Botë

Në vend të debatit televiziv, Trumpi e Bideni me paraqitje të ndara televizive

Foto: Reuters

Në vend të një raundi tjetër të debatit parazgjedhor mes Donald Trumpit dhe Joe Bidenit, tash të dy kandidatët për president të SHBA-së në zgjedhjet e 3 nëntorit, do të kenë paraqitje të ndara televizive.

Debati i dytë mes tyre ishte paraparë për të enjten mbrëma, por Trump është tërhequr, pasi u vendos që të mbahet online për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Të dy paraqitjet do të mbahen të enjten. NBC News do të transmetojë tubimin parazgjedhor të republikanit Trump që do ta mbajë në Miami të Floridas, kurse ABC News do të transmetojë tubimin e demokratit Biden që do ta mbajë në Philadelphia, shkruan “The Guardian”, përcjell KOHA.

Trump para pak ditësh u prek nga COVID-19, por për pak ditë u shërua.

Debati i parë televiziv, nga tre sa mbahen zakonisht para zgjedhjeve, u përshkua me akuza, fyerje e shumë zhurmë në studio mes kandidatëve, në masë të madhe për shkak të menaxhimit të koronavirusit në SHBA.

Trumpi shpesh është kritikuar për shpërfillje të rrezikut që sjell COVID-19.

SHBA-ja ka shënuar më së shumti të infektuar dhe të vdekur në botë. Deri më tash, në këtë vend janë regjistruar mbi tetë milionë të infektuar, ndërkohë që kanë humbur jetën mbi 220 mijë persona si pasojë e COVID-19.