Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lukashenko i jep vetes imunitet të përjetshëm nga ndjekja penale

Presidenti i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko ka nënshkruar një ligj të ri, me të cilin i jep vetes imunitet të përjetshëm nga ndjekja penale dhe parandalon liderët e opozitës që jetojnë jashtë vendit të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ligji teorikisht zbatohet për çdo ish-president dhe anëtar të familjes së tij ose të saj, shkruan Euronews.

Masa e re duket se synon të forcojë më tej pushtetin e Lukashenkos dhe të eliminojë sfiduesit e mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vendit, të cilat do të zhvillohen në vitin 2025.

Ligji shtrëngon edhe kërkesat për kandidatët presidencialë dhe e bën të pamundur zgjedhjen e liderëve të opozitës që ikën në vendet fqinje vitet e fundit. Vetëm qytetarët e Bjellorusisë që kanë banuar në vend për të paktën 20 vjet dhe nuk kanë pasur kurrë një leje qëndrimi në një vend tjetër do të kenë të drejtë të kandidojnë.

Bjellorusia u përball me protesta masive në gusht 2020 gjatë rizgjedhjes gjerësisht të diskutueshme të Lukashenkos për një mandat të gjashtë, të cilin opozita dhe Perëndimi e dënuan si mashtruese.

Gjatë demonstratave që pasuan, autoritetet bjelloruse arrestuan më shumë se 35 mijë persona, shumë prej të cilëve u rrahën në protesta ose u torturuan në paraburgim. Një numër i madh u largua nga vendi nga frika e hakmarrjes.

Edhe Lukashenko njofton për arritjen e një marrëveshjeje me SHBA-në Botë 4 muaj më parë Lukashenko njofton për arritjen e një marrëveshjeje me SHBA-në

Lukashenko është akuzuar gjithashtu për përfshirje në transferimin e paligjshëm të fëmijëve nga qytetet e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, në Bjellorusi.

Sipas tekstit të ligjit të ri nëse ai largohet nga pushteti, "nuk mund të mbahet përgjegjës për veprimet e kryera në lidhje me ushtrimin e pushtetit të tij presidencial".

Ligji thotë gjithashtu se presidentit dhe anëtarëve të familjes së tij do t'u sigurohet mbrojtje shtetërore gjatë gjithë jetës, kujdes mjekësor, sigurim i jetës dhe shëndetit. Pas dorëheqjes, presidenti do të bëhej gjithashtu një anëtar i përhershëm i dhomës së lartë të parlamentit.