Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mosbashkëpunimi i Serbisë me Tribunalin e Hagës

Avokati i njohur serb, Toma Fila, duke komentuar vendimin e shkallës së dytë të Tribunalit të Hagës për kriminelin e luftës, Ratko Mladiq, foli edhe për bashkëpunimin e Serbisë me këtë gjykatë.

Fila, që ka mbrojtur disa prej të akuzuarve serbë në Hagë, tha se gjenocidi në Srebrenicë, për çka është dënuar ndër të tjera Mladiqi me burgim të përjetshëm, është i shpikur, sipas tij, për të mbuluar operacionin kroat për çlirimin e tokave të tyre “Oluja” (Stuhia).

Tribunali i Hagës ka vite që kërkon edhe dy zyrtarë të Partisë Radikale Serbe, që udhëhiqet nga Vojislav Shesheli, një i dënuar tjetër nga Haga, por Serbia po refuzon t’i dorëzojë.

Bëhet fjalë për Petar Jojiqin dhe Verica Radetan. Ata akuzohen për pengim të drejtësisë dhe ndaj tyre u ngrit aktakuzë qysh më 2012.

Serbia ka ligj për bashkëpunim me Tribunalin, por më 2016 Gjykata e Lartë në Beograd vendosi se nuk ka bazë juridike për t’i dorëzuar ata në Hagë.

Avokati Fila thotë se kështu do të jetë “sa të jetë presidenti Aleksandar Vuçiq gjallë”.

Edhe Refuzohet sërish kërkesa e Mladiqit për lirim të parakohshëm Rajon 2 muaj më parë Refuzohet sërish kërkesa e Mladiqit për lirim të parakohshëm

“Pera Jojiq është koleg imi qysh nga koha kur ishte në MPB. Dhe i them, rri i qetë, pasi derisa të jetë Vuçiqi gjallë, ju (Jojiq dhe Radeta) nuk do të dorëzoheni në Hagë”, ka thënë Fila.

Në fakt, Serbia ka vonuar edhe me dorëzimin e dy prej kriminelëve më të mëdhenj, që sot janë të dënuar: Radovan Karaxhiq e Ratko Mladiq. Karaxhiq u arrestua më 2008, 13 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnjë, kurse Mladiqi më 2011. Të dy ishin arrestuar në Serbi.

Karaxhiq u dënua me 40 vjet burgim, kurse Mladiq me burgim të përjetshëm për gjenocid e krime lufte në Bosnjë.