Në tri vendet fqinje, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, numri i të prekurve me koronavirus është treshifror, ndërkohë edhe Mali i Zi që deri vonë i rezistoi këtij virusi, tashmë ka numër dyshifor dhe një rast që përfundoi me vdekje.
Serbia deri në orët e pasdites, ka numëruar 249 raste, prej tyre 27 të ditës së sotme. Në këtë vend tashmë kanë vdekur dy persona si pasojë e koronavirusit, njofton B92.
Ndërkohë, numër i madh është paraqitur edhe nga Maqedonia e Veriut. Gjatë ditës së hënë, mediat e këtij vendi kanë njoftuar për 22 raste me Covid-19, duke çuar në 136 numrin e përgjithshëm.
Po ashtu, dy persona janë konfirmuar të vdekur si pasojë e këtij virusi.
Edhe Shqipëria ka njoftuar për numër dyshifror të të prekurve në 24 orët e fundit. Janë regjistruar 15 raste, duke ngritur në 104 numrin e të prekurve.
Mali Zi, shteti i fundit evropian ku u paraqiten raste me Covid-19, tashmë ka 22 të infektuar, e një ka humbur jetën si pasojë e komplikimeve nga ky virus.
Kosova, me dy rastet e pasdites tashmë ka 35 të infektuar. Një person tashmë ka vdekur.
Edhe
Kosova e rrethuar nga “vendet virusale”
Larg shkallës së përhapjes së virusit në rajon, Italia vazhdon të mbetët vendi më i prekur, por edhe Spanja ngadalë po i afrohet me të infektuar dhe të vdekur.
Nga Spanja raportohet se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 434 persona, ndërkohë janë paraqitur 4.231 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të infektuarve është 33.089, derisa i të vdekurve 2.206.
Italia, në çdo mbrëmje e jep raportin për 24-orërshin e fundit dhe këtë nuk e ka bërë ende. Sipas të dhënave deri në mbrëmjen e djeshme, janë 59.138 të infektuar dhe 5.476 të vdekur si pasojë e koronavirusit.