e të përbaltur. Kampi Lajas Blancas është njëfarë qendre pranimi për ata që ia dalin ta kalojnë xhunglën, duke përshkruar një rrugë ujore prej dy orë e gjysmë.

Familja venezuelase po qëndron këtu disa javë me radhë. Shtatëmbëdhjetë anëtarë ishin kur u nisën prej anës tjetër të Darien Gapit. Por në anën tjetër të xhunglës mbërritën 14 syresh.

Gjatë rrugëtimit në xhungël, u desh të kalonin nëpër shtratin e një lumi të rrëmbyeshëm.

“Mbanim njëri-tjetrin dorë për dore”, tregon Rosmary Gonzalez, 45 vjeçe. Burri po e mbante djalin më të vogël, katër vjeç, në kraharor. Por burri humbi drejtpeshimin dhe djalin dhe i mori rryma e fuqishme. Prej zinxhirit njerëzor u shkëput edhe një kushëri gjashtë vjeç.

“M’i mori lumi para syve”

Edhe Trafikantët në Sahara i detyrojnë familjet e refugjatëve të paguajnë për lirimin e të afërmve Botë 8 muaj më parë Trafikantët në Sahara i detyrojnë familjet e refugjatëve të paguajnë për lirimin e të afërmve
Image

“Ndodhi para syve të mi”, thekson Gonzalez, “por nuk mund të bëja asgjë”.

Fytyra e saj tregon vuajtjet e shpirtit. Më vonë e gjetën trupin e pajetë të djalit të nxjerrë nga rryma në breg. E hodhën në batanije dhe mbi batanije hodhën gurë që të fundosej.

“Der Spiegel” përshkruan se si familja ishte sulmuar dhe plaçkitur në dy raste prej personave të armatosur. Njëri prej burrave ia kishte drejtuar armën në kokë, duke e kërcënuar me vrasje. Familja venezuelase nuk kishte para, meqë ishte plaçkitur nga grupi tjetër. Ia morën Gonzalezit edhe unazën e avokates, që ia kishin dhuruar në ditën e diplomimit në fakultetin e drejtësisë.

Familja e saj ishte zhvendosur nga Venezuela para pesë vjetësh. Burri i Gonzalezit kishte përkrahur opozitën venezuelase dhe e kishte thyer këmbën në demonstrata. Kishin gjetur punë si ciceronë turistësh në Kolumbi, derisa ia behu pandemia dhe mbetën pa punë. Dy djemtë e mëdhenj i kanë ngelur në Bogota, ku punojnë punë të ndryshme pastrimi. Gonzalez shpreson se ende mund ta gjejë trupin e pajetë të burrit. Kishin njëzet vjet martesë. Tetë persona kishin humbur jetën atë ditë të zezë në xhungël.

“Ecja përgjatë pyllit është gjëja më e keqe që mund të bësh”, thekson ajo. “Nuk e dija”. Ajo tregon një fotografi të djalit të vogël, çehreqeshur, e që ajo i referohet me “vogëlushi im”.

Në depresion e të zemëruar

Lajas Blancas është një kamp i mbushur me familje, me njerëz që e shikojnë njëri-tjetrin disi të hutuar. Një grup haitianësh thonë se po presin një pjesë të bashkudhëtarëve, që gjatë rrugës ishin ndalur dhe dhunuar. Më nuk mund të mbanin ritmin e ecjes së shpejtë. Por ka kaluar koha e gjatë e nuk po duken në horizont. Dhe në xhungël koha është armiku më i madh.

Gjiri i vogël është mbushur me tenda. Një 27-vjeçar refuzon të flasë me identitet të plotë, por tregon se ka para vetëm edhe për një natë për familjen e tij. Nuk dëshiron që anëtarët e familjes ta bëjnë gjumin në tendë. Shumë prindër po i lajnë fëmijët e vegjël në breg të detit me ujë të njelmët. Shumica e fëmijëve kolliten. Një vogëlushe po rrokullisej nëpër plazh.

Gruaja e Romainit thotë se i është shterur gjiri. Nuk e di si do ta ushqejë fëmijën. Çifti ka gjashtë vjet bashkë. E njohin njëri-tjetrin prej fëmijërisë. Romain tregon fotografitë kur faqe për faqe po qesheshin para aparatit. Tani gruan e tij e vërshojnë lotët derisa flet për sfidat e rrugës. “Është paksa në depresion”, thekson Romain, “dhe e zemëruar me mua”. Ishte ai që kishte marrë vendimin për t’ua mësyrë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“I druaj pyllit”, thotë ajo, me foshnjën që e shtrëngon në gjoks. Fëmija i parë do t’u vdiste tetë muajsh.

Frika e riatdhesimit

Pavarësisht shpresës së madhe të çiftit hiatin, sikurse edhe dhjetëra mijëra emigrantë të tjerë, ata mund të riatdhesohen me të arritur në Shtetet e Bashkuara. Tashmë janë kthyer tetë mijë haitianë që kishin hyrë ilegalisht në SHBA. Ishte administrata e ish-presidentit Donald Trump ajo që kishte nxjerrë urdhrin ekzekutiv që ia lejon SHBA-së të riatdhesojë emigrantët brenda pak orësh pas shkeljes në tokën amerikane, pa ua dhënë madje të drejtën e aplikimit për azil.

“Ne jemi përqendruar në qëllimin tonë”, thotë Romain.

Ai ka marrë me vete supë që të ushqehen gjatë rrugëtimit nëpër xhungël. Ka ndërmend të blejë edhe një tendë dhe pako qumështi dhe pelena. Treqind dollarë i ka në kuletë. Ende nuk e di se sa do të kërkojnë trafikantët. Çmimi më i ulët për një person është tetëdhjetë dollarë, me shuma shtesë për kalimin e lumit dhe vendin e gjumit. Shuma shtesë kërkohen edhe për bartjen e fëmijëve dhe çantave, por ndihmësit ia mbathin menjëherë pas ditës së parë.

Edhe “Jam i vdekur që ende ecën”: Emigrantët etiopianë presin ekzekutimin në Arabinë Saudite Botë 1 j. më parë “Jam i vdekur që ende ecën”: Emigrantët etiopianë presin ekzekutimin në Arabinë Saudite

Deti në Nevovli është i qetë në ditën e qëndrimit të ekipit të “Der Spiegel”. Fëmijët po luanin në e rreth ujit. Gruas së Romainit i kanë mbetur edhe pak minuta para nisjes. Hip në kamionçinë dhe bashkë me familjen nisen. Gruaja fillon të qajë, e Romaini mbulon me dy duart fytyrën. Edhe burri që nuk identifikohet te bregu ka ndarë mendjen që bashkë me familjen ta kalojë xhunglën. /Der Spiegel

Përgatiti: Rexhep Maloku