Kur ndezëm radion dhe dëgjuam spikerin nga radio “Al Jazeera” të raportonte se Izraeli kishte ndërprerë shërbimet e komunikimit dhe qasjen në internet në të gjithë Rripin e Gazës, ne u tronditëm. Filluam të mendojmë për motivet e Izraelit meqë na izoluan nga pjesa tjetër e botës. Mes nesh kishte nga ata që besonin se synonin të na izolonin për të kryer krime të mëtejshme larg kontrollit të komunitetit ndërkombëtar. Disa madje pyesnin veten nëse mund të ishte nata jonë e fundit
Ishte rreth orës gjashtë të mbrëmjes së të premtes së kaluar kur e gjithë Gaza humbi kontaktet me botën e jashtme dhe me njëri-tjetrin brenda enklavës së rrethuar.
Familja ime, së bashku me familjen e xhaxhait tim, ishim mbledhur në shtëpinë e tij në kampin Maghazi. Ne ikëm nga shtëpia jonë dhe u zhvendosëm në jug të Gazës sipas urdhrave të Izraelit. Izraeli, natyrisht, pretendon se urdhrat e tij që ne të largohemi janë për sigurinë tonë, por si një e mbijetuar e agresionit të tij barbar ndaj Gazës, mund t’ju them se pretendimi i sigurisë relative në Gazën jugore është një mit.
Arsyeja pse mblidhemi në një dhomë është e thjeshtë: nëse na bombardojnë dhe, Zoti na ruajt, humbasim jetën, e bëjmë këtë së bashku. Askush nga ne nuk dëshiron që tjetri ta durojë i vetëm dhimbjen e pikëllimin.
Siç është rutina ime, atë mbrëmje mora në dorë laptopin për t’u siguruar që bateria e tij të ishte e mbushur në masën më të plotë të mundshme, duke më mundësuar të vazhdoj punën time si gazetare. Vetëm pak çaste më parë, isha duke biseduar me një gazetar kanadez, rreth rrethanave të rënda në Rripin e Gazës. Ndërkohë, babai im ishte në telefon me vëllain tim Adhamin, i cili banon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u përpjekur ta qetësonte.
Në të njëjtën dhomë, kushërira ime Reem lexonte me zell lajmet në Telegram, duke na ofruar përditësime për vendet që janë sulmuar në dhe rreth Rripit të Gazës, kështu që ne të kontaktojmë me të dashurit tanë që banojnë në ato zona.
Edhe
“Vuajtje e heshtur”: Pse fëmijët në Gazë po e humbasin aftësinë për të folur

Në një cep tjetër, vëllai im më i vogël, i cili është vetëm 13 vjeç, po luante me djalin e kushëririt tim, Hammoudin, i cili muajin tjetër do të mbushë dy vjet.
Pastaj, befas, lidhja ime e internetit u shkëput dhe pyeta me një zë të dridhur: “A ka ndonjë problem me internetin?” Në të njëjtin moment, babai im tha: “Kam humbur kontaktet me Adhamin”, dhe xhaxhai im shtoi: “Unë nuk kam asnjë sinjal telefoni!”
Na mbeti vetëm radio si mjet komunikimi. Kur ndezëm radion dhe dëgjuam spikerin nga radio Al Jazeera të raportonte se Izraeli kishte ndërprerë shërbimet e komunikimit dhe qasjen në internet në të gjithë Rripin e Gazës, ne u tronditëm. Filluam të mendojmë për motivet e Izraelit meqë na izoluan nga pjesa tjetër e botës.
Mes nesh kishte nga ata që besonin se synonin të na izolonin për të kryer krime të mëtejshme larg kontrollit të komunitetit ndërkombëtar. Disa madje pyesnin veten nëse mund të ishte nata jonë e fundit.
Lamtumira në heshtje
Kemi shkëmbyer shikime me njëri-tjetrin, duke thënë lamtumirë në heshtje.
Mendimet e mia u konsumuan nga shqetësimi për miqtë e mi jashtë Gazës, duke imagjinuar ankthin që ndiejnë pa pasur asnjë përditësim mbi sigurinë time. Shqetësimi im shtrihej te të afërmit që kishin zgjedhur të qëndronin në rajonet më të pasigurta të Gazës, duke refuzuar të zhvendoseshin në jug. Pesha e përgjegjësive të mia si gazetare më rëndoi shumë në mendje, duke ditur se isha e pafuqishme për t’i përcjellë të vërtetën pjesës tjetër të botës, për shkak të ndërprerjes dhe shkëputjes së lidhjes me internetin. Ndjenja e pafuqisë dhe frikës më përfshiu.
Ne iu drejtuam Kuranit, duke kërkuar ngushëllim për shpirtrat tanë dhe recituam lutje, duke iu lutur Zotit të na mbrojë ne, shtëpitë tona dhe të dashurit tanë.
Të flesh gjatë asaj nate ishte e pamundur pasi bombardimet e artilerisë vazhduan, pa asnjë moment pushimi. Fragmente nga shpërthimet arritën edhe në kopshtin e shtëpisë sonë. Zhurma e raketave nuk ishte e tmerrshme, por ajo që ishte më rrëqethëse ishte mungesa e plotë e njohurive tona se kush ishin caqet dhe kush kishte rënë viktimë e kësaj dhune të pakuptimtë.
