Botë

Maratona evropiane e vaksinimit përplaset në telashe të paparashikuara

Fushata e Bashkimit Evropian për t’i vaksinuar evropianët kundër COVID-19 ka shënuar një fillim të pabarabartë në atë që do të jetë përpjekje maratonike për administrimin e dozave të mjaftueshme për të gjithë 450 milionë banorët e bllokut, në qëllimin e mposhtjes së pandemisë virale.

Në telashin e parë të procesit tetë punëtorë të një shtëpie të përkujdesjes në Stralsund të bregut verior gjerman janë injektuar me dozë pesëfish më të lartë se të asaj të rekomanduar me vaksinën e zhvilluar nga “Pfizer” dhe “BioNTech”. Katër prej tyre janë hospitalizuar.

“Ndiej keqardhje të thellë për incidentin. Ky rast individual është rezultat i gabimeve individuale. Shpresoj se gjithë të prekurit të mos përjetojnë efekte më të rënda anësore”, ka thënë shefi i distriktit, Stefan Kerth.

Në Gjermaninë jugore zyrtarët duhet t’i kthenin 1.000 doza, pasi që zbuluan se ishin transportuar nëpër kufi të ftohjes që rëndom përdoren për piknik apo kampingje, dhe të cilat nuk arritën që t’i mbajnë vaksinat në temperatura mjaftueshëm të ulëta.

Vaksinimi në BE ka filluar gjatë fundjavës, me ç’rast punëtorët shëndetësorë dhe banorët e qendrave të përkujdesjes përreth bllokut ishin ndër të parët që i morën vaksinat e “Pfizerit”, të cilat duhet që të ruhen në temperatura ultra të ulëta.

Komplikimet

Ndërkohë në Itali disa politikanë janë ankuar se Gjermania – anëtarja më e madhe e BE-së dhe seli e “BioNTech”-ut mund të jetë duke i siguruar një hise të pabarabartë të vaksinave.

Image

Bashkimi Evropian pritet që t’i pranojë 12.5 milionë dozat e saja të vaksinës së “Pfizerit” deri në ditën e Vitit të Ri, me ç’rast distribuomi i 200 milionë dozave përreth 27 vendeve të saja anëtare do të përfundojë deri në shtatorin e ardhshëm. Për efektin e synuar, vaksinimi duhet të bëhet me dy doza.

Një zëdhënës i “Pfizerit” ka refuzuar që të komentojë rreth afateve specifike apo nëse korniza kohore e aluduar nga Komisioni Evropian përkon me shtyrje.

“Përcaktimet tona kohore janë aspiruese dhe mund të ndryshojnë bazuar në kapacitete dhe në kornizat kohore të prodhimit”, ka thënë ai.

Janë duke u zhvilluar aktualisht bisedime lidhur me dakordimin e dërgesës së 100 milionë dozave opsionale shtesë, nën kontratat që janë duke u diskutuar me dy kompanitë, ka njoftuar BE-ja.

Dilema e akullt

Anomalitë fillestare e shpërfaqin sfidën reale të vaksinimit, derisa rregullatorët janë duke e shqyrtuar aprovimin edhe të vaksinave të tjera, përfshirë ato të “Modernas” dhe “AstraZenecas”, të cilat transportohen dhe ruhen më lehtë.

Procesi i dërgimit të dozave të “Pfizerit” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë i ngadaltë, duke e vënë në dyshim cakun e Qeverisë për jetësimin e 20 milionë vaksinimeve vetëm gjatë kësaj jave.

Përpos se është vaksina e parë kundër COVID-19 që është shpërndarë përreth BE-së, dozat e “Pfizerit” janë goxha të komplikuara për t’u menaxhuar. Për ruajtjen afatgjate, ato duhet të mbahen në temperatura të akullta prej rreth minus 70 gradës celsius. Ato mund të shkrihen për disa ditë para se të përdoren, por edhe atëherë duhet që të mbahen në të ftohtë – në temperatura midis 2 deri 8 gradë celsius.

Në Gjermaninë jugore zyrtarët kanë thënë se nuk do t’i përdorin dozat e njëjta, pasi që gjurmuesit e temperaturës në kutitë e ftohjes kanë treguar se ato mund të mos jenë mbajtur në ftohtësinë e mjaftueshme.

“Ekzistojnë dyshime nëse ftohtësia e duhur është siguruar tërë kohës”, ka thënë Christian Meissner, administrator i qytetit bavarez Lichtenfels. “’BioNTech’ ka bërë të ditur se vaksinat mbase ishin ok, por ‘mbase ok’ nuk mjafton”, ka shtuar ai.

Lëshimi ka ndodhur pasi që dozat u ishin dorëzuar autoriteteve lokale. “BioNTech” ka refuzuar që të komentojë.

Në Spanjë dërgesa e një pakoje të re nga “Pfizeri ishte mbajtur për një ditë gjatë së martës, si pasojë e telasheve me temperaturën që tani janë zgjidhur, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa.

Megjithëkëtë, Maria Asuncion Ojeda, një rezidente në qendrën e infermierisë në Madrid “Ballesol Parque Almansa”, ishte e kënaqur se ishte njëra prej marrëseve të hershme të vaksinës.

“Doja që ta bëja, për shkak se kjo është mënyra e vetme se si mund ta zgjidhim këtë problem”, ka thënë 87-vjeçarja të hënën, një ditë pasi që Spanja ka filluar vaksinimin e banorëve dhe stafit të qendrave të përkujdesjes.

Hiset e (pa)barabarta

BE-ja është duke i distribuuar vaksinat në mënyrë proporcionale mes 27 vendeve anëtare. Në këtë mes merren parasysh popullatat e akëcilit shtet, teksa disa vende evropiane kanë bërë edhe ujdi të ndara për të blerë ekstra doza, veçmas.

Në Itali disa politikanë kanë thënë se Gjermania duket se po siguron shumë më tepër sesa hisja e saj e drejtë, të paktën në fazën simbolike të parë.

“Llogaritjet nuk po dalin tamam”, ka thënë virologu italian, Roberto Burioni, në një postim të Twitterit, duke aluduar në raportimet nga Gjermania se dërgesat e ditës së parë ngërthenin në total më shumë se 150.000 doza derisa vendet e tjera të BE-së morën vetëm 10.000 sosh.

Një zyrtar, i informuar mirë lidhur me distribuimin e vaksinave në Gjermani, ka thënë se secili prej 16 shteteve federale gjermane ka pranuar 10.000 doza të vaksinës së “Pfizerit”, në prag të fillimit të fundjavës së kaluar.

Një gazetar italian ka pyetur lidhur me furnizimet gjatë një konference për medie të Qeverisë gjermane. Një zyrtar i Ministrisë gjermane të Shëndetësisë është përgjigjur se Berlini ka nënshkruar një marrëveshje të veçantë për 30 milionë doza shtesë të vaksinës së “Pfizerit”. \ Reuters