Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mbërrin në 53 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Britani të Madhe

Foto: Reuters

Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Mbretëri të Bashkuar ka mbërritur në 53, i ka thënë të hënën parlamentit britanik, Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Kjo nënkupton që brenda 24 orëve, edhe tetëmbëdhjetë persona kanë vdekur nga komplikimet e shkaktuara prej koronavirusit në këtë shtet.

Hancock gjatë fjalimit e ka quajtur pandeminë e koronavirusit “emergjencën me serioze të shëndetit publik, me të cilën është përballur shteti ynë brenda një brezi”, raporton Reuters, transmeton Koha.

“Qëllimi ynë është mbrojtja e jetëve. Veprimet tona kanë bërë që përhapja e virusit të ngadalësohet në Mbretëri të Bashkuar”, ka thënë ai.

“Megjithatë, sëmundja tani po përhapet me shpejtësi dhe fatkeqësisht 53 veta kanë vdekur”, ka thënë ai.

Më herët zyrtarët shëndetësorë në Britani kanë bërë të ditur se deri mëngjesin e së hënës, numri i të infektuarve me koronavirus në këtë shtet ka mbërritur në 1.543.