Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se lëvizja e forcave ruse që u njoftua të martën, nuk e konfirmon tërheqjen e mbi 150,000 trupave ruse të grumbulluara pranë kufirit me Ukrainën.
Stoltenberg ka kërkuar nga Moska të mërkurën, të dëshmojë tërheqjen e trupave në mes tensioneve mbi një ngritje ushtarake në kufijtë e Ukrainës, duke thënë se ushtarët dhe tanket shpesh lëvizin, raporton Reuters.
"Mbetet për t'u parë nëse ka një tërheqje ruse. Ajo që ne shohim është se ata kanë rritur numrin e trupave dhe më shumë trupa janë në rrugëtim”, ka thënë Stolteberg para gazetarëve në fillim të një takimi dy-ditor të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel. "Nëse ata me të vërtetë fillojnë të tërheqin forcat, kjo është diçka që ne do ta mirëpresim. Ata gjithmonë kanë lëvizur forcat mbrapa në mënyrë që ne të shohim lëvizjen e forcave, të tankeve të betejës, po kjo nuk konfirmon një tërheqje të vërtetë”, ka thënë ai.