Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Macron: Evropa të fuqizojë kontrollet kufitare pas sulmeve

Evropa duhet të rimendojë politikën e zonës së Schengenit me kufij të hapur, përfshirë mbrojtjen më të fuqishme të kufijve të jashtëm, ka deklaruar të enjten presidenti francez, Emmanuel Macron, pas një morie sulmesh të islamikëve në Francë dhe Austri.

Kontrollet më të ashpra janë të domosdoshme për të frenuar imigracionin klandestin, ka thënë Macron, duke shtuar se bandat kriminale që ilegalisht trafikonin emigrantë në Evropë shpesh janë të lidhura me rrjete terroriste.

“Jam në favor të një rishikimi të Schengenit për të rimenduar organizimin e tij dhe për të fuqizuar sigurinë e përbashkët kufitare me një forcë të duhur kufitare”, ka thënë Macron gjatë një vizite në kufirin franko-spanjoll.

Presidenti ka thënë se do t’iu paraqesë propozime partnerëve të Bashkimit Evropian në një samit të Bashkimit Evropian në dhjetor.

Evropa po rimerr veten pas tronditjes së shkaktuar nga sulmi i javës së kaluar, ku ishin përfshirë sulmuesit që kishin lëvizur lirshëm ndërmjet shteteve anëtare të Schengenit.

Më 29 nëntor, një burrë tunizian vrau tre persona në një kishë në Nice. Brahim Aouissaoui kishte arritur në ishullin italian Lampedusa, që shtrihet në afërsi të Afrikës Veriore, para pesë javësh. Pasi ishte transferuar në ishullin më të madh, Brahimi udhëtoi në Francë me tren disa orë para se ta kryente sulmin.

Xhihadisti, i cili vrau katër persona në Vjenë natën e së hënës, kishte udhëtuar në Sllovakinë fqinje në korrik në përpjekje për të blerë municion, kanë treguar autoritetet austriake.

Macroni ka thënë se sulmet e fundit janë paralajmërim për Evropën se “rreziku terrorist është kudo”.

Propozimet që Macroni mund t’ua paraqesë shteteve anëtare të BE-së janë themel për parimet që ua kishte dorëzuar si letër e hapur qytetarëve në prag të zgjedhjeve evropiane vjet, ka bërë të ditur një ministër.

Në atë letër, Macroni shkruante se Evropës i duhet një forcë e përbashkët kufitare dhe një zyrë e vetme azili, obligime të qarta kontrolli kufitar dhe për secilin shtet të ofrojë të dhëna inteligjente nën autoritetin e sigurisë së brendshme të Këshillit Evropian.

Presidenti ka thënë të premten se do të dyfishojë numrin e policëve francezë në pikat kufitare. Rreth 628 mijë joqytetarë të BE-së vlerësohet se qëndrojnë ilegalisht në bllokun evropian më 2019, 10 për qind më shumë se një vit më parë, tregojnë të dhënat e Eurostat-it. Më shumë se 717 mijë qytetarëve joshtetas të BE-së iu refuzua hyrja, shifra më e lartë prej se mbahen të dhëna.

Kryepolici kufitar francez i ka deklaruar Macronit se ka pasur ngritje të përpjekjeve për kalime në kufirin ndërmjet Spanjës dhe Francës prej rihapjes në korrik, pas zbutjes së masave të lidhura me pandeminë e koronavirusit.

“Duhet të fuqizojmë luftën tonë kundër migracionit ilegal dhe trafikantëve, të cilët shpesh kanë lidhje me terrorizmin”, ka deklaruar presidenti. Zona Schengen përbëhet prej 27 nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe prej Islandës, Zvicrës, Norvegjisë dhe Lihtenshtainit. Britania dhe Irlanda nuk janë pjesë të saj.

Artikuj të ngjashëm