Që në ditën e parë të agresionit izraelit në Rripin e Gazës, ne u varëm nga një dritë LED. Me kalimin e kohës, errësira u bë më shtypëse dhe drita jonë u zbeh derisa ne përpiqeshim të rimbushnim baterinë që furnizonte LED-in tonë.
Provoni dhe kuptojeni këtë: errësirë e plotë, bombardime të pandërprera artilerie dhe tokësore, izolim nga të afërmit dhe miqtë tanë dhe shkëputje nga e gjithë bota.
Ajo natë ishte më e gjata në jetën time, e shënuar nga izolimi ynë i papritur nga bota. Ajo pasoi bombardimet e forta në zonën Maghazi, një zonë larg atyre që Izraeli na ka paralajmëruar ta lirojmë.
Një ditë para kësaj tragjedie, përpara se të ndërpriteshin komunikimet dhe qasja në internet, ushtria izraelite bombardoi shtëpinë e të afërmve të mi në kampin e refugjatëve Maghazi, duke rezultuar në humbjen e nëntë jetëve, përfshirë shtatë fëmijë.
Edhe
Gara për të shpëtuar thesaret historike të Gazës nga bombat izraelite
Ata që iknin nga frika nëpër rrugë ishin të afërmit e mi. Mes tyre ishte një nënë e moshuar, e cila kishte humbur djalin, nusen dhe nipërit e saj. Ajo është një grua e sjellshme të cilën e dua. E shihja duke qeshur dhe dëgjoja historitë e saj që nga fëmijëria.
Vëllai im Karami, i cili sapo ishte regjistruar në një program doktorate në kontabilitet në Gaza, pak ditë para agresionit izraelit, ishte ai që transportonte të plagosurit me makinën e tij private. Sot të dy universitetet janë shndërruar në rrënoja.
Strategjia izraelite e urisë
Natën e së enjtes, më 26 tetor, pushtimi izraelit shënjestëroi furrën e vetme në kampin Maghazi, duke shtuar numrin e më shumë se 11 furrave të bukës të bombarduara në të gjithë Rripin e Gazës gjatë këtij agresioni. Është e qartë se strategjia e Izraelit në këtë luftë është ajo e shfarosjes dhe urisë.
Gjatë këtij sulmi të veçantë, kam kapur me nxitim çantën time, e cila mbante vetëm pasaportën dhe kartën time të identitetit. Këtë herë, isha e pasigurt se ku mund të kërkoja strehim.

Tragjikisht, bombardimi i furrës rezultoi në humbjen e rreth 10 civilëve të pafajshëm.
Ky është vetëm një vështrim i vogël në iluzionin e “sigurisë” që Izraeli pretendon të ofrojë në Rripin jugor të Gazës.
Kur Gaza më në fund rifitoi lidhjen me internetin, nuk e përjetova gëzimin që përjetuan shumë. Në vend të kësaj, më pushtoi një ndjenjë frike. Menjëherë mora celularin për të kontrolluar nëse miqtë dhe të afërmit e mi ishin mirë, nga frika se mos ishin lënduar ose më keq. Kisha arsye të frikësohesha: më 22 tetor, në një sulm të tmerrshëm ajror izraelit që synonte shtëpinë e tij, kolegu im, përkthyesi aspirues, Mahmoud, kishte humbur jetën tragjikisht. E gjithë familja e tij u vra pa mëshirë – babai, vëllai, motrat dhe fëmijët e tyre.
Unë iu drejtova llogarisë time “X”, dikur “Twitter”, për të kuptuar ngjarjet në Gaza gjatë dy ditëve që u shkëputa nga bota, duke lexuar postime nga miqtë që përshkruanin tmerret që ata duruan gjatë bombardimeve të pamëshirshme.
Isha e dëshpëruar të mësoja për zhvillimet politike dhe shkallën e shkatërrimit në Gaza, duke shpresuar të dëgjoja ndonjë lajm për një armëpushim dhe një fund të masakrave të pamëshirshme kundër palestinezëve në Rripin e Gazës, derisa Izraeli vazhdonte agresionin e tij pa u mbajtur përgjegjës. Ishte dëshpëruese të dëgjoje se brutaliteti i bombardimeve vazhdoi dhe nuk kishte asnjë tregues për një zgjidhje në horizont.
Bota mund të mos e kuptojë kurrë realitetin tronditës të radhës, gati katër orë të mundimshme, vetëm për të marrë një bukë me vlerë 2 dollarë. Përballë një fatkeqësie të tillë, je i detyruar të përdorësh metoda primitive, si përdorimi i drurit për të ndezur një zjarr, vetëm për të siguruar bukë për më shumë se 50 individë të grumbulluar së bashku në një ndërtesë modeste dykatëshe.
Lufta e dëshpëruar për të siguruar qoftë edhe një sasi minimale uji të pijshëm, vetëm për hir të mbijetesës, është një vështirësi që pakkush mund ta kuptojë.
Edhe
Thirrja e mediave botërore: Izraeli të lejojë qasje të pavarur e të pakufizuar për gazetarët e huaj në Gaza
Dhe agonia e izolimit nga pjesa tjetër e botës, në mes të sulmit të pamëshirshëm të bombardimeve të artilerisë detare dhe ajrore izraelite, është një përvojë përtej imagjinatës.
Përktheu: Forca Jashari