Qytetarët myslimanë kudo në Evropë janë ballafaquar me gjuhën e urrejtjes, kërcënime dhe sulme fizike. Tani, Këshilli i Evropës, organizata kryesore evropiane për të drejtat e njeriut, është duke debatuar rreth kundërmasave
Imami A. i ka ende të freskëta kujtimet nga sulmet me ngjyra që i ishin bërë xhamisë së tij në një qytet të vogël perëndimor të Gjermanisë.
“Disa vite më parë, dikush kishte vizatuar me sprej me ngjyra një svastikë gjigante kudo përgjatë mureve dhe dritareve”, kujton ai, duke folur për agjencinë gjermane të lajmeve Deutsche Welle. Dhe thotë se numri i të këtilla sulmeve është rritur theksueshëm viteve të fundit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdjenjat antimyslimane dhe antisemitike janë shndërruar në dukuri të përditshme në Gjermani, shkruan DW. Ministria e Brendshme ka regjistruar 1.026 sulme antimyslimane vetëm gjatë 2020-s. Dyshohet se edhe shumë të tjera kanë ngjarë, porse nuk janë raportuar.
“Ky nuk është një fenomen puro gjerman”, thotë për DW-në përfaqësuesi i posaçëm i Këshillit të Evropës për Urrejtjen Antisemitike dhe Antimyslimane, Daniel Höltgen.
Ai ka përcjellë raportimet e ngjashme nga shoqatat myslimane në tetë vende evropiane. Rezultatet nuk janë gjithëpërfshirëse, pretendon ai, porse janë bazë për kërkime të mëtutjeshme dhe për nevojën që çështja të ndiqet nga autoritetet e vendeve respektive.
Viktimat përshkruajnë ballafaqimin me gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale dhe kërcënimet diskriminuese e sulmet verbale nëpër rrugë përditë, thotë Höltgen.
“Këto janë akte kriminale. Nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën për liri të shprehjes”, pretendon ai për Deutsche Wellen.
Dhe kërcënimet e tilla e rrezikimet ngërthejnë në vetvete një çmim, thotë imami A. Pas svastikave në muret e xhamisë, në vend të 100 besimtarëve që marrin rëndom pjesë në falje, vetëm 10 kishin qenë të pranishëm në xhumanë e asaj jave, kujton ai. Ishin myslimanët e rinj ata që nuk ishin shfaqur aty, shkaku se ishin të frikësuar. Ndërkaq hetimet policore nuk kanë zbardhur gjë.
Ndërkaq Höltgeni ka zbuluar përse pjesa më e madhe e rasteve të gjuhës së urrejtjes nuk raportohet: Viktimat ose nuk dinë se ku të raportojnë ose thjesht besojnë se raportimi nuk do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes.
Përfaqësuesi i Këshillit të Evropës thotë për DW-në se interneti është shndërruar përherë e më shumë në një hapësirë ku trimërohen kryerësit e sulmeve.
“Terroristi që kishte sulmuar një sinagogë në Halle të Gjermanisë më 2019 i kishte transmetuar drejtpërsëdrejti veprimet e tija, duke e kopjuar të njëjtën procedurë nga sulmi mbi një xhami vetëm një muaj më vonë në Christchurch të Zelandës së Re”, ka shkruar agjencia gjermane.
Shefi i Këshillit për Myslimanët në Gjermani, Aiman Mzyek, pajtohet se urrejtja në rrjetet online është “një fenomen i ri”. Porse specifikon se rastet kanë prekur tavanin.
Vetëm më 2020 ka pasur më shumë se 1 mijë incidente kriminale dhe pothuajse 150 sulme fizike mbi xhamitë përgjatë Gjermanisë.
Karshi një situate të tillë, imami A ka një mesazh.
“Ne nuk jemi kuti të zeza. Edhe ne jemi pjesë e rregullt e shoqërisë”, ka thënë ai për Deutsche Welle, duke mos dashur që të identifikohej nga frika prej sulmeve të tjera.