Botë

McDonald's-i shkarkon shefin pasi pati marrëdhënie me një punonjëse

Foto: Reuters

Rrjeti i ushqimeve të shpejta McDonald's ka shkarkuar shefin ekzekutiv Steve Easterbrook pasi ai pati një marrëdhënie me një punëtore.

Gjiganti amerikan i ushqimeve tha se marrëdhënia ishte konsensuale, por Easterbrooku ka “shkelur politikat e kompanisë” dhe ka treguar “gjykim të dobët”, raporton BBC.

Në një email dërguar stafit, biznesmeni britanik pranoi marrëdhënien dhe tha se ishte gabim.

“Bazuar në vlerat e kompanisë, pajtohem me bordin se është koha që unë të eci tutje”, tha ai, transmeton Koha.net.

Easterbrook, 52 vjeç, i shkurorëzuar, së pari ka punuar për McDonald's-in më 1993 si menaxher në Londër para se të merrte kreun e kompanisë.

Më 2015 ai u emërua shef ekzekutiv i McDonald's-it.

Ai do të zëvendësohet nga Chris Kempczinski, presidenti më i ri i McDonald's-it në SHBA.