Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Moldavia dëbon diplomatin rus për hapje të qendrave të votimit në Transnistri

Moldavia ka thënë të martën se ka dëbuar një diplomat rus pasi Moska ka hapur qendra të votimit për zgjedhjet e saja presidenciale në rajonin separatist prorus të Moldavisë, Transnistria, ka raportuar “Associated Press”.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Moldavisë janë mjaft të tensionuar, marrë parasysh se Qeveria e Moldavisë është properëndimore, dhe ka kundërshtuar luftën në Ukrainë.

Moldavia ka ftuar ambasadorin rus, Oleg Vasnetsov, për të protestuar kundër vendimit të Kremlinit për të hapur gjashtë qendra votimi në Transnistria “në kundërshtim me qëndrimin e autoriteteve moldave”, ka thënë Ministria e Jashtme e Moldavisë.

Ministria ka thënë se ka informuar Vasnetsovin që një punonjës i Ambasadës ishte “bashkëpunëtor”, dhe se ai është deklaruar person i padëshiruar dhe duhet të largohet nga vendi.

Rusia më herët ka rënë dakord të hapë një qendër votimi në Ambasadën e saj në kryeqytetin e Moldavisë, Chisinau. Rusia ka hapur qendra votimi në Transnistria edhe në zgjedhjet e më hershme presidenciale.

Zyrtarët moldavë kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë për kryerjen e një “lufte hibride” kundër vendit të tyre duke financuar protesta antiqeveritare, duke ndërhyrë në zgjedhje lokale, duke mbajtur fushata të mëdha dezinformuese në përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe për t’i prishur rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Edhe Kolumne Gozhda e radhës në arkivolin e prestigjit rus

Transnistria është një rajon pro-rus në Moldavi, e cila kishte shpallur pavarësinë në vitin 1990. Ajo nuk njihet nga asnjë shtet anëtar i OKB-së, përfshirë edhe Rusinë, e cila mban lidhje me rajonin ku banojnë rreth 220 mijë qytetarë rusë. Rusia mban rreth 1500 trupa në Transnistria të ashtuquajtura paqeruajtëse, të cilat ruajnë rezervat e armëve dhe municioneve të epokës sovjetike.

Një numër i madh i qytetarëve rusë në Transnistri gjithashtu kanë pasaporta moldave.

Më vonë këtë vit, Moldavia do të mbajë një referendum për anëtarësimin në BE, së bashku me zgjedhjet e saj presidenciale. Moldavisë i është dhënë statusi i anëtarit të BE-së në qershor të vitit 2022 dhe Brukseli ka thënë se do të hapte negociatat e pranimit si për Moldavinë ashtu edhe për Ukrainën në dhjetor të vitit të kaluar.