Botë

Lufta e nervave

Gjermania ka pak hapësirë manovruese në Ukrainë: Shtetet e Bashkuara dëshirojnë sanksione të ashpra nëse Rusia e pushton Ukrainën. Por Qeveria gjermane po stepet nga frika e pasojave ekonomike dhe e efektit të masave ndëshkuese në rrjetin e furnizimit me energji, për një vend që shumicën e gazit e importon nga Rusia, vlerëson revista gjermane në analizën e saj qëndrimin e diplomacisë gjermane ndaj krizës

Në njëfarë mase, vizita ishte konspirative. Asnjë foto, asnjë njoftim për shtyp – dhe takimi i parë kaloi pa bujë të madhe. William Burns, kreu i CIA-s, së pari mori pjesë në një takim javën e kaluar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe shefin e tij të kabinetit, Wolfgang Schmidt, me urdhër të kancelarit. Më vonë atyre iu bashkua Bruno Kahl, kreu i shërbimit të Inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, BND, dhe anëtarë të stafit nga kancelaria e Scholzit. Kreu i Agjencisë së Inteligjencës së jashtme të Amerikës u tha atyre troç se nëse Rusia sulmon Ukrainën, presioni ndaj Berlinit për të marrë një qëndrim të qartë kundër Moskës do të rritet, vlerëson revista gjermane në analizën e qëndrimit të politikës zyrtare gjermane kundrejt krizës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

“Pavarësisht tonit miqësor mes pjesëmarrësve, nuk ishte aspak takim i lehtë. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur qëndrime krejt të ndryshme për çështjen e Rusisë gjatë disa javëve të fundit. Burns solli me vete një grumbull inteligjence mbi lëvizjet e trupave dhe njësitë e sabotimit për ta bindur Berlinin për pikëpamjen e SHBA-së për kërcënimin rus”, vlerëson revista.

Shantazhet e Putinit karshi Perëndimit të ndarë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjithashtu donte të fliste me gjermanët - dhe i ofroi Scholzit takim personal në Uashington me një njoftim të shkurtër. Do të kishte qenë vizita inauguruese e Scholzit në SHBA dhe, më e rëndësishmja, mundësi për të dy liderët për të koordinuar nga afër hapat e përbashkët në kërcënimin akut të luftës, zbulon “Der Spiegel”.

“Por Scholz thuhet se nuk pranoi, duke thënë se ditët e ardhshme tashmë janë planifikuar me udhëtime dhe takime të rëndësishme. Të dy tani janë në kërkim të një takimi të ri. Është e mundur që takimi të mos zhvillohet deri në fillim ose në mes të shkurtit”, shkruan ajo.

“Është mjaft e vështirë për t'u kuptuar: Rusia po krijon kërcënimin më të madh që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke vendosur rreth 100.000 trupa në kufirin me Ukrainën, duke vendosur tanke, artileri dhe raketahedhës, dhe kancelari gjerman nuk është në gjendje të ndryshojë orarin e tij për të pranuar një ftesë nga presidenti amerikan”, analizon “Der Spiegel”.

Çfarë tjetër duhet të ndodhë për të shkaktuar një ndjenjë më të madhe urgjence në Berlin? – shtron menjëherë pyetjen shkrimi me vlerësimet e reporterëve të lidhur me zhvillimet ndërmjet dy shteteve fqinje. “A nuk mjafton që presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të shantazhojë Perëndimin, duke lëshuar ultimatume dhe duke kërcënuar me pasoja ushtarake nëse NATO-ja nuk e përjashton anëtarësimin e Ukrainës në aleancë?”.

Sikur Putini nuk i ka treguar tashmë botës me pushtimin e Krimesë se nuk i intereson shumë e drejta ndërkombëtare. Sikur shqetësimet e shteteve baltike të ishin të pabaza se mund të përballeshin me një situatë të ngjashme me atë të Ukrainës Lindore, ku liderët rusë, me ndihmën e separatistëve besnikë, kanë sabotuar sovranitetin e Qeverisë në Kiev që nga viti 2014, shtohet aty.

