Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Në betejën kundër koronavirusit, njerëzimit i mungon lidershipi

Foto: Getty Images

Historiani, filozofi dhe shkrimtari i njohur izraelit, Noah Harari, në një shkrim për “Time”, ka thënë se botës po i mungon lidershipi në betejën kundër koronavirusit.

Në shkrimin ku ai ka renditur epidemitë që kanë pushtuar botën nëpër shekuj dhe me çka ishte përballur njerëzimi në të shkuarën, Harari ka shkruar edhe për karantinën e izolimin si masa për ndaljen e virusit që ka mbytur më shumë se 6500 njerëz në botë. Ka cilësuar këtë epidemi si test të mirë për njerëzimin.

Shumë njerëz fajësojnë epideminë e koronavirusit për globalizimin dhe thonë se e vetmja mënyrë për të parandaluar shpërthime të tilla është të de-globalizohet bota. Ndërtimi i mureve, ndalimi i udhëtimeve e ndalja e tregtisë. Gjithsesi, përderisa karantina në afate të shkurtra kohore është vendimtare për të ndalur epidemitë, izolimi në periudhë afatgjate do të çojë në kolaps ekonomik pa ofruar ndonjë mbrojtje reale kundër infeksioneve. E kundërta. Kundërhelmi i epidemisë nuk është ndasia, por bashkëpunimi, thotë ai në fillim të opinionit.

Epidemitë kanë mbytur miliona njerëz edhe para kohës aktuale të globalizimit. Në shekullin e 14-të, kur nuk kishte as aeroplanë as anije lundrimi, dhe Vdekja e Zezë u shpërnda nga Azia Lindore në Evropën Perëndimore për një dekadë. Kishte mbytur mes 75 dhe 200 milionë njerëz – më shumë se çereku i popullatës në EuroAzi. Në Angli, katër në dhjetë njerëz vdiqën. Qyteti i Firences humbi 50 mijë nga 100 mijë banorët.

Në mars të 1520-s, një bartës i vetëm i lijës – Francisco de Eguia – kishte shkuar në Meksikë. Në atë kohë, Amerika Qendrore s’kishte trena, autobusë e as gomarë. Në dhjetor epidemia kishte shkatërruar krejt Amerikën Qendrore duke vrarë, sipas të dhënave, një të tretën e popullsisë.

Edhe Rrëfimet e ndryshme botërore të një pandemie Botë Rrëfimet e ndryshme botërore të një pandemie

Më 1918, një grip kishte arritur të shpërndahej për pak muaj nëpër botë. Infektoi më shumë se gjysmëmiliardi njerëz – më shumë se një çerek të popullsisë. Thuhet se gripi kishte mbytur pesë për qind të popullsisë së Indisë. Në ishullin e Tahitit vdiqën 14 për qind e popullatës. Në Samoa 20 për qind. Bashkë pandemia mbyti dhjetëra miliona njerëz – ndoshta edhe 100 milionë – për më pak se një vit. Më shumë se që kishte vrarë Lufta e Parë Botërore në katër vjet.

Image
Foto nga kampet e shërimit më 1918/ Getty Images

Në shekullin që kaloi që nga viti 1918, njerëzit u bënë edhe më të ndjeshëm ndaj epidemive, falë kombinimit të rritjes së popullsisë dhe përmirësimit të transportit. Metropolet moderne si Tokio ose Mexico City ofron patogjene shumëfish më të pasur se Firenca mesjetare, dhe rrjeti i transportit sot është shumëfish më i shpejtë se më 1918. Një virus mund të shkojë nga Parisi në Tokio dhe në Mexico City për më pak se 24 orë. Andaj duhet të presim të jetojmë në një jetë me infeksione, me një plagë vdekjeprurëse pas tjetrës.

