Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Maqedonia e Veriut vazhdon edhe për një muaj gjendjen e jashtëzakonshme

Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi edhe në 30 ditët e ardhshme. Ky vendim i presidentit, Stevo Pendarovski vjen mbi rekomandimet e dala nga Këshilli i Sigurisë dhe raportet e Shtabit të Krizës dhe Qeverisë.

“Këshilli i Sigurisë diskutoi për vendimin për gjendje të jashtëzakonshme. Për 30 ditë jam informuar në bazë ditore për masat e mara. Dje mora edhe propozimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditët e ardhshme. Në bazë të vlerësimeve të bëra vërehet qartë se është e nevojshme të vazhdohet gjendja jashtëzakonshme. Ky vendim do të vlejë për 30 ditët e ardhshme”, ka thënë presidenti Pendarovski.

Lidhur me situatën në Kumanovë, Pendarovski thotë se mendimi i tij personal është që të ndiqet modeli i Dibrës, përkatësisht vendosja e qytetit në karantinë.

“Situatat në Kumanovë është e keqe pavarësisht me zhvillimet e sotme. Për dallim nga qytetet tjera, në Kumanovë ka të infektuar edhe punonjës shëndetësorë”, ka shtuar ai, raporton Alsat-M.

Pendarovski foli edhe për masat kufizuese të Qeverisë ndaj qytetarëve dhe masat ekonomike të cilat duhet të rishqyrtohen pas festave të Pashkëve. Pas takimit të Këshillit të Sigurisë ai kërkoi edhe kthimin e Kuvendit me qëllim ballafaqimin efikas me krizën shëndetësore. Sipas tij, me qëllim anashkalimin e dilemave juridike dhe duke u thirr në dispozitat Kushtetuese në vend që me kërkesë të Qeverisë ose Presidentit, është e rrugës që thirrjen e Kuvendit ta bëjnë 20 deputet.