Botë

Lagjja e Brukselit që po e lufton stigmën e terrorizmit

Molenbeek ishte vendi ku një grup terroristësh planifikoi sulmet që vranë 162 njerëz në Paris dhe Bruksel. Gjashtë vjet më vonë, banorët po përpiqen të riformësojnë zonën pavarësisht kujtimeve të tmerrshme që kanë për të

Me vizatimet e fëmijëve dhe posterët shumëngjyrësh që tani zbukurojnë muret dhe dritaret, ishte e lehtë të harrohet e kaluara famëkeqe e ndërtesës, historia e së cilës ende ndjek një lagje të klasës punëtore të Brukselit.

Në ditët e fundit, në një lokal që është kthyer në një qendër komuniteti, Assetou Elabo po rregullonte tavolina për studentët që së shpejti do t'i bashkoheshin për mësimin e detyrave të shtëpisë, shkruan gazeta “New York Times”.

Disa vite më parë, pronari i lokalit kishte lënë që trafikimi i drogës të përhapej në vend. Me klientët, ai shikonte video nga “Shteti Islamik”. Dhe në bodrumin e lokalit, Les Béguines, ai bisedonte në internet me një mik që i ishte bashkuar grupit terrorist në Siri.

Më pas, në nëntor 2015, ai shpërtheu jelekun me eksploziv, si pjesë e një serie sulmesh në Paris dhe përreth.

Pasqyrë e të ligave

Për shumë njerëz, lokali pasqyronte gjithçka që kishte shkuar keq në Molenbeek, lagjen me gati 100.000 njerëz, që ishte shtëpia e 7 nga 20 terroristët që vranë 130 njerëz në Francë atë nëntor, dhe 32 të tjerë në Bruksel katër muaj më vonë.

Por nëse lokali simbolizonte Molenbeekun, kjo qendër komuniteti tregon se çfarë po përpiqet të bëhet lagjja.

Qëkur u hap nga banorët vendas në vitin 2018, qendra u është përkushtuar ndihmës ndaj fëmijëve, studentëve që kërkojnë punë dhe personave me aftësi të kufizuara. Edhe pse lagjja mbetet kryesisht myslimane, ajo është më e larmishme sesa portretizohet zakonisht, me të ardhurit që kanë ndryshuar përbërjen e saj vitet e fundit.

"Ajo që ne bëjmë këtu është e kundërta e asaj që bënë vëllezërit Abdeslam", thotë zonja Elabo, një punonjëse sociale, për pronarin e lokalit, Brahim dhe vëllain e tij Salah, që ndihmoi në menaxhimin e lokalit.

Pas sulmeve të Parisit, Molenbeeku iu nënshtrua një hetimi intensiv global. Ekipet televizive nga e gjithë bota transmetojnë për ditë të tëra nga sheshi qendror i lagjes ose pranë lokalit, duke i bërë banorët të ndihen sikur po jetojnë në një set filmi, kujton “New York Times”.

Disa gazetarë ndalonin kalimtarët dhe kërkonin t'i prezantonin me një xhihadist. Opinionistët dhe rregullvënësit do t'i nxisnin myslimanët e moderuar të bëjnë më shumë për të luftuar ekstremizmin.

Sfida e madhe

Image

Gjashtë vjet më vonë, shumë banorë të Molenbeekut e kanë pranuar këtë sfidë. Dhe larg vëmendjes së publikut, ata janë përpjekur të rindërtojnë komunitetin e tyre, megjithëse vendi ende përballet me të njëjtat probleme - nga varfëria te papunësia dhe krimi - që kontribuuan në radikalizimin e disa banorëve.

"Ne u turpëruam pas sulmeve, por tani me krenari them se jam nga Molenbeek", thekson Dr. Sara Debulpaep, 47 vjeçe, pediatre që ka jetuar këtu për gati tri dekada.

Megjithatë, sado që disa banorë duan të lënë pas trupin e sulmeve, terroristët nga Molenbeeku janë sërish në lajme.

Në muajt e fundit në Paris, një gjyq mbi bombardimet dhe të shtënat e vitit 2015 ka ekzaminuar ngjarjet në Molenbeek, duke paraqitur argumente rreth asaj që i nxiti sulmuesit dhe se si plani i tyre u lejua të ketë sukses.

Në gjykatë, akademikë, avokatë dhe zyrtarë kanë debatuar prej ditësh mbi edukimin e sulmuesve dhe të akuzuarve për bashkëpunim. Arsyet e dështimit të policëve të Brukselit për të monitoruar dhe arrestuar ata janë zbërthyer nga afër.

Disa të akuzuar që po gjykohen në Paris do të dalin gjithashtu para një gjykate të Brukselit në shtator për sulmet e vitit 2016.

Dhjetëra banorë të Molenbeek, kryesisht të rinj, udhëtuan në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupeve të armatosura si Fronti Nusra dhe ISIS në fillim të viteve 2010. Në vazhdimin e gjyqit në Paris, një i pandehur tha se me lirimin e tij nga burgu në vitin 2014, lagjja e tij u ndje bosh: Të gjithë miqtë e tij kishin shkuar në Siri dhe Irak.

Nga 20 burrat e akuzuar për sulmet e Parisit, shtatë u rritën ose jetuan në Molenbeek. Njëjtë edhe një nga rekrutuesit kryesorë të ISIS-it në Evropë.

Luc Ysebaert, kreu i policisë lokale, thekson se rreth 50 persona ishin ende duke u monitoruar nga shërbimet e inteligjencës në zonë.

Dora e ndihmës

Që nga sulmet, qeveria ka dhënë ndihma të shumta për të përmirësuar jetën këtu dhe për të zgjeruar mundësitë për të rinjtë e lagjes.

Bachir Mrabet, punonjës i çështjeve rinore në Foyer, një nga qendrat kryesore të komunitetit në Molenbeek, thekson se ai kishte filluar punëtoritë e shkrim-leximit të lajmeve pas sulmeve, si dhe punëtori teatrale për të larguar tensionet. Ai gjithashtu tani organizon takime rinore dy herë në muaj në vend të një herë në dy muaj para bombardimeve. "Ne jemi shumë më vigjilentë tani", thotë ai.

Por burimet janë ende të pakta dhe banorët ende ndihen të turpëruar, thotë Ali El Abbuti, një tjetër punëtor në Foyer që menaxhon qendrën e tij komunitare.

"Na është kërkuar të bëjmë edhe më shumë për të zgjidhur të gjitha problemet, por me pak burime", thotë El Abbuti. "Dhe ne tashmë po bënim kaq shumë". Ai dëshiron të krijojë vende ku të rinjtë inkurajohen të shprehen; projektet e fundit kanë përfshirë një podcast në arabisht rreth origjinës së gjeneratave të para të emigrantëve marokenë të Molenbeek.

Vullnetarët thonë se të rinjtë kanë nevojë për më shumë shembuj udhëzues nga banorët më të vjetër dhe të suksesshëm vendas. "Ata duan mentorë, dhe nuk e kanë një të tillë rreth tyre", thekson Meryam Fellah, studente e kimisë, e cila ofron stërvitje në qendrën e komunitetit.

Ndryshimet e mëdha të Molenbeekut nuk po vijnë vetëm nga banorët e vjetër, por edhe nga të njëjtat forca të jashtme që po riformësojnë pjesën më të madhe të Brukselit.

Ndryshimi demografik

Image

Ndërsa banorët me origjinë marokene mbeten shumicë në Molenbeek, vitet e fundit kanë ardhur më shumë evropianë lindorë, afrikanë dhe romë.

Fqinjët e pediatrit Debulpaep përfshijnë shqiptarë, kongolezë, guineas, italianë, polakë dhe palestinezë. Banorët thonë se diversiteti i Molenbeekut është ajo që e bën atë unik.

Për shembull, klubi i futbollit të femrave të Molenbeekut vitin e kaluar përfshinte lojtarë nga tetë kombësi në një nga skuadrat e tij të të rinjve, thekson trajneri Imane El Rhifari.

Disa banorë të Molenbeekut thonë se tani janë po aq të shqetësuar nga mbërritja e kishave në zonë sa ishin dikur të shqetësuar për disa xhami që nxisin ekstremizmin. Banorët e rinj nga rajoni Flanders i Belgjikës janë zhvendosur në banesa të shtrenjta afër studiove të artistëve dhe dyqaneve organike.

Në Molenbeek, tani mund të vizitoni ekspozita në teatrot belge për të rritur, në një nga muzetë më të njohura të Brukselit. Projektet artistike, koncertet dhe kafenetë po fitojnë terren.

Por integrimi i klientëve të restoranteve të qebapëve dhe dyqaneve tradicionale të dasmave islame që mbulojnë rrugën kryesore të lagjes mbetet një sfidë, thonë banorët.

"Ka shumë pak përzierje", tha zoti El Abbuti në një pasdite teksa po kalonte pranë një kompleksi rezidencial të mbyllur.

Dhe Molenbeeku mbetet një nga zonat më të varfra dhe më të dendura në Belgjikë. Me 21%, shkalla e papunësisë është trefishi i mesatares së vendit.

Ndërsa kërcënimi terrorist është ulur, trafikimi i kanabisit është përhapur dhe po ashtu edhe përleshjet e dhunshme mes bandave, thotë Ysebaert, shefi i policisë lokale. "Problemet tona janë shumë të ngjashme me ato të qyteteve të mëdha evropiane".

Gjatë pandemisë, shumë të rinj kanë braktisur shkollën, kanë hequr dorë nga sportet ose nuk shkojnë në qendrat e komunitetit, thonë punonjësit e të rinjve dhe banorët.

"Pas 16 vjetësh, shumë heqin dorë dhe ne i humbasim", thotë Touben Zouin, i cili këshillon banorët e Molenbeek të moshës 16 deri në 25 vjeç.

Ka pasur edhe histori suksesi. Vetëm disa muaj pas sulmeve, Ibrahim Ouassari, sipërmarrës vendas, hapi një shkollë teknologjie të dedikuar për nxënësit që kanë braktisur shkollën, ku 30% e 400 studentëve të trajnuar çdo vit vijnë nga lagjja. Shkolla, Molengeek është rritur që atëherë në një nga sukseset më të mëdha të teknologjisë së Belgjikës, me degë në qytete të tjera belge, Holandë dhe Itali.

Megjithatë, Ouassari pranoi se ekziston ende një "kulturë e dorëheqjes" në Molenbeek, e cila shtyn disa të rinj drejt krimit dhe që dikur i anonte disa prej tyre drejt radikalizimit. "Ne nuk e kemi tharë tokën pjellore", thotë ai, dhe "kjo krijon njerëz të dëshpëruar".

"Ne nuk e kemi tharë tokën pjellore që krijon njerëz të dëshpëruar", thotë ai. / “New York Times”

Përktheu: Kaltrina Selimi