Më shumë se 700 trupa janë vendosur në poligonin e Novo Sellos në Bullgari si pjesë e grupit të porsathemeluar luftarak të NATO-s në krahun e saj lindor pas agresionit rus të Ukrainës. Komandanti suprem për Evropë i forcave aleate ka thënë se Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë është e unifikuar kundrejt kërcënimeve të Vlladimir Putinit. Manovra të NATO-s po mbahen edhe në Detin Adriatik, me pjesëmarrje të një luftanijeje amerikane
Më shumë se 700 ushtarë dhe personel ushtarak italian janë vendosur në poligonin ushtarak të Novo Sellos në Bullgari për të marrë pjesë në grupin luftarak ndërkombëtar të NATO-s, të formuar në fillim të vitit në Bullgari.
Presidenti bullgar, Rumen Radev, ministri italian i Mbrojtjes, Lorenzo Guerini dhe komandanti suprem i aleatëve të NATO-s, Kristofer Kavoli, morën pjesë në ceremoni për të shënuar fillimin e manovrave.
Krijimi i një grupi beteje të aftë për luftim në territorin bullgar sinjalizon vendosmërinë e NATO-s për të forcuar pozicionin e saj mbrojtës përgjatë krahut juglindor.
“Shpejtësia e kësaj kundërpërgjigjeje, përmasa e kësaj kundërpërgjigjeje dhe fuqia e këtij grupi beteje janë shenja të fuqisë, vendosmërisë dhe unitetit të Aleancës tonë”, ka thënë gjenerali Chrisopher Gerard Cavoli.
Italia do të marrë zyrtarisht rolin e Kombit Kornizë për grupin luftarak të NATO-s, ndërsa Bullgaria mbetet vendi pritës.
Ministri italian i Mbrojtjes Lorenzo Guerini, e vlerësoi krijimin e këtij misionit të NATO-s në Bullgari si "kundërpërgjigje të pashmangshme ndaj kërcënimeve të sigurisë" të shkaktuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
“Themelimi i një misioni të NATO-s në Bullgari, si dhe nismat e ngjashme në të cilat po marrim pjesë në Sllovaki, Hungari dhe Rumani janë të domosdoshme, një kundërpërgjigje e pashmangshme ndaj kërcënimeve të sigurisë të shprehura nga agresioni në shtetin sovran të Ukrainës nga Rusia e Putinit”, ka thënë Lorenzo Guerini, ministër i Mbrojtjes së Italisë.
Edhe
Rusia zhvillon stërvitje detare në Baltik gjatë stërvitjeve të mëdha të NATO-s
NATO-ja po mban ushtrime edhe në Detin Mesdhe. Stërvitja e koduar si Neptun Strike, po zhvillohet nga 14 tetori deri në 19 tetor, duke përfshirë më shumë se 10 vende aleate të NATO-s, si SHBA-ja, Italia, Rumania, Lituania, Hungaria, Rumania dhe Polonia.
Manovrat synojnë t’i rrisin aftësitë e ndërveprimit dhe komunikimit midis komandave aleate si për forcat detare, ashtu edhe ato ajrore, me qëllim që të parandalohen kërcënimet dhe të mbrohet territori i NATO-s.
Pjesë e stërvitjeve është edhe një luftanije amerikane në Detin Adriatik.