Rafahu ka pësuar sulme ajrore nga forcat izraelite për muaj të tërë, por sulmet e reja të pritshme tokësore sjellin me vete frikën e shtuar për gjakderdhje. Palestinezët e bllokuar në qytet nuk kanë asnjë rrugë shpëtimi. Qyteti kufizohet me Egjiptin dhe kalimi në këtë vend është i mbyllur prej muajsh.
Palestinezët e zhvendosur, të grumbulluar nëpër tenda në qytetin Rafah, janë duke pritur me frikë për sulmet tokësore izraelite – pa pasur ku të ikin kur trupat të hyjnë në qytet.
Një milion njerëz vlerësohet të jenë të grumbulluar nëpër tenda në pjesën jugore të Gazës. Të tjerët janë grumbulluar nëpër shtëpi në qytet, ku sulmet me raketa janë bërë tashmë të zakonshme.
“Dëgjojmë (dronët) shumë, shumë të zhurmshëm dhe dëgjojmë zhurmat e bombardimeve gjatë natës”, ka thënë Kareem Dahmani, palestinez i zhvendosur në qytet.
Bombardimi i fundit ndodhi “shumë afër” vendit ku jeton Dahmani me shumë anëtarë të familjes, në një dhomë të vetme të shtëpisë së një miku.
Ai ka shtuar se kushtet në Rafah janë “shumë të vështira”, duke raportuar “për një numër të madh njerëzish, kaos dhe çmime të larta”.
Dahmani, si shumë të tjerë, gjeti veten në qytet pas udhëtimit “shumë të mundimshëm” gjatë enklavës së rrethuar. Rafah ishte streha e fundit për palestinezët që udhëtonin në jug për të shmangur sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit, pas urdhrave nga zyrtarët e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) që palestinezët të zhvendoseshin nga qyteti i Gazës dhe më pas Khan Younisit, ndërsa sulmet e tyre tokësore vazhduan të zhvendoseshin në jug.
Rafah ka pësuar sulme ajrore nga forcat izraelite për muaj të tërë, por sulmet e reja të pritshme tokësore sjellin me vete frikën e shtuar për gjakderdhje.
Palestinezët e bllokuar në qytet nuk kanë asnjë rrugë shpëtimi. Qyteti kufizohet me Egjiptin dhe kalimi në këtë vend është i mbyllur prej muajsh.
“Ne blinim furnizime nga një dyqan ushqimor i vogël. Hera e fundit që blemë nga dyqani ishte dje”, ka thënë Dahmani. "Në mëngjes shkuam për të blerë gjëra dhe zbuluam se ishte bombarduar. Bombardimi po afrohet ngadalë në Rafah. Nuk e dimë se ku do të shkojmë pas Rafahut”, ka shtuar ai.
“Të gjithë janë të frikësuar”
Udhëheqësit izraelitë kanë vënë vëmendjen në Rafah ditët e fundit duke pretenduar se qyteti është bastioni i fundit i mbetur i Hamasit dhe se udhëheqësit e grupit militant, përfshirë edhe liderin e Gazës, Yahya Sinwari, janë "në arrati".
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallanti, ka thënë se ushtria do t'i arrijë "së shpejti qëllimet e saj", ndërsa po vazhdonte rrugën për në Rafah. Gallanti ka pohuar në një konferencë televizive se Sinwari nuk kishte asnjë kontakt me luftëtarët e tij dhe se u detyrua të ikte prej një strehe në tjetrën, i ndjekur nga IDF-i.
“Ai nuk po udhëheq forcat, ai është i zënë me mbijetesën e tij personale. Në vend të kreut të Hamasit u bë terrorist i arratisur”, ka thënë Gallanti.
Por, komandanti i lartë i ngarkuar me operacionin ushtarak të Izraelit në Gazën Jugore ka thënë se nuk ka ende plan për të minimizuar vdekjen e civilëve në Rafah.
Gjenerali Dan Goldfussi, mbikëqyrës i Divizionit 98 të IDF-it, ka thënë se do të punonte në atë se “nëse dhe kur” do të merrte urdhrin për të manovruar forcat e tij në zonë dhe se që nga e diela urdhri nuk është lëshuar ende.
Një zëdhënës i IDF-it ka thënë se që nga e mërkura informacioni ishte i saktë se urdhri për të vazhduar në Rafah nuk është lëshuar ende.
Për më shumë se një milion palestinezë në qytetin jugor, sulmet e pritshme në Rafah po shkaktojnë alarmim dhe frikë.
“Të gjithë kanë frikë nga zgjerimi i operacionit tokësor në Rafah”, ka thënë Raed Al-Nimsi, drejtor i Medias i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Gaza.
“Hyrja e IDF-it në Rafah do të shkaktojë fatkeqësi të vërtetë”, ka thënë Ismail Al-Thawabtau, kreu i zyrës së mediave qeveritare të Hamasit në Gaza.
Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), më shumë se 2 milionë njerëz në Gazë po kërkojnë strehim në zonën e Rafahut. OCHA ka bërë të ditur se refugjatët që po përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit, strehimit dhe ilaçeve po shpërngulen në Rafah, ndërsa luftimet përkeqësohen aty pranë.
“Ne blejmë ushqime dhe pije në baza ditore, të cilat janë konserva me fasule dhe mish. Uji është në dispozicion, por na duhet një orë për të mbushur ujë nga stacioni i ujit”, ka thënë Dahmani.
"Energjia elektrike është pothuajse joekzistente," ka shtuar ai, fakt ky që e bën të vështirë për palestinezët të shohin komunikimet në lidhje me qasjen e IDF-it.
“I karikojmë telefonat tanë duke përdorur energjinë diellore, e cila është në dispozicion në shtëpinë e mikut tonë në Rafah. Nuk ka asnjë sinjal telefonik përveç në rrjetet izraelite dhe egjiptiane”, ka shtuar ai.
Dahmani me familje u larguan nga Gaza në mes të tetorit, disa ditë pasi sulmet e Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit shkaktuan bombardim nga IDF-i në qytet. Në nëntor ata shkuan në Khan Younis, përpara se të zhvendoseshin përsëri në dhjetor dhe të niseshin për në Rafah.
Udhëtim të ngjashëm bëri Youssef Abu Kwaiki, palestinez 23-vjeçar, që u zhvendos nga Khan Younisi në Rafah rreth tre muaj më parë.
“Ne jetojmë në tenda në zonën Mawasi të Rafahs. Numri ynë i kalon 20 persona”, ka thënë Kwaiki.
“Ushqimi dhe pijet janë të vështira për t'u gjetur dhe nëse janë në dispozicion, janë të shtrenjta. Sa u përket furnizimeve mjekësore, janë krejtësisht joekzistente,” ka shtuar ai.
Zyra humanitare e OKB-së ka lëshuar paralajmërime të shpeshta në lidhje me situatën në terren, duke e quajtur qytetin "tenxhere me presion" javën e kaluar.
“Ditëve të fundit mijëra palestinezë kanë vazhduar të shpërngulen në jug, i cili tashmë po pranon më shumë se gjysmën e popullsisë së Gazës prej rreth 2.3 milionë banorësh. Shumica jetojnë në struktura të improvizuara, tenda ose jashtë,” ka thënë Jens Laerkeu, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
“Rafahu është si tenxhere e pashpresë me presion dhe kemi frikë se çfarë do të vijë më pas”, ka thënë Laerkeu.