Gjithsesi, frekuenca dhe ndikimi i epidemive kanë rënë dramatikisht. Pavarësisht shpërthimeve si AIDS e Ebola, epidemitë e shekullit 21 vrasin shumë më pak njerëz se në Kohën e Gurit. Kjo sepse mbrojtja më e mirë e njerëzve kundër patogjeneve nuk është izolimi – është informacioni. Njerëzimi ka fituar luftën kundër epidemive sepse në garën mes patogjeneve dhe doktorëve, patogjenët bazohen në mutacione të verbra, derisa doktorët mbështeten në analiza shkencore.

Fitimi i luftës ndaj patogjeneve

Kur Vdekja e Zezë nisi në shekullin e 14-të, njerëzit s’kishin ide se kush po e shkaktonte dhe çfarë duhej të bëhej me të. Deri në kohën moderne, njerëzit fajësonin sëmundjet në zotë, demonë apo ajër dhe nuk dyshonin në ekzistencën e baktereve apo viruseve. Njerëzit besonin në engjëj e përralla, por nuk e imagjinonin që një pikë uji mund të përmbajë armatë të vrasësve. Andaj kur erdhën Vdekja e Zezë apo lija, më e mira që mund të mendonin autoritetet ishte organizimi i lutjeve. Nuk ndihmoi. Madje, kur njerëzit mblidheshin për lutje, shpesh shkaktoi më shumë infeksione.

Përgjatë shekullit të shkuar, shkencëtarët, doktorët e infermierët nëpër botë u mbushën informata dhe bashkë arritën të menaxhonin kuptimin e mekanizmit prapa epidemive dhe si të luftoheshin. Teoria e evolucionit shpjegoi se pse dhe si disa sëmundje shfaqen dhe pse disa sëmundje të vjetra u bënë më shumë të forta. Gjenetika ia mundësoi shkencëtarëve të shihnin në manualin e patogjeneve. Përderisa njerëzit në mesjetë nuk e zbuluan kurrë çka shkaktoi Vdekjen e Zezë, shkencëtarëve iu deshën vetëm dy javë për të identifikuar koronavirusin, dhe të bënin zhvillonin një test që identifikon të prekurit.

Me të kuptuar shkencëtarët se çfarë shkakton epidemitë, u bë më i lehtë luftimi i tyre. Vaksinat, antibiotikët, përmirësimi i higjienës, dhe infrastruktura më e mirë mjekësore u ka lejuar njerëzve të kenë kontroll mbi vrasësit e padukshëm. Më 1967, lija kishte infektuar 15 milionë njerëz dhe kishte mbytur dy milionë prej tyre. Por në dekadën pasuese, një kampanjë globale për vaksinim ndaj lijës ishte aq e suksesshme, saqë më 1979, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se njerëzimi ka fituar, dhe se lija është zhdukur tërësisht. Më 2019, asnjë person s’është infektuar apo mbytur nga ajo.

Kufijtë mbrojtës

Çka na mëson ky historik për epideminë e koronavirusit?

Fillimisht, kjo nënkupton se mund të mbroni veten duke mbyllur përhershëm kufijtë tuaj. Kujtojeni se epidemitë janë shpërndarë tejet shpejtë edhe shumë vjet para kohës së globalizimit. Andaj nëse reduktoni lidhjet tuaja me botën në nivel të Anglisë më 1348 – kjo s’do të ishte e mjaftueshme. Për të mbrojtur veten përmes izolimit, duhet të jetoni sikur në mesjetë, ka shkruar ai në shkrimin e tij.

Së dyti, historia thotë se mbrojtja e vërtetë vjen nga shpërndarja e informacionit të saktë shkencor dhe nga solidariteti botëror. Kur një shtet është i ngufatur nga një epidemi, duhet të ketë sinqeritet për ndarjen e informatave pa frikën e katastrofës ekonomike – përderisa shtetet tjera mund t’i besojnë atij informacioni dhe të jenë të gatshme të ndihmojnë. Sot Kina mund të ndihmojë gjitha shtetet e botës mësime për koronavirusin, por kjo kërkon nivel të lartë të besimit ndërkombëtar dhe bashkëpunim.

