Mbreti Salman i Arabisë Saudite emëroi djalin e tij 31-vjeçar, Mohammed bin Salman, si Princ të kurorës, duke e vendosur në vendin e parë të radhës për të trashëguar fronin.
Ai që spostohet është Mohammed bin Nayef, nipi 57-vjeçar i Mbretit, i cili njihet si figura kryesore e antiterrorizmit në vend.
Përmes një serie dekretesh mbretërore, duke anashkaluar traditën, monarku i hoqi nipit të tij titullin e princit dhe postin e ministrit të Brendshëm.
Froni pritej gjerësisht të merrej nga Muhammed bin Nayef, por Mbreti vendosi ndryshe dhe ia kaloi mundësinë djalit të tij. Ky i fundit, tashmë i emëruar Princ i kurorës, është gjithashtu ministër i Mbrojtjes dhe kreu i Këshillit Ekonomik.
Analistët sugjeronin prej kohësh se djali i Mbretit do të kapërcente kushëririn e tij në radhë, duke gjykuar mbi ngjitjen e tij të shpejtë në pushtet. Për princin e ri nuk dihej thuajse asgjë, përpara sesa vetë Salmani të bëhej Mbret në vitin 2015.
Por më pas, gjërat ndryshuan menjëherë, teksa ai mori detyra nga më të rëndësishmet, megjithëse kishte anëtarë të tjerë të familjes me më shumë përvojë sesa ai.
Në komunikatën për shtyp shkruhet se, shumica e Këshillit mbretëror miratoi ndryshimin e radhës së fronit, e se anëtarët e tij iu betuan për besnikëri Princit të ri.