Miliona myslimanë anembanë globit – përfshirë në vende si Afganistani, Libia, Egjipti, Kenia dhe Jemeni – festuan Kurban Bajramin të shtunën, një nga festat më të mëdha në kalendarin islamik.
E njohur si "Festa e Sakrificës", kremtimi i saj përkon me ritet e fundit të haxhit vjetor në Arabinë Saudite. Është një rast i gëzueshëm, për të cilin ushqimi është një shenjë dalluese, shkroi AP të shtunën.
Por, ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po i ngrit çmimet e ushqimeve dhe po shkakton vështirësi në të gjithë Lindjen e Mesme, shumë thonë se nuk mund të përballojnë çmimin për bagëtitë për sakrificën rituale. Dëshpërimi nga kostoja e jetesës ka ulur tregtinë tipike të dhive, lopëve dhe deleve.
"Të gjithë duan të sakrifikojnë një kafshë në emër të Allahut, por ata nuk mund ta bëjnë këtë sepse janë të varfër", ka thënë Mohammad Nadir nga një treg bagëtish në Mazar-e-Sharif, Afganistani verior, ku disa burra bënin pazar mbi delet që blenin.
Kurban Bajrami përkujton tregimin kuranor të gatishmërisë së Ibrahimit për të sakrifikuar Ismailin si një akt bindjeje ndaj Zotit. Para se të mund të bënte flijimin, Perëndia i dha një dash si shkëmbim. Në tregimin e krishterë dhe hebre, Abrahami urdhërohet të vrasë një djalë tjetër, Isakun.
Shumë myslimanë festojnë festën katër-ditore duke therur bagëti dhe duke e shpërndarë mishin mes familjes, miqve dhe të varfërve. Në kampin e refugjatëve al-Shati në Gaza të shtunën, fëmijë të ngazëllyer u rreshtuan për të marrë organe të brendshme dhe këmbë – pjesë kafshësh të ndara për ata që përndryshe nuk mund ta përballojnë mishin.
Në Afganistan zakonisht nxitojnë për blerje të kafshëve përpara festës. Por këtë vit, inflacioni global dhe shkatërrimi ekonomik pas marrjes së pushtetit nga talebanët e kanë vënë blerjen me rëndësi të madhe fetare përtej mundësive të shumë njerëzve.
"Vitin e kaluar në këtë ditë kam shitur 40 deri në 50 bagëti", tha Mohammad Qassim, një shitës afgan i bagëtive. “Këtë vit kam arritur të shes vetëm dy”.
Çmimet e grurit dhe mishit janë shumëfishuar dhe uria është përhapur pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndërpreu bujqësinë dhe kufizoi furnizimin me energji. Kostot e larta të ushqimit të kafshëve dhe plehrave i kanë detyruar shitësit e bagëtive të rrisin çmimet.
Në rrugët Ramallah, në Bregun Perëndimor, familjet palestineze kanë reduktuar ushqimet gjatë festës nga ato të zakonshmet kur mbusheshin pjatat.
“Në ditë të tilla, kishte kërkesa për fruta, ëmbëlsira dhe arra, por siç mund ta shihni... askush nuk është këtu për të blerë tani”, u ankua një shitës vendas, Baligh Hamdi.
Por, gosti apo jo, pati bashkësi të mëdha që u lutën. Besimtarët mbushën xhamitë përreth Lindjes së Mesme dhe në Afrikën Veriore.
Nga Kenia në Rusi dhe Egjipt, turma besimtarësh u lutën krah për krahu.