Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Miku i Putinit thotë të jetë pronar i pallatit në Detin e Zi

Pasaniku Rotenberg është figurë e rëndësishme në Rusi. Njihet si pronar i kompanive ndërtimore që kanë ndërtuar ura dhe tuba gazi. Është i njohur si mik i fëmijërisë me Putinin. Biznesmeni është i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2014. Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar si zyrtar i rrethit të ngushtë të pushtetit në Rusi. Ai i ka përkrahur të gjitha projektet e Putinit.

Moskë, 30 janar (BBC) – Oligarku rus, Arkady Roteberg, ka thënë se është pronar i vilës së famshme në bregun e Detit të Zi, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës ruse se ajo është pronë e presidentit Vladimir Putin. Një video e publikuar nga kritiku i Kremlini, Alexei Navalny, u shikua më shumë se 100 milionë herë nëpër Rusi. Gjatë javës, presidenti rus ka mohuar raportet se është pronar i resortit. Rotenberg, një miliarder i afërt me Putinin, publikisht ka pranuar se është pronar i vilës luksoze.

Ai pranoi se është pronar në një video të postuar në kanalin pro-Kremlinit, para se të njëjtën t’ia konfirmonte edhe agjencisë së lajmeve “Interfax”.

“Para disa vjetësh arrita marrëveshje me kreditorët dhe u bëra përfitues i atij vendi”, ka thënë Rotenberg.

Ai ka thënë se prona do të jetë plotësisht e tij brenda dy vjetësh dhe pret që ajo të shndërrohet një hotel luksoz.

Image

Zbulimi i pronarit të vilës është lajm i keq për opozitën, e cila ka shpeshtuar protestat nëpër Rusi. Publikimi i videos ka qenë pikënisje e protestave të nxitura nga opozitari i burgosur Alexei Navalny. Ekipi i tij ka pretenduar se prona kushton 1 miliard dollarë dhe është paguar nëpërmjet aferës më të madhe të korrupsionit.

BBC-ja në vitin 2012 kishte raportuar për pallatin misterioz. Një biznesmen i afërt me Putinin kishte thënë se pallati ishte i ndërtuar me kërkesat e presidentit, por Kremlini i ka mohuar këto pretendime.

Në fillim të javës, Putini direkt kishte mohuar se ai e familja e tij ishin pronarë. Ndërkaq, videon e quajti shumë të mërzitshme.

Akuzat për pallatin kanë mbushur rrjetet sociale. Akuzat për korrupsion nxitën protestat e 23 janarit – më të mëdhatë në vitet e fundit kundër presidentit Putin. Më shumë se 4 mijë njerëz u arrestuan në protestat që u zhvilluan në 100 shtete ruse. Navalny është në paraburgim pas arrestimit me t’u kthyer nga Gjermania, shtetin evropian në të cilin po trajtohej nga helmimi me agjentin nervor Novichok. Dhuna ndaj protestuesve dhe vazhdimi i paraburgimit të Navalnyt kanë nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare. Këto thirrje nuk i ka dëgjuar Kremlini, që ka vazhduar me arrestimin e opozitarëve. Në numër i madh i të afërmve të Navalnyt janë arrestuar që prej javës së kaluar. Kryeredaktori i revistës për të drejtat e njeriut, Sergei Smirnov, gjithashtu është arrestuar. Lajmi për kapjen e tij, natyrisht me akuzat për pjesëmarrje në protestën e javës së kaluar, ka nxitur reagimin e gazetarëve të tjerë.

Protesta të reja pritet të organizohen të dielën, përkundër paralajmërimeve të policisë në lidhje me tubimet e mëdha. Zyrtarët kanë thënë se rrugët e transportit publik do të jenë të mbyllura, me qëllim që t’i parandalojnë tubimet.

Pasaniku Rotenberg është figurë e rëndësishme në Rusi. Njihet si pronar i kompanive ndërtimore që kanë ndërtuar ura dhe tuba gazi. Është i njohur si mik i fëmijërisë me Putinin. Biznesmeni është i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2014. Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar si zyrtar i rrethit të ngushtë të pushtetit në Rusi. Ai i ka përkrahur të gjitha projektet e Putinit.

Ekipi i Navalnyt ka thënë se në këtë kompleks përfshihet një kishë, një serë prej 2,500 metrash katrorë, një amfiteatër, një sërë ndërtesash rezidenciale, si dhe një “tunel i posaçëm” që çon deri në bregdet. Ndërkaq, vetëm pallati është 17,691 metra katrorë dhe në të ka një teatër, një bar, një kazino dhe një pishinë.

Artikuj të ngjashëm