Botë

Misioni i shumëfishtë i Bidenit në Evropë

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka vënë gjithë zemrën në udhëtimin e tij tetëditor, i bindur se Perëndimi duhet të demonstrojë hapur se mund të konkurrojë ekonomikisht me Kinën teksa bota të këndellet nga pandemia e koronavirusit. Para se të ngjitej në bordin e aeroplanit presidencial të mërkurën, u ka thënë gazetarëve se udhëtimi ka për qëllim që t’u tregojë qartë liderëve në Kinë dhe Rusi se SHBA-ja dhe Evropa “janë të lidhura ngushtë”

Me t’ia mësyrë udhëtimit të tij të parë përtej vendit, presidenti Joe Biden synon ringjalljen e reputacionit të moçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në skenën botërore, përafrimin e relacioneve thellësisht të lëkundura me aleatët evropianë dhe avancimit të demokracisë karshi forcave autoritare në ngritje.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka vënë gjithë zemrën në udhëtimin e tij tetëditor, i bindur se Perëndimi duhet të demonstrojë hapur se mund të konkurrojë ekonomikisht me Kinën teksa bota të këndellet nga pandemia e koronavirusit. Para se të ngjitej në bordin e aeroplanit presidencial të mërkurën, u ka thënë gazetarëve se udhëtimi ka për qëllim që t’u tregojë qartë liderëve në Kinë dhe Rusi se SHBA-ja dhe Evropa “janë të lidhura ngushtë”.

Në samitin me presidentin rus, Vladimir Putin, kah fundi i xhiros së tij, Bideni do të synojë që t’i bindë kryeqytetet evropiane se Washingtoni mundet përsëri të llogaritet si një partner i besueshëm në frenimin e agresionit të Moskës, si në frontin e konflikteve të prodhuara prej saj ashtu edhe në fushëbetejën kibernetike. Në fokus të krejt udhëtimit është që bota të bindet se administrata e tij demokratike është shumë ndryshe prej asaj të ish-presidentit Donald Trump.

“Udhëtimi, në esencë, do ta avancojë besimin në politikat e jashtme të Bidenit”, ka thënë këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan. “... në besimin te demokracitë botërore për sa i përket luftimit të sfidave madhore të kohës”.

Lista ambicioze e detyrave

Në takimin sy më sy në Gjenevë, Bideni ka ndërmend që t’i ushtrojë presion Putinit për t’u dhënë fund provokimeve, pikësëpari me sulmet kibernetike ndaj caqeve amerikane e pastaj edhe për burgosjen e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, si dhe për përpjekjet e maskuara dhe të fshehta të Kremlinit për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së.

Në agjendë gjithashtu ka rreshtimin e aleatëve në përgjigjen ndaj COVID-19, në përpilimin e një strategjie ekonomike dhe të sigurisë ndaj Kinës konkurruese.

Xhiroja më se njëjavore përbën një “moment të madh” për Bidenin, i cili për dekada me radhë përshkoi botën rreth e qark si zëvendëspresident dhe kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senat.

Kjo e fundit, si i pari i SHBA-së, nis me samitin e liderëve të G7-s në Britani për të vazhduar me atë në Bruksel për samitin e NATO-s dhe me takimin me shefat e Bashkimit Evropian. Krejt kjo në kohën kur evropianët kanë humbur pritshmëritë për udhëheqjen amerikane në skenën botërore.

Megjithëkëtë, shpresat për një SHBA në krye nuk janë tretur krejtësisht. Gjermania pret që prania e trupave amerikane në vend të vazhdojë ashtu që të mos ketë nevojë të angazhojë të sajat. Franca, nga ana tjetër, ka fituar bindjen se SHBA-së nuk bën t’i besohet sikurse dikur, dhe se BE-ja duhet të fitojë autonomi më të madhe strategjike.

“Mendoj se janë reale shqetësimet se prirjet trumpiane në SHBA mund të rikthehen pas zgjedhjeve të mesmandatit apo atyre të ardhshme presidenciale”, ka thënë Alexander Vershbow, ish-diplomat amerikan dhe dikur zëvendëssekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Përderisa vetë Bideni është burrështetas veteran, shumë liderë që ai do t’i takojë në ndalesën e parë në Angli, përfshirë kryeministrin britanik Boris Johson dhe presidentin francez Emmanuel Macron, kanë marrë detyrat para se ai të largohej nga detyra e nënpresidentit.

Kina, Erdogani e Putini

Pavarësisht të gjithave, çështja qendrore e Bidenit do të jetë Kina. Sytë janë kthyer kah një pako ekonomike që do ta sfidonte direkt iniciativën kineze Rrip dhe Rrugë. Ama puna nuk merr fund me kaq.

Fokusi është edhe te të drejtat e pakicës së shtypur myslimane të Kinës. Deri më tani, BE-ja ka shmangur marrjen e një qëndrimi të sertë ndaj vendit, si për ujgurët ashtu edhe për shtypjen e lëvizjes pro demokraci në Hong-Kong, siç administrata Biden do të donte. Por ka sinjale se Evropa është e gatshme të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër Pekinit.

Mes gjithë këtyre angazhimeve, Bideni është paraparë që të takohet edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan derisa është në Bruksel. Të dy burrat kanë pasur jo pak përplasje gjatë vitit.

Bideni ka pritur krejt deri në prill që ta realizojë telefonatën e parë me Erdoganin si president. E kur e telefonoi, e informoi liderin turk se do të pranonte zyrtarisht si gjenocid vrasjet sistematike dhe deportimet e qindra e mijëra armenëve nga forcat e Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XX. Kjo, për dallim prej Trumpit që kujdesej të mos e zemëronte liderin turk.

Në shumëçka Bideni ka shpërfaqur qëndrime të kundërta prej pararendësit. Veçmas ndaj Rusisë.

“Të gjitha takimet e përpjekjet kanë për qëllim që Putinit t’i përçohet një mesazh për ringjalljen e aleancave të kahershme dhe, ç’është më e rëndësishmja, se SHBA-ja është kthyer sërish”, ka thënë Richard Haass, kryetar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë.

Përktheu: Nita Lleshi