Katërmbëdhjetë nga 15 kutitë që u morën nga prona e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Florida në fillim të vitit, përmbanin dokumente të klasifikuara, duke përfshirë edhe ato të nivelit top-sekret, sipas një deklarate të lëshuar nga FBI-ja të premten, duke e justifikuar kontrollin në pronën e Trumpit, raporton agjencia AP.
Deklarata 32-faqëshe, edhe në formën e saj shumë të redaktuar, ofron përshkrimin më të detajuar deri më sot për dokumentet qeveritare që janë mbajtur në pronën Mar-a-Lago të Trumpit edhe shumë kohë pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë. Tregon edhe peshën e shqetësimeve se dokumentet ishin aty ilegalisht.
“Qeveria po kryen një hetim penasl në lidhje me largimin dhe mbajtjen e informatave të klasifikuara në hapësira të paautorizuara, si dhe fshehjen ose heqjen e paligjshme të të dhënave qeveritare”, ka shkruar një agjent i FBI-së në faqen e parë të deklaratës, ku ka kërkuar lejen e gjykatës për kontroll të pronës.
Në deklaratë nuk janë përfshirë detaje të reja për 11 pako tjera me dokumente të klasifikuara që u morën nga prona Mar-a-Lago e Trumpit më 8 gusht, por bëhet fjalë për 15 kuti që Administrata Nacionale e Arkivit dhe të Dhënave mori nga shtëpia në janar.
Në ato kuti, sipas deklaratës së FBI-së, zyrtarët kanë zbuluar 184 dokumentë të klasifikuara, prej tyre 25 si top-sekret.