Më shumë se dy javë që nga përplasja e tmerrshme e dy trenave që la 57 të vdekur, më shumë se 25 mijë grekë dolën sërish në rrugë të enjten për të shprehur zemërimin e tyre për tragjedinë, me një grevë të përgjithshme që paralizoi pjesën më të madhe të vendit, shkruan Prothotema.
Pas protestave të mëdha në Athinë më 8 mars, ku u mblodhën 40 mijë persona, policia vlerësoi se sot në qendër të qytetit po protestonin rreth 25 mijë persona.
Protestuesit e shfrynë zemërimin jashtë selisë së stacionit të trenave, siç bënë tre ditë pas një përplasjeje midis një treni pasagjerësh dhe mallrash në rajonin qendror të Greqisë, Tempi, më 28 shkurt.
Të mbledhur para selisë së kompanisë, protestuesit brohoritën “vrasës”, “vrasës”. Në Selanik, një qytet universitar në veri të vendit, nga ku janë shumica e viktimave, 8500 persona dolën në rrugë të enjten.
“Do të qëndrojmë në rrugë derisa të dënohen përgjegjësit e aksidentit”, ka thënë studentja e filozofisë Zoe Konstantinidou.
Protestuesit iu përgjigjën thirrjes për një grevë 24-orëshe të sindikatave të sektorit publik, të cilës për herë të parë iu përgjigjën edhe sindikatat më të mëdha të sektorit privat. Protestuesit akuzojnë qeverinë konservatore dhe sistemin politik të vendit për injorimin e thirrjeve të përsëritura nga sindikatat mbi sistemet e meta të sigurisë hekurudhore.
Për shkak të grevës 24-orëshe, fluturimet dalëse dhe hyrëse u pezulluan. Anijet dhe tragetet mbetën të ankoruar në porte. Shërbime të shumta publike dhe shkolla shtetërore janë mbyllur dhe ka pasur ndërprerje në transportin publik.
Kryeministri Kiriakos Mitsotakis, mandati i të cilit përfundon në korrik, kërkoi falje për aksidentin dhe premtoi të punësojë më shumë staf dhe të rregullojë sektorin hekurudhor me mbështetjen e Bashkimit Evropian.