Me mijëra afganë janë zhvendosur dhe shumë të tjerë janë detyruar që të ikin në vende të sigurta, pasi talebanët kanë rrethuar qytetin e Kandaharit
Javën që shkoi, Kawsar Sama dhe familja e saj mblodhën plaçkat dhe u nisën fluturim drejt kryeqytetit afgan, Kabul. Për 21-vjeçaren dhe familjen e saj, jeta në qytetin jugor Kandahar është bërë e rrezikshme pasi talebanët kanë zaptuar pjesë pas pjese qytetin e dytë më të madh të Afganistanit javëve të fundit.
“Është tepër me rrezik që njerëzit t’i dërgojnë fëmijët në shkollë. Në dyqane shkohet vetëm nëse patjetër duhet dhe edhe ato janë kryesisht të mbyllura. Jeta është ndalur”, thotë Sama, duke folur për rrjetin televiziv “Al-Jazeera”.
Ndonëse thotë se talebanët ende nuk kanë hyrë në vetë qendrën e qytetit, luftimet aty janë afruar.
Banorët me të cilët ka folur “Al-Jazeera” kanë rrëfyer për ndjenjën e ngujimit dhe frikën konstante se talebanët mund të arrijnë dita-ditës. Për talebanët, marrja nën kontroll të plotë e qytetit prej qindra-mijëra banorësh një muaj pas tërheqjes përfundimtare të forcave amerikane do të ishte triumf i madh. Ama për qytetarët e Kandaharit një makth i vërtetë.
“Kaos”
Navid Amini (23), që krejt jetën e ka kaluar në Kandahar, thotë se kurrë nuk ka parë diçka të ngjashme me ato që kanë ndodhur në krahinë javëve të fundit.
“Ka luftë gjithandej qytetit”, ka thënë Amini, duke folur për “Al-Jazeeran” nëpërmjet telefonit.
Javën e shkuar, organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch” ka publikuar një raport në të cilin ka akuzuar talebanët për grumbullimin dhe ekzekutimin e personave për të cilët besojnë se kanë punuar për Qeverinë, por edhe të pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë Kombëtare. Nga vrasjet nuk janë kursyer as civilët dhe gazetarët.
Në fillim të muajit, Danish Siddiqui, fotoreporteri i shpërblyer i agjencisë Reuters, është vrarë në shkëmbim zjarri derisa ishte në mesin e Forcave të Sigurisë Kombëtare në Spin Boldak. Qeveria ka akuzuar talebanët për vrasjen e 16 korrikut. Porse të martën ka pasur raportime se Qeveria afgane ka arrestuar katër gazetarë rreth përpjekjes për të hyrë në qarkun Spin Boldak, në kufi me Pakistanin. Ministria e Brendshme ka akuzuar gazetarët e radiove dhe televizioneve lokale për përhapjen e “propagandës” në emër “të armikut”.
“Amnesty International” ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
“Vend i errët”
Duke folur për “Al-Jazeeran”, rioshja Sama thotë se për t’i dëgjuar mizoritë e talebanëve nuk duhet shkuar fort larg.
“Edhe në periferi të qytetit, ata hyjnë në shtëpitë e njerëzve, marrin çfarë të duan dhe dëbojnë familje të tëra prej shtëpive”.
21-vjeçarja tjetër, Zainab, thotë se shtëpia e saj është bastisur ditë më parë nga talebanët.
“Ishim vetëm gratë në shtëpi kur erdhën. Na thanë: ‘Mos u brengosni, nuk do t’ju bëjmë gjë. Vetëm na thoni se ku është çatia”, tregon ajo për rrjetin televiziv. Nga çatia, Zainab thotë se talebanët nisën të shtinin drejt godinave në pronësi të policisë. Kësisoj, shtëpia e saj u bë cak i granatimeve.
Një raport i kohëmëparshëm i OKB-së ka evidentuar trefishim të numrit të civilëve të vrarë në Afganistan.
Nasir Ahmad, një 24-vjeçar nga Kandahari, ka thënë për “Al-Jazeeran” se vëllai i tij, kunata dhe nëna janë qëlluar nga luftëtarët talebanë.
“Ishin në motoçikletë me vëllain tim kur u qëlluan në një shkëmbim zjarri”, thotë ai.
Amini 23-vjeçar thotë se situata aktuale ia ka ndryshuar mënyrën se si e sheh qytetin që për gjithë jetën e ka quajtur shtëpi.
“I shoh fëmijët tek bërtasin, gratë e moshuara tek vajtojnë. Janë këto krejt ato që një djalosh i ri nuk duhet t’i shohë. Është ky një vend i errët për të gjithë. Nuk është vend ku do të dëshironit të jetoni”.