Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lajiq “është lodhur me politikë, edhe opinioni me të”

Ministri i Turizmit dhe Telekomunikacionit në Qeverinë e Serbisë Rasim Lajiq, ka deklaruar se nuk do të jetë ministër në Qeverinë e ardhshme pa marrë para sysh nëse ajo do të riformohet apo nëse do të mbahen zgjedhjet, transmeton Koha.net.

“Pa marrë para sysh a na presin zgjedhjet e reja apo riformimi, në të dy rastet nuk do të jem në Qeveri... Ky është vendim përfundimtar”, citon “kurir” të ketë thënë Lajiq.

Arsye për këtë vendim ai e ka përmendur faktin se është shumë gjatë në politikë, se është lodhur nga politika operative ditore dhe po ashtu se edhe opinioni është lodhur nga ai. Po ashtu në marrjen e këtij vendimi ka ndikuar edhe fushata që kundër tij po e bëjnë Moamer Zukorliq dhe Vojislav Sheshel, fushatë, që, siç e ka theksuar, nuk është shënuar ndonjëherë në parlament.

“Këtu gënjeshtra është bërë armë legjitime e luftës politike, politika nuk është më garë as e ideve dhe as e koncepteve, por një treg pleshtash ku për para, pa kurrfarë pasojash mund t’i sulmoni kundërshtarët politikë. Çdo gjë është e lejuar dhe ne mësohemi me çdo gjë”, ka thënë Lajiq.