Bashkëpunimi ndërkombëtar, sipas tij, është i nevojshëm edhe për masat e efektshme të karantinës. Karantina dhe mbyllja janë esenciale për ndaljen e shpërndarjes së epidemive. Por kur shtetet nuk i besojnë njëra-tjetrës dhe çdo shtet ndjen se ky është problem i ndarë, qeveritë hezitojnë të marrin masa kaq drastike, transmeton Koha.

Sipas Hararit, mbyllja e qytetit apo një vendi mund të çojë në kolaps ekonomik.

“Nëse mendoni se shtetet tjera mund të vijnë t’u ndihmojë juve – më gjasë do të ndërmerrni këtë masë drastike. Por nëse mendoni se shtetet tjera do t’ju braktisin, ju me gjasë do të hezitoni derisa të bëhet tejet vonë”, ka shtuar ai.

Tutje filozofi ka shkruar edhe për shpërthimin e Ebolës më 2014. Ai ka thënë se ky virus është vazhdim i mësimit se viruset evoluojnë. Ebola kishte arritur te njeriu nga lakuriqët.

Edhe Pse koronavirusi po i “zhdëp” disa vende e po i kursen disa të tjera Botë Pse koronavirusi po i “zhdëp” disa vende e po i kursen disa të tjera

“Këto viruse bëjnë njerëzit shumë të sëmurë, por prapëseprapë ato ishin adaptuar më lehtë të jetonte te lakuriqët se në trupat e njerëzve. Ajo që e bëri Ebolan epidemi ishte një mutacion në një gjene të vetme në virus që infektoi një njeri diku në Afrikën Perëndimore”, ka shpjeguar ai.

“Teksa lexoni këta rreshta, ndoshta një mutacion i ngjashëm po zë vend në gjenet në koronavirus që ka infektuar dikë në Tehera, Milano apo Wuhan”, ka shtuar ai duke treguar se ky s’është kërcënim vetëm për iranianët, italianët apo kinezët, por për të gjithë.

Në vitet e 70-a, njerëzimi menaxhoi të mposhtte lijën sepse të gjithë njerëzit në të gjitha shtetet ishin vaksinuar. Edhe nëse një vend kishte dështuar të vaksinonte popullatën, kjo do të ishte rrezik i mundshëm për gjithë njerëzimin, sepse sado që ekzistonte virusi dhe të zhvillohej diku, ai mund të rishpërndahej.

Në luftën kundër viruseve, njerëzimit i duhet të mbyllë kufijtë mbrojtës. Por jo kufijtë mes shteteve. Në vend të kësaj, duhet të mbrojë kufijtë mes njerëzve dhe viruseve. Toka po bëhet bashkë me viruset e panumërta dhe viruset e reja vazhdimisht po evoluojnë. Vija që ndan sferën e viruseve nga bota e njerëzimit kalon nëpër trupat e secilës qenie. Nëse virusi i rrezikshëm tejkalon këtë kufi kudo në botë, vë të gjitha speciet në rrezik.

Në shekullin e shkuar, njerëzimi ka forcuar këtë kufi si kurrë më parë. Sistemet shëndetësore moderne janë ndërtuar në atë mënyrë që të shërbejnë sikur mure në atë kufi dhe infermierët, doktorët e shkencëtarët janë mbrojtësit patrollues. Gjithsesi, këta kufij kanë mbetur të ekspozuar. Ka qindra miliona njerëz në botë që kanë mungesë të shërbimeve shëndetësore. Kjo prek gjithë botën.

“Jemi mësuar të mendojmë për shëndetësinë në terme kombëtare, por kujdesi më i mirë shëndetësor për iranianët dhe kinezët ndihmon dhe mbron edhe izraelitët e amerikanët po ashtu nga epidemitë. Kjo e vërtetë e thjeshtë duhet të jetë e qartë për të gjithë, por fatkeqësisht ajo u ka ikur edhe disa prej njerëzve më të rëndësishëm në botë”, ka shkruar ai, ndër tjerash.

Bota pa lider

Image
Presidenti i SHBA-së Donald Trump / Foto Reuters

Sot njerëzimi përballet me krizë jo vetëm për shkak të koronavirusit, por edhe për shkak të mungesës së besimit mes njerëzve. Për të mposhtur një epidemi, njerëzit duhet t’u besojnë shkencëtarëve, autoriteteve e shtetet duhet t’i besojnë njëra-tjetrës. Përgjatë vjetëve të fundit, politikanë të papërgjegjshëm kanë ulur besimin në shkencë, autoritete publike e korporata ndërkombëtare. Si rezultat, bota po përballet me krizë të udhëheqësve botërorë që inspirojnë, organizojnë e financojnë përgjigje të koordinuar botërore, thotë Harari.

Gjatë epidemisë së Ebolës më 2014, SHBA-ja shërbeu si një lider. Ajo pati rol vendimtar edhe në krizën financiare të 2008-s, kur ndihmoi në parandalimin e krizës botërore ekonomike. Por në vjetët e fundit, SHBA-ja ka hequr dorë nga roli global. Administrata aktuale e SHBA-së ka ulur përkrahjen për organizatat ndërkombëtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ka bërë të qartë se SHBA-ja s’ka më miq – ka vetëm interesa.

Kur kriza e koronavirusit shpërtheu, SHBA-ja qëndroi anash dhe deri tash nuk ka pranuar të marrë rol udhëheqës. Edhe nëse provon të marrë lidershipin, besimi në administratën aktuale të SHBA-së ka rënë në atë masë që pak shtete do ta ndiqnin. Kush do të ndiqte një lider moto e të cilit është “Unë i pari”? ka pyetur Harari.

Sipas tij, hapësira e lënë nga SHBA-ja nuk është zënë nga askush. Vetëm e kundërta. Ksenofobia, izolimi e mosbesimi tani karakterizojnë sistemin ndërkombëtar.

“Pa besim të ndërsjellë e solidaritet ne nuk do të jemi në gjendje të ndalim koroanvirusin dhe do të shohim më shumë epidemi në të ardhmen. Por çdo krizë është një shans. Me shpresën se epidemia aktuale do të ndihmojë njerëzit të kuptojnë rrezikun që vihet nga mosuniteti botëror”, ka shtuar historiani.

Si shembull ai ka marrë Bashkimin Evropian për të cilën ka thënë se është shans i artë që të rikthejë përkrahjen popullore që ka humbur vjetëve të fundit.

“Nëse anëtarët e pasur të BE-së dërgojnë para, pajisje dhe personel mjekësor për të ndihmuar të prekurit rëndë, kjo do të dëshmonte vlerën e idealit evropian më shumë se çdo fjalim. Në anën tjetër, nëse çdo shtet varet nga vetvetja, epidemia mund të jetë e kobshme për vetë BE-në”.

Edhe “Profecia” e izraelitit Yuval Noah Hararit: Furtuna do të kalojë, por zgjedhjet që bëjmë tani do të na ndryshojnë jetën Kulturë “Profecia” e izraelitit Yuval Noah Hararit: Furtuna do të kalojë, por zgjedhjet që bëjmë tani do të na ndryshojnë jetën

Në fund ai ka shkruar se në këtë moment krize, pengesa kryesore zë vend brenda vetë njerëzimit.

“Nëse epidemia rezulton në mosunitet më të madh dhe mosbesim mes njerëzve, do të ishte fitore e madhe e virusit. Nëse njerëzit zihen – virusi dyfishohet. Në të kundërtën, nëse epidemia rezulton në bashkëpunim të afërt në botë, do të ishte jo vetëm fitore ndaj koronavirusit, por kundër ët gjitha patogjeneve të ardhshme”, ka përfunduar ai.

Image
Noah Harari