Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ndalohet në moment të fundit ekzekutimi i të dënuarit me vdekje në SHBA

Guvernatori i Oklahomas ka shfrytëzuar autoritetin e tij për të ndaluar në moment të fundit, ekzekutimin e të burgosurit, Julius Jones, pak orë para se të vihej para vdekjes.

Guvernatori Kevin Stitt ka deklaruar se në vend të ekzekutimit, Jones i është vendosur dënimi me burgim të përjetshëm, pa mundësi lirimi me kusht.

Qindra studentë më parë kanë kërkuar mëshirë për Jones, i cili ishte dënuar me vdekje në vitin 2002, për vrasjen e Paul Howellit, gjatë një grabitjeje makinash tre vjet më parë. Mirëpo, Jones gjatë gjithë kohës e ka mohuar fajin.

Rasti i tij ka tërhequr mbështetjen e shumë fytyrave të famshme, përfshirë këtu Kim Kardashian, dhe aktivistëve kundër dënimit me vdekje.

Ekzekutimi i Jones përmes injektimit ishte caktuar që të bëhej në orën 16:00, sipas kohës lokale, në McAlester të Oklahomas.

Edhe Për herë të parë në 15 vjet, në SHBA pushkatohet i burgosuri Botë Për herë të parë në 15 vjet, në SHBA pushkatohet i burgosuri

Mirëpo guvernatori Stitt, një republikan, ka thënë se ai ndërhyri në këtë rast, "pas shqyrtimit me lutje dhe shqyrtimit të materialeve të paraqitura nga të gjitha palët e këtij rasti".

Bordi i Faljes dhe Lirimit me Kusht i shtetit rekomandoi më herët me një shumicë votash që dënimi i Jones të ndryshohej në burgim të përjetshëm, me mundësinë e lirimit me kusht.

Ky rast ka tërhequr vëmendjen e gjerë vitet e fundit, pjesërisht për shkak të serisë së dokumentarëve ABC të vitit 2018 "The Last Defense".

Jones u shpall fajtor se ka qëlluar për vdekje Howellin, gjatë një grabitjeje makine në vitin 1999 në rrugën e tij.

Edhe Trump: Dënim me vdekje për dhunuesit, vrasësit dhe monstrat Botë Trump: Dënim me vdekje për dhunuesit, vrasësit dhe monstrat

Në tetor, ai ishte mes pesë personave që fituan pezullimin e ekzekutimit nga një panel prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit të Rrethit të 10-të të SHBA-së.

"Unë nuk e vrava zotin Howell. Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë mënyrë në vrasjen e tij; dhe hera e parë që e pashë atë ishte në televizion kur u raportua për vdekjen e tij”, kishte shkruar ai në një letër drejtuar bordit të lirimit me kusht në prill, pasi kishte shteruar apelimet e tij.