Pushtimi, mundësi reale

Agjencitë perëndimore të Inteligjencës dhe zyrtarët ushtarakë besojnë se mundësia e një pushtimi rus është reale, por partitë në Qeverinë e koalicionit në Berlin kanë treguar preferencë për të theksuar se çfarë levash nuk janë të interesuar të përdorin kundër Moskës. Duke përjashtuar Rusinë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT? Nuk është një ide e mirë, thonë ata, sepse do të ndikonte edhe në ekonominë gjermane. Dërgesa armësh Ukrainës? Me sa duket i papajtueshëm me udhëzimet gjermane të eksportit të armëve, kujton “Der Spiegel”. A do të ndalet projekti prestigjioz i gazsjellësit “Nord Stream 2” të Moskës, i cili mund të rrisë eksportet e drejtpërdrejta të gazit rus në Gjermani dhe Evropë? Nuk duhet të "lidhet" me politikën e Rusisë në Ukrainë, thotë Kevin Kühnert, sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate të qendrës së majtë të kancelarit Scholz.

“Është e vërtetë se askush nuk e di saktësisht se cili është qëllimi i Putinit tani – nëse ai po përpiqet të fitojë terren diplomatik me ndihmën e kërcënimeve ushtarake, apo nëse po planifikon një operacion ushtarak nën pretekstin e mungesës së lëshimeve nga Perëndimi. Brenda SPD-së së kancelarit Scholz ka një tendencë të fortë për të minimizuar kërcënimin e luftës. Shumëkush brenda SPD-së, por edhe brenda Partisë së Gjelbër, ndan mendimin e Kremlinit se Rusia ishte mashtruar gjatë zgjerimit në lindje të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, shkruan revista gjermane.

Lëkundja gjermane dhe rasti i Kosovës

Megjithatë, kursi i lëkundur i gjermanëve dobëson strategjinë e aleatëve perëndimorë të Berlinit – një strategji që synon të çojë çmimin e një sulmi ushtarak "sa më të lartë të jetë e mundur", siç thotë një zyrtar i BE-së. Dhe dritarja e mundësive për të penguar Putinin mund të mbyllet së shpejti, tha një diplomat i lartë i NATO-s për “Der Spiegel”. Pasi Putin të ketë marrë vendimin për të sulmuar Ukrainën, ai vështirë se do te jetë në gjendje të tërhiqet pa dobësuar pozicionin e tij politik të brendshëm, thotë diplomati. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja të veprojnë sa më të bashkuara dhe me vendosmëri. Çdo hezitim mund të interpretohet nga presidenti rus si një sinjal se ai mund të ndërmarrë hapin tjetër, nxjerr përfundimin revista në analizë.

Mesazhi nga Uashingtoni, ndërkohë, është se parandalimi funksionon vetëm nëse nuk hiqni asnjë opsion nga tavolina. Pikëpamja e amerikanëve është se këto opsione përfshijnë dërgesat e armëve në Ukrainë dhe kërcënimin e sanksioneve maksimale. Por Qeveria gjermane po frenon në të dy frontet.

Të hënën, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, udhëtoi për në Kiev. Që prej marrjes së detyrës, thotë Baerbock, asgjë nuk e ka marrë aq vëmendjen e saj sa siguria e Ukrainës – përpara se të përjashtonte edhe një herë mundësinë e dërgimit të armëve të çfarëdo lloji për nikoqirët e saj ukrainas. Tani për tani, Baerbock nuk është e përgatitur të thyejë parimet e Partisë së Gjelbër, ashtu siç bëri i pari i Partisë së Gjelbër, Joschka Fischer, kur ishte ministër i Jashtëm dhe guxoi të mbështeste dislokimin ushtarak gjerman në Kosovë. Politika kufizuese e armëve e Gjermanisë është e njohur mirë, tha Baerbock, e cila është gjithashtu bashkëkryetare e Partisë së Gjelbër. “Unë nuk e ndryshoj pozicionin tim në bazë të vendit ku jam për momentin”, tha ajo.

Çështje që ndan partinë

Është çështje që ndan partinë. Nga njëra anë të Gjelbrit u ngritën nga lëvizjet e paqes - kjo është pjesë e mitit të tyre themelues. Nga ana tjetër, keni një politikan të Gjelbër, si Robert Habeck, i cili po bënte thirrje për dërgim armësh mbrojtëse në Ukrainë qysh në maj.

"Unë mendoj se është e vështirë t'ia mohosh Ukrainës armët për mbrojtje, për vetëmbrojtje", tha bashkëkryetari i partisë për radion publike gjermane, Deutschlandfunk, në atë kohë, kujton “Der Spiegel” Ai thuhet se i kishte koordinuar komentet e tij me politikanë të tjerë kyç të politikës së jashtme

Por rezistenca ishte e fortë. Jürgen Tritten, anëtar veteran i Parlamentit të Gjelbër, tha se propozimi do të binte ndesh me parimin e mosdorëzimit të armëve në zonat e luftës. Trittin është bërë që atëherë drejtuesi i politikës së jashtme për grupin e tij parlamentar, por asgjë nuk ka ndryshuar për sa i përket refuzimit të tij kategorik të dërgimit të armëve. Ai i tha “Der Spiegelit” se "e gjithë Qeveria gjermane" i konsideron dërgesat e armëve në Ukrainë si gabim. Për më tepër, thotë ai, nuk ka dallim midis armëve mbrojtëse dhe sulmuese. "Ju nuk duhet ta mashtroni veten apo të tjerët për këtë".

Hannah Neumann, deputete e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, nga ana tjetër, argumenton se furnizimet e pajisjeve mbrojtëse mund të negociohen përfundimisht në rast të një sulmi rus, por "përpara se të diskutojmë për armët mbrojtëse, së pari duhet të dimë se çfarë konkretisht dëshiron Ukraina”, tha ajo për “Der Spiegelin”.

Dilemat e partnerëve

Sergey Lagondinsky, gjithashtu deputet i Parlamentit Evropian nga të Gjelbrit, është më i prerë. "Ne nuk mund të jemi arbitri neutral kur një vend kërcënon në mënyrë të njëanshme një tjetër", thotë ai. "E vetmja mënyrë për të shmangur përshkallëzimin ushtarak është të demonstrosh besueshëm se do të ketë pasoja. Ju mund ta bëni këtë me ndihmën për vetëmbrojtje, si për shembull me armë mbrojtëse”.

Kërcënimet e Rusisë kanë shkaktuar gjithashtu debat brenda partnerit tjetër të vogël të koalicionit qeveritar në Berlin, Partisë së Lirë Demokratike (FDP), miqësore për biznesin. Deri më 11 janar, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, kryetare e FDP-së e Komitetit të Mbrojtjes në Bundestag -Parlamenti federal i Gjermanisë - u përpoq të anashkalonte çështjen e mprehtë, duke vënë në dukje marrëveshjen e koalicionit të Qeverisë së mëparshme, të udhëhequr nga kristiandemokratët (CDU/CSU). Në atë marrëveshje, partitë e koalicionit ranë dakord të përjashtonin dërgesat e armëve në zonat e krizës dhe "Ukraina është një prej tyre". Tani, megjithatë, më pak se 10 ditë më vonë, Strack-Zimmermann nuk tingëllon bindës. Ajo tani po bën thirrje për shqyrtimin e "armëve mbrojtëse" për Ukrainën, shkruan “Der Spiegel”.

Megjithatë, nuk ka ende një pozicion qartësisht të dallueshëm brenda FDP-së. Alexander Graf Lambsdorff, ekspert i politikës së jashtme i partisë në Parlament, thotë se dërgesat e armëve janë të ndaluara nga Akti i Kontrollit të Armëve të Luftës. Ai gjithashtu ka vështirësi me konceptin e armëve mbrojtëse. Nëse shikoni historinë e konfliktit ushtarak, thekson ai, këto armë mund të përdoren edhe për qëllime të tjera. Megjithatë, ai thotë se mbështet dërgesat e jelekëve mbrojtës, helmetave dhe pajisjeve për shikim natën në Ukrainë.