Botë

Misioni i Macronit kundër Rusisë në Afrikë

Rusia me shpresën se do ta rindërtojë ndikimin që e kishte humbur që prej dekadave të Luftës së Ftohtë, është duke ofruar përkrahje të sigurisë për qeveritë e shteteve afrikane që ndihen të kërcënuara ose të izoluara nga rrjedha ndërkombëtare: mercenarët e “Wagnerit” që kanë lidhje me Kremlinin, tani janë duke operuar në Mali dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Në këto shtete mercenarët janë akuzuar për abuzimin e të drejtave të njeriut

Libreville, Luanda, Brazzaville, Kinshasa – këto janë kryeqytetet që presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka vizituar në Afrikë në turneun e tij të shpejtë në përpjekje për të ndërruar politikën franceze në kontinent, larg prej përfshirjes ushtarake.

Vështirë se mund të akuzohet se e ka injoruar Afrikën – ky është udhëtimi i tij i 18-të presidencial – por është realizuar në kohën kur po përballet me konkurrencë nga Kina dhe Rusia dhe rritjes së pakënaqësisë për lidhjet ekonomike mes Francës dhe ish-kolonive të saj. Këtë lidhje shumëkush e sheh si formë e vazhdimit të eksploatimit.

Dhe insiston se do të kthehet, përsëri e përsëri, në kontinentin që ai e sheh si partner vendimtar për Evropën kundër sfidave globale në dekadat që vijnë.

Ani pse pashmangshëm Ukraina dominon agjenten e diplomacisë ndërkombëtare, Macroni beson se Parisi dhe Brukseli nuk duhet neglizhuar Afrikën. Përfaqëson sfida dhe mundësi të mëdha zhvillimi, me rininë dinamike, argumenton ai, do të jetë kontribuuese e rritjes së ardhshme të Evropës.

Presidenti francez është fort në dijeni se si shtetet e tjera janë duke planifikuar ta shtrijnë ndikimin e tyre në jug të Saharës.

Mst: Ndikimi rus

Rusia me shpresën se do ta rindërtojë ndikimin që e kishte humbur që prej dekadave të Luftës së Ftohtë, është duke ofruar përkrahje të sigurisë për qeveritë që ndihen të kërcënuara ose të izoluara nga rrjedha ndërkombëtare: mercenarët e “Wagnerit” që kanë lidhje me Kremlinin, tani janë duke operuar në Mali dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Në këto shtete mercenarët janë akuzuar për abuzimin e të drejtave të njeriut.

Kina është përkrahëse e madhe financiare dhe ndërtuese e infrastrukturës, ani pse në terma që Macroni frikësohet se mund të përfshijë disa shtete në borxhe të mëdha. Turqia dhe India gjithashtu janë goxha aktive.

Dhe përgjatë rajonit, ndjenja antifranceze ka marrë hov nga mesazhet nëpër rrjetet sociale për të cilat Parisi deri më tani nuk ka pasur përgjigje.

Në një fjalim të gjatë të hënën, për të përgatitur terrenin për turneun e tij të ri, presidenti ripohoi strategjinë e tij për ta vazhduar rolin e Francës në këtë arenë gjithnjë e më konkurruese. Ishte mesazh drejtuar si afrikanëve ashtu edhe audiencës së tij vendase.

Ai nuk mendon se francezët duhet të përpiqen të përshtaten me përpjekjet ruse të sigurisë, duke rizgjeruar praninë e tyre ushtarake për të krahasuar atë që ofron Moska.

Në çdo rast, kjo vështirë se do të ishte opsion kur Parisi është detyruar të tërheqë ushtrinë nga Mali dhe Burkina Faso, ku juntat ushtarake tani po kërkojnë të distancohen nga ish-fuqia koloniale në të dyja vendet.

Në vend të kësaj, Macroni synon ta riorientojë mbështetjen franceze për t'u fokusuar më shumë në trajnimin dhe mbështetjen teknike për forcat e armatosura afrikane, me numrin e trupave të reduktuar dhe programet e bashkëpunimit ushtarak të përshtatura për kërkesat specifike të vendeve veç e veç.

Dhe këtë javë, Macroni e çoi atë politikë një hap më tej, duke njoftuar se bazat e mbetura franceze në Afrikë - në Senegal, Bregun e Fildishtë dhe Gabon - tani do të bashkëmenaxhohen dhe ndahen me forcat e vendeve pritëse dhe madje do të jenë të disponueshme për të mirëpritur partnerë të tjerë të jashtëm nëse ato qeveri dëshirojnë. Vetëm baza në Xhibuti, e vendosur strategjikisht në grykëderdhjen e Detit të Kuq, do të mbetet ekskluzivisht franceze.

Ai vuri në dukje se baza në Abidxhan të Bregut të Fildishtë, është e pozicionuar mirë për trajnimin e trupave nga shtetet e ndryshme të Afrikës Perëndimore që tani bashkëpunojnë në përpjekjet për të parandaluar grupet xhihadiste në Sahel që të shtyjnë në jug drejt Bregut të Fildishtë.

Por ai është gjithashtu i shqetësuar për të ndjekur diversifikimin e angazhimit francez në kanavacën shumë më të gjerë, duke prekur kulturën, historinë, emigracionin, tregtinë, zhvillimin dhe madje reformën e frangut CFA - monedhë e përdorur nga 14 vende dhe e lidhur me euron nën një garanci të ofruar nga Parisi.

Ka një kundërshtim në rritje ndaj përdorimit të kësaj monedhe, të cilën disa e shohin si një formë neo-kolonializmi, megjithëse mbështetësit e saj thonë se ajo ndihmon në sigurimin e stabilitetit financiar.

Macroni fillimisht e nisi këtë qasje në një fjalim të profilit të lartë në Afrikë në nëntor 2017, përpara një grupi studentësh në një teatër leksionesh në Universitetin Ouagadougou në Burkina Faso.

Dhe ai e ka ndjekur këtë politikë gjatë pesë vjetëve të fundit, në përpjekje për t’i transformuar perceptimet nga të dyja palët.

Qeveritë e mëparshme në Paris, veçanërisht në vitet 1990, kishin kërkuar të largoheshin nga rrjeti i vjetër i lidhjeve të veçanta të lidhura reciprokisht dhe të vetëkënaqura midis elitave afrikane dhe franceze të përmbledhura në termin “Françafrique”, duke u zhvendosur në vend të kësaj drejt mbështetjes më të fortë për demokracinë dhe zhvillimin e bazës.

Kthimi i thesareve

Megjithatë, Macroni ka shkuar më tej në përballjen me episodet e dhimbshme dhe ndonjëherë të turpshme të së kaluarës, duke i ngarkuar historianët të prodhojnë raporte të pakursyera në shqyrtimin e historisë së Francës në luftën për pavarësinë e Algjerisë dhe ngjarjet që rrethojnë gjenocidin e Ruandës në 1994.

Një program i kthimit të thesareve të grabitur gjatë epokës koloniale tashmë është kthyer në vendlindje, siç është shpata totemike senegaleze dhe një pjesë të një froni mbretëror Malagazi, ndërsa artefaktet e grabitura nga mbretëria e Dahomey janë dërguar përsëri në Benin dhe janë bërë marrëveshje për kthimi i një daulle ikonë të Bregut të Fildishtë.

Paralelisht me këtë përpjekje për pajtim gjatë historisë së kaluar, Macroni ka kërkuar të thellojë lidhjet e sotme kulturore dhe shkëmbimin e ideve. Ai ka shpallur skema për të promovuar stërvitjen sportive dhe për të lehtësuar qasjen në viza për afrikanët për të ndjekur studimet pasuniversitare në Francë.

Megjithatë, ndikimi publik i këtyre nismave, veçanërisht në sytë e opinionit publik afrikan, ka humbur kryesisht gjatë viteve kur dimensioni më i spikatur i angazhimit francez ka qenë lufta ushtarake kundër grupeve militante në Sahel.

Polemika në rritje erdhi për të rrethuar operacionet e forcës franceze Barkhane, e cila u tërhoq përfundimisht nga Mali në gusht të vitit të kaluar. Kjo ka nxitur një rritje të nacionalizmit populist në disa vende dhe një pakënaqësi më të përgjithësuar të Francës në pjesën më të madhe të Afrikës Frankofone Perëndimore dhe Qendrore, veçanërisht në mesin e të rinjve urbanë.

Pasi ka nxitur zhvendosjen drejt një profili më të ulët dhe një qasje më bashkëpunuese ushtarake, Macroni po përpiqet të përdorë turneun e kësaj jave në katër vende për të rigjallëruar këtë reformë më të gjerë dhe agjendën e ndryshimeve.

Por edhe ky udhëtim do të përfshihet nga komplikime të njohura politike.

Në Republikën Demokratike të Kongos ka pasur demonstrata antifranceze përpara vizitës së tij. Për më tepër, kundërshtarët e presidentit të Gabonit, Ali Bongo Ondimba dhe presidentit të Kongos, Félix Tshisekedi, janë ankuar se vizita e Macron mund të lexohet si ndërhyrje për të forcuar imazhin e këtyre sundimtarëve aktualë në atë që është një vit zgjedhor për të dy vendet.

Përktheu: Gent Mehmeti