Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kryeministri bullgar, Borisov po hetohet për shpëlarje parash

Gazeta spanjolle “elPeriodico” ka publikuar të premten një raport hulumtues, në të cilin shkruan se kryeministri bullgar, Bojko Borisov po hetohet prej policisë katalonjase për përfshirje në shpëlarje parash dhe krim të organizuar. Borisov ndërkaq i ka mohuar këto akuza.

Duke folur për gazetarët gjatë samitit të Bashkimit Evropian, Borisovi ka thënë se këto akuza janë të pavërteta, duke shtuar se Rusia dhe presidenti bullgar, Ruman Radev ndodhen prapa “një përpjekjeje për puç”. Radev është duke fituar përkrahje popullore në Bullgari, me kritika të ashpra ndaj Borisovit, të cilin e akuzon për tendenca për autokraci, transmeton Koha.net.

“Euractiv” e ka pyetur Borisovin nëse ai do të japë dorëheqje. E kryeