Refuzimi i presidentit amerikan për ta pranuar gabimin në Afganistan ka zemëruar mbështetësit dhe ndrojtur aleatët evropianë
Vetëm pak muaj pas nisjes së presidencës së tij, John F. Kennedy e urdhëroi pushtimin katastrofal në Kubë dhe menjëherë e mori përgjegjësinë e plotë për aventurën e pamatur – ani pse planet ishin përpiluar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes dhe CIA nën pararendësin e tij, Dwight D. Eisenhower. Për më tepër, shkruan të shtunën revista e njohur politike amerikane “Foreign Policy”, Kennedy nxori mësim nga gabimi i tij i madh. Historianët kanë thënë se ai kësisoj edhe e zhvilloi vetëdijen për këshillat ushtarake që do t’i shërbenin në të mirë gjatë krizës kubane me raketa.
“Presidenti Joe Biden mund ta ketë bërë gabimin e kundërt në Afganistan, duke u tërhequr tepër vrullshëm dhe duke e shmangur këshillën e gjeneralëve të tij dhe CIA-s. Porse për dallim prej Kennedyt, Bideni deri më tani kryesisht e ka shmangur përgjegjësinë për debaklin afgan”, ka analizuar revista, duke shtuar se kjo gjë ka rezultuar me ngritjen e pikëpyetjeve mes mbështetësve dhe aleatëve amerikanë nëse ai ka mësuar ndonjë gjë prej gjithë kësaj. Në pyetje tani është nëse qasja e tij në Afganistan do ta përshkojë presidencën e tij.
Ndryshe nga Kennedy, sikurse Trumpi
Njëjtë sikurse Kennedy, edhe Bideni i ka mbajtur në fuqi politikat e pararendësit në fillim të detyrës – në këtë rast, marrëveshjen paqësore të Donald Trumpit arritur me talebanët dhe planet për tërheqje nga Afganistani. Mirëpo, revista amerikane analizon se në vend që të pranojë gabimin, Bideni është vënë në defensivë karshi malit të kritikave në llogari të tij qëkur Afganistani ra në duart e talebanëve brenda vetëm 10 ditësh.
E mes kritikëve të tij është edhe ish-këshilltari i Trumpit për Siguri Kombëtare, John Bolton.
Edhe
Trump: Duket se unë do të jem ai që do të ndërhyjë në Kubë
“Është për t’u shtangur se si vendimmarrja e Bidenit për këtë gjë e ndjek aq përafërsisht modelin e Trumpit”, ka thënë Boltoni për New York Times.
Përveç tij, edhe disa diplomatë evropianë po thonë se Bideni është lëshuar në një plan tërheqjeje që nuk ishte i menduar si duhet apo diskutuar me aleatët më të mëdhenj të SHBA-së, si Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, vende këto që njashtu kanë shpenzuar majmë në para dhe jetë në Afganistan. E veçmas goditës për aleatët, shkruan gazeta, ka qenë deklarimi i tij se është konsultuar me ta lidhur me planet e tërheqjes kurse në fakt disa prej vendimeve kyçe janë marrë njëanshëm.
“Nuk ka pasur debat përmbajtjesor përbrenda vetë ekipit të tij, e aq më pak me partnerët e huaj. E gjitha ishte goxha e nxituar”, ka thënë një diplomat evropian, duke folur për “Foreign Policy” nën kushtin e anonimitetit. Ai ka shtuar se vetë natyra “Amerika në rend të parë” e fjalimit të tij të së hënës përnjëmend ka nxitur shumëkënd në Evropë që “të ulet dhe të mendojë, a është ky pak a shumë një vazhdim i presidentit të mëparshëm?”.
Dhe për më tepër, ai kishte thënë se nuk e kishte parashikuar rënien kaq të shpejt të Afganistanit në duart e talebanëve. Por në një intervistë për “ABC News”, ai e tha krejt të kundërtën e kësaj. U shpreh se e kishte paraparë atë që pasoi në Kabul dhe mohoi se kishte bërë ndonjë gabim në planifikim.
E përditshmja amerikane “Wall Street Journal” ndërkaq ka raportuar se këshilltarët e lartë të presidentit e kishin shtrënguar që t’i mbante rreth 2.500 ushtarë në vend, duke e vazhduar njëherësh presionin mbi talebanët për të negociuar në Kabul. “Foreign Policy” shkruan se edhe disa aleatë evropianë kishin insistuar për një politikë të ngjashme, duke e kuptuar se gatishmëria e qeverisë amerikane për të negociuar pa praninë e administratës së presidentit afgan, Ashraf Ghani, do ta cungonte legjitimitetin e tij. Ghani më vonë iku nga vendi në ekzil në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Autonomia strategjike” prej SHBA-së
Të gjitha veprimet e Bidenit lidhur me Afganistanit nxitën reagime të ashpra. Madje aq i zëshëm ishte reagimi negativ evropian saqë “Foreign Policy” shkruan se disa liderë kishin sugjeruar që thirrja e presidentit francez, Emmanuel Macron, për një “autonomi strategjike” nga Shtetet e Bashkuara të rishqyrtohet seriozisht.
“Afganistani është katastrofa më e madhe e politikave të Jashtme që nga Suezi. Duhet që të mendojmë sërish se si i menaxhojmë miqtë, të cilët kanë rëndësi dhe se si i mbrojmë interesat tona”, ka shkruar në Twitter, Tom Tugendhat, shefi konservator i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit britanik dhe një veteran i luftës në Afganistan.
E rivalët e SHBA-së, sikurse Kina, natyrshëm, kanë qenë përçmues në kritikat e tyre, shkruan FP.
Edhe
FBI-ja po hetonte zyrtarin e lartë amerikan që u dorëhoq për shkak të luftës ndaj Iranit
“Ndryshimi drastik në situatën në Afganistan është padyshim një goditje e rëndë për SHBA-në. E deklaron dështimin e plotë të synimit të SHBA-së për riformësimin e Afganistanit”, ka shkruar “Global Times”, gazetë kjo që konsiderohet si zëri zyrtar i Pekinit. “Kjo disfatë e SHBA-së është demonstrimi edhe më i qartë i impotencës amerikane se sa në Luftën e Vietnamit – SHBA-ja përnjëmend është si ‘një tigër prej letre’”.
“Foreign Policy” vrojton se çështja tani është nëse Bideni do të nxjerrë mësime nga gabimet e pretenduara që duket i pavullnetshëm t’i marrë.
Historiani nga Universiteti i Harvardit, Fredrik Logevall, autor i punimit fitues të Pullitzerit për luftën e Vietnamit “Embers of War”, ka thënë se “Bideni dhe fjalimshkruajtësit e tij do të duhej ta studionin përgjigjen e Kennedyt gjatë katastrofës kubane”.
“Ai e mori përgjegjësinë e plotë dhe shifrat e tija në sondazhe në fakt u ngritën”, ka theksuar historiani për FP-në.
Në rastin e Bidenit, shkruan revista politike, gabimi qëndron në faktin se presidenti ishte skeptik karshi këshillës së gjeneralëve të tij. Askush nga ekipi i tij, përfshirë në Pentagon, nuk po e mbronte rivendosjen masive të trupave amerikane. Por, kritikët thonë se Bideni do të mund të priste të paktën deri në përfundimin e “sezonit të luftimeve talebane” në vend që të nxitojë me kompletimin e tërheqjes në prag të 20-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit, krejt në të mirë të gjasave më të përshtatshme politike.
Madje ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe drejtori i CIA-s, Leon Panetta, një demokrat i shquar, e përshkroi drejtpërsëdrejti vendimin e Bidenit për Afganistanin me debaklin e Kennedyt me Kubën gjatë intervistës së dhënë për CNN-in në fillim të kësaj jave.
“Por presidenti Kennedy mori përgjegjësi për atë çfarë ndodhi, dhe unë i rekomandoj fuqimisht presidentit Biden që të marrë përgjegjësi dhe t’i pranojë gabimet që janë bërë”, ka thënë Panetta, transmeton “Foreign Policy”.
Ndër më të këqijat e krejt kësaj katrahura është se çështja ka ndrojtur theksueshëm aleatët evropianë të Amerikës.
“Shtetndërtimi nuk ishte synimi? E po, kjo është për diskutim”, ka thënë shefi i Bashkimit Evropian për Punëve të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. “Kemi bërë shumë në emër të ndërtimit të një shteti në Afganistan”.
Edhe
Trump: Kuba do të bjerë shumë shpejt
Kancelarja në largim e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila ka mbajtur një takim të përzemërt me Bidenin porse, sipas mediave gjermane, ishte zemëruar nga mënyra e menaxhimit të gjithë operacionit të tërheqjes, ka shkruar FP-ja në analizën e saj.
“Për ata që besonin në demokraci dhe liri, sidomos gratë, këto janë ngjarje të hidhura”, raportohet të ketë thënë ajo gjatë një takimi të së hënës me zyrtarët e partisë së saj.