Bruksel- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ambasadorja Amerikane në NATO, Juliane Smith, kanë thënë se duhet dëshmi konkrete për të parë se a është Rusia vërtetë e gatshme të shtensionojë situatën rreth Ukrainës. Duke folur në dy konferenca të ndara për gazetarë në prag të takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që zhvillohet të mërkurën dhe të enjten në Bruksel, edhe Stoltenberg edhe Smith kanë thënë se NATO-ja është e gatshme të mbrojë të gjithë anëtarët e saj dhe me Rusinë e askënd tjetër nuk do të diskutojë për të ardhmen e NATO-s.
Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg, duke reaguar ndaj lajmeve nga Moska se ka nisur tërheqjen e trupave nga kufiri me Ukrainën, ka thënë se “deri me tash nuk kemi parë de përshkallëzim në terren e asnjë shenjë të zvogëlimit të pranisë ushtarake ruse afër Ukrainës. Por do të ndjekim për së afërmi se çfarë po bën Rusia. Shenjat që vinë nga Moska për gatishmëri për përpjekje politike japin arsye për një dozë optimizmi të kujdesshëm por do të shohim në ditët në vazhdim”.
“Në Moskë nuk duhet të kenë asnjë dyshim rreth gatishmërisë së plotë dhe vendosmërisë së NATO-s. Ne garantojmë 100 për qind sigurinë e të gjitha vendeve tona anëtare” ka thënë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s duke konfirmuar se NATO-ja vazhdon të përforcojë praninë në shtetet anëtare në lindje të Evropës. Këtë e ka vlerësuar si “ Demonstrimi i fortë i përkushtimit Amerikan për sigurinë e Evropës, nga Baltiku deri në jug të Evropës.”
Ai ka mirëpritur gatishmërinë e Francës që të udhëheqë një grup luftarake të NATO-s në Rumani.
Ministrat e mbrojtjes së NATO-s do të takohen edhe me ministrat e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për të diskutuar tensionimit e situatës në rajonin e Detit të Zi. Do të takohet edhe me Finlandën dhe Suedinë si dhe me përfaqësuesit e BE-së.
Ambasadorja Amerikane në NATO, Julianne Smith ka thënë se siguria e Evropës dhe besnikëria Amerikane ndaj artikullit 5 është “e fortë si guri”. Ajo ka thënë se qasja e përbashkët ndaj kërcënimeve Ruse është se “Nuk ka negociata për sigurinë e Evropës pa Evropën, nuk ka diskutime për të ardhmen e NATO-s pa dhe nuk ka zgjidhje për Ukrainën pa Ukrainën”.
Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë së bashku me Aleatët Evropian për t’u përballur me kërcënimin rus. Ka thënë po ashtu se “në asnjë mënyrë NATO-ja nuk është e gatshme të diskutojë rreth politikës së saj të dyerve të hapura sepse ky është një prej themeleve të NATO-s dhe këtë ua kemi bërë të qartë përfaqësuesve të Rusisë”.