Botë

“Kujtimet nuk po fshihen” - fëmijët kthehen në shtëpi të traumatizuar pas rrëmbimit

rrembim

Në veri të Mozambikut, dhuna nga grupi i armatosur al-Shabab ka shkaktuar një krizë humanitare të thellë, me mijëra fëmijë të rrëmbyer, të zhvendosur dhe të traumatizuar. Historia e Ismaelit dhe Estebaos, dy vëllezër të vegjël të rrëmbyer dhe më pas të shpëtuar, pasqyron vuajtjet e thella të komuniteteve të prekura. Ndërsa mbështetja humanitare është e kufizuar dhe jo e qëndrueshme, fëmijët kthehen në realitete të ashpra pa ndihmën e duhur. Paqja dhe siguria në Cabo Delgado mbeten ende një ëndërr e largët

(Al  Jazeera) – Duke qëndruar para shtëpisë së tyre prej balte në Chiure – një qytet në provincën veriore të Cabo Delgados në Mozambik,  Ismael dhe Estebao ngulitin shikimin në tokë, të përhumbur nga një kujtim që ende i përndjek.

Të dy djemtë, vëllezër të moshave 13 dhe 10 vjeç ishin rrëmbyer në nëntor nga anëtarë të degës së ISIL-it në Mozambik (ISM), e njohur lokalisht si al Shabab, megjithëse nuk ka lidhje me grupin e armatosur Somali me të njëjtin emër.

“Ne ishim duke luajtur, ishte ora pesë pasdite  kur një grup burrash i armatosur hyri në fshat dhe na kapi të gjithëve”, thotë Ismaeli me zë të ulët, duke folur në portugalisht përmes një përkthyesi.

Pranë tij, Estebao dëgjon në heshtje rrëfimin e vëllait të tij, e me mendje ishte diku larg.

Djemtë u morën së bashku me katër të tjerë nga komuniteti. Ky ishte vetëm një rast në një valë rrëmbimesh të fëmijëve nga luftëtarët e armatosur, të cilët grupet për të drejtat e njeriut thonë se janë bërë të shpeshta në këtë rajon.

Këto rrëmbime janë intensifikuar së fundmi, ka njoftuar Human Rights Watch (HRW) në një raport të muajit qershor, duke vënë në dukje se grupet e shoqërisë civile kombëtare dhe agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët (UNICEF) gjithashtu raportojnë se kidnapimet janë në rritje.

“Ditët e fundit më shumë se 120 fëmijë janë rrëmbyer”, tha Abudo Gafuro, drejtor i Kwendeleyas, një organizatë kombëtare që monitoron sulmet dhe ofron mbështetje për viktimat.

Disa vëzhgues thonë se statistikat nuk përfshijnë të gjitha rastet e rrëmbimit dhe se edhe ato që regjistrohen marrin pak vëmendje ndërkombëtare.

Konflikti vazhdon të zhvendosë mijëra njerëz në një nga rajonet më të varfra, por më të pasura me burime natyrore në botë, të pasura me gaz natyror, minerale dhe gurë të çmuar.

“Ishim të frikësuar”

Ismael dhe Estebao u kapën në Mazeze, vendlindjen e tyre. Nëna e tyre, Maria, i tha Al Jazeera-s se kjo nuk ishte hera e parë që fshati sulmohej.

Sulmet ndaj komuniteteve janë bërë të zakonshme qëkur al-Shabab filloi veprimtarinë e tij në provincë në vitin 2017, vënë në dukje vëzhguesit.

“Ne ecëm për orë të tëra derisa na çuan në një vend në pyll ku ishin të tjerë burra të armatosur dhe të burgosur”, kujton Ismaeli.

Djemtë marshuan përmes pyllit derisa arritën në kampin e rebelëve, një vend të largët që ata thonë se nuk kishte struktura të përhershme.

Pasi mbërritën, një burrë i armatosur u dha gjashtë djemve macheta (thikë e madhe). “E dini për çfarë shërben kjo?” u pyetën ata. “Për të prerë dru dhe për të vrarë”.

Vëllezërit kaluan dy ditë si të burgosur thellë në pyll me djemtë e tjerë, duke parë pamje të tmerrshme.

“E pamë si ia prenë kokën një gruaje të moshuar, një shërueses tradicionale, përpara nesh”, thotë Ismaeli.

“Po atë natë, biseduam mes nesh. Ishim të frikësuar, por e dinim se duhej të arratiseshim”.

Në mëngjesin tjetër ata u urdhëruan të mblidhnin dru. Dy djem mbetën pas, por katër, përfshirë vëllezërit, arritën të iknin në pyll. Grupi i frikësuar arriti në një vend të sigurt përpara se të vazhdonte. Pas një dite të plotë, ata përfundimisht u kthyen në Chiure.

“Ne nuk dimë asgjë për dy djemtë që mbetën pas”, shprehet Ismaeli me keqardhje.

Raporti i HRW-së tregoi se ndërkohë që disa fëmijë të rrëmbyer lirohen, të tjerë mbeten të zhdukur. Dhe për ata që kthehen, ka pak burime për t’i ndihmuar ata.

“Aktivitet i rëndësishëm i kryengritësve”

Cabo Delgado, dikur një parajsë natyrore, tani është një zonë ku nxirren burime natyrore, ku prania e kompanive të naftës si TotalEnergies dallon shumë nga shtëpitë e thjeshta prej shkurreve dhe baltës, duke e vënë në pah edhe më shumë pabarazinë sociale-ekonomike të rajonit.

Dhuna në provincë që filloi në vitin 2017 u zbeh pas korrikut 2021, kur Ushtria Rwandase u dërgua me kërkesë të qeverisë së Mozambikut për të ndihmuar në operacionet kundër al-Shababit.

Por, sulmet janë intensifikuar në qershor dhe korrik të këtij viti, sipas Kombeve të Bashkuara dhe monitoruesve të konflikteve. Pothuajse 60.000 njerëz janë larguar nga Cabo Delgado në dy javët e fundit të korrikut, nga të cilët 42.000 në Chiure.

Cabo Delgado gjithashtu ka përjetuar “aktivitet të rëndësishëm të kryengritësve” në qershor, sipas Cabo Ligados, një observator i konflikteve i lansuar nga projekti i të Dhënave për Lokacionet dhe Ngjarjet e Konflikteve të Armatosura (ACLED) dhe partnerët e mediave për të ndjekur dhunën politike në Mozambik.

Që nga 1 tetori 2017, Cabo Ligado ka raportuar më shumë se 6.100 viktima në provincë,  përfshirë më shumë se 2.500 civilë të vrarë.

Kampanja brutale e al-Shababit ka shënuar ekzekutime me prajë, plaçkitje, rrëmbime dhe abuzime ndaj grave dhe fëmijëve, thonë ekspertët.

Rrëmbimet janë bërë një pjesë thelbësore e taktikave të këtij grupi, dhe raporti i HRW thekson arsyet kryesore pse ata shënjestruan fëmijët:

“Shumica e fëmijëve të rrëmbyer po përdoren për transportimin e mallrave të plaçkitura, punë të detyruara, martesa të detyruara dhe për të marrë pjesë në luftë”.

Rufino Sitoe, mësimdhënës në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin Joaquim Chissano në Maputo, thekson se “gratë dhe fëmijët janë bërë objektiva kryesorë, me fëmijët, veçanërisht, të detyruar të marrin role aktive në akte dhune”.

Viktimat e kësaj dhune sistematike janë mijëra, thonë grupet për të drejtat e njeriut.

Një nga këto viktima është Ana Joao, një vajzë 15-vjeçare nga Macomia, e zhvendosur dy herë gjatë jetës së saj.

Herën e parë ishte në vitin 2020, kur burra të armatosur shkatërruan fshatin e saj dhe ua prenë kokën disa prej banorëve të tij.

Ajo u arratis, u fsheh në pyll dhe eci me ditë të tëra për të arritur në Chiure.

Por tmerri u kthye në vitin 2024, kur al-Shabab sulmoi përsëri fshatin.

“Dita që më kapën, më thanë se do të isha gruaja e tyre, se do të më martonin dhe do të duhej të lindja fëmijë. Unë njoh vajza që kanë lindur fëmijë nga kryengritësit”, shpjegon Joao në portugalisht përmes një përkthyesi.

Ajo shpëtoi edhe një herë dhe tani jeton me tezën e saj.

“Jam kaq e lodhur nga zhvendosjet. E gjitha që dua është të vazhdoj të studioj”.

Ëndrra e Joaos për t’u bërë mësuese është ende shumë larg realizimit - ashtu si paqja në Cabo Delgado.

Rreziqet e mbrojtjes

Qershori dhe korriku i vitit 2025 shënuan një krizë humanitare të thelluar në veri të Mozambikut, sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare të Kombeve të Bashkuara (OCHA): Dhuna e al-Shabab “ka shkaktuar zhvendosje të reja, ka ndërprerë shërbimet thelbësore, ka kufizuar ashpër lëvizjen, ka përkeqësuar pasigurinë ushqimore dhe ka penguar shpërndarjen e ndihmave jetike”.

Sitoe shpjegon se konflikti ka ndryshuar ndjeshëm në prill të vitit 2024, kur trupat nga Misioni i Komunitetit të Zhvillimit të Afrikës Jugore në Mozambik (SAMIM) filluan të tërhiqeshin. Ky mision, i cili ka filluar në tetor të vitit 2023, ka përfunduar më 15 korrik 2024.

“Ky ka qenë faktori më i rëndësishëm në përshkallëzimin e fundit të dhunës”.

Sulmet nga grupet e armatosura midis 20 korrikut dhe 3 gushtit të këtij viti shkaktuan zhvendosjen e të paktën 57.034 njerëzve nëpër distriktet e Chiure, Ancuabe dhe Muidumbe, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Që nga janari, më shumë se 95.000 njerëz janë larguar nga pasiguria në Cabo Delgado, thonë Kombet e Bashkuara.

Në të njëjtën kohë, disa qindra mijëra të zhvendosur brenda vendit janë kthyer në shtëpitë e tyre, sipas OKB-së.

Kjo është për shkak të një përmirësimi të përgjithshëm të sigurisë në disa zona - falë ushtrisë së Mozambikut, forcave lokale dhe ushtrisë rwandase - por gjithashtu sepse kushtet e dobëta në kampet e zhvendosurve dhe mungesa e shërbimeve bazë kanë çuar në largimin e njerëzve.

Në vitin 2023, Raportuesja e Posaçme e KB-së për të drejtat e njeriut të personave të zhvendosur brenda vendit (IDPs), Paula Gaviria Betancur, ka dalë në përfundim se procesi për të mundësuar kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre është përballur me mungesën e një mekanizmi të strukturuar, të formuar dhe transparent për konsultimin e IDP-ve:

“Autoritetet lokale dhe liderët e komunitetit kanë inkurajuar, ndjekur ose ushtruar presion të tërthortë mbi IDP-të për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës, duke premtuar ndihma humanitare ose duke ofruar informacione të pasakta ose të pasuara për kushtet në vendin e kthimit, duke penguar kështu aftësinë e tyre për të marrë një vendim të informuar dhe plotësisht të vullnetshëm”, shkroi ajo në deklaratën përfundimtare të misionit.

Sot, në një provincë me pothuajse dy milionë banorë, pothuajse një e katërta e popullsisë – 461.000 - mbetet e zhvendosur brenda vendit, duke u përballur me mungesë ushqimi, ndarje familjare dhe trauma të rënda psikologjike.

Të traumatizuar dhe të paaftë për të ngrënë 

Ismael dhe Estebao tani jetojnë me nënën e tyre, Maria, në një kamp për të zhvendosurit në Chiure, vetëm 35 km larg vendit ku ishin rrëmbyer, midis një popullate kryesisht të zhvendosur brenda vendit (IDP).

Kampi është një “det” i shtëpive prej balte dhe shkurreve, të gjitha të njëjta – jo më të larta se dy metra dhe pa dritare. Shtëpia e familjes është një vend i thjeshtë prej dheu të kuq me çati shkurre, plotësisht bosh brenda, pa asnjë mjet ose qilim.

“Kur fëmijët e mi u kthyen, isha e lumtur”, thotë Maria, “por nuk zgjati shumë sepse pashë që ata ishin traumatizuar dhe të paaftë për të ngrënë”.

Ajo qëndronte e ulur pranë djemve të saj, duke i mbajtur sytë mbi ta ndërkohë që Ismaeli flet. Këmbët e saj janë zbathur, ashtu si ato të fëmijëve dhe të shumicës së njerëzve që jetojnë në kamp.

Programet e OJQ-ve që ofrojnë mbështetje psikologjike dhe ndihmojnë fëmijët e rrëmbyer të rikthehen në shkollim, kanë ndihmuar viktimat, të cilët shpesh shfaqin simptoma të çrregullimit të stresit post traumatik.

Por kjo mbështetje nuk është gjithmonë e qëndrueshme ose e mjaftueshme.

“Kur identifikuam vëllezërit, i regjistruam ata menjëherë në aktivitete”, thotë Iza Natercia Moises, koordinatore për mbrojtjen e fëmijëve dhe arsimimin në emergjencë në “Save the Children”, duke folur për Ismaelin dhe Estebao. “Megjithatë, ne nuk operojmë më në këtë zonë dhe nuk mundëm të vazhdojmë procesin”.

Po ashtu, që kur Donald Trump mori detyrën si president i Shteteve të Bashkuara, sektori humanitar dhe ai i zhvillimit kanë përjetuar reduktime të mëdha të fondeve  në vende si Mozambiku.

Në vitin 2023, Mozambiku mori shumën më të lartë të financimeve nga USAID ndër vendet e Komunitetit të Vendeve të Gjuhës Portugeze (CPLP).

Mijëra jetë janë vënë në rrezik qëkur janë bërë këto prerje, thonë ekspertët.

Por edhe me ndihmë të mjaftueshme, kohëzgjatja e përgjigjes dhe kujdesi i qëndrueshëm për fëmijët në veri të Mozambikut mbeten një sfidë e madhe.

“Vendi ka nevojë për një strategji të qartë se çfarë të bëjë kur një fëmijë, veçanërisht një që është shpëtuar, kthehet”, tha Benilde Nhalivilo, drejtorja e Forumit të Shoqërisë Civile për të Drejtat e Fëmijëve, për HRW-në në raportin e tij të qershorit.

Ndërkohë në fshatra dhe kampet e zhvendosurve, fëmijët që janë kthyer nga rrëmbimi janë të detyruar të jetojnë me traumën e tyre, ndërkohë që frika nga një sulm tjetër mbetet e pranishme.

“Ne vazhdojmë të kujtojmë atë që ndodhi”,  thotë Ismaeli ndërkohë që Estebao është ulur, ende i heshtur dhe larg me mendje, por pranë tij.

“Sinqerisht ai kujtim gjithmonë kthehet, edhe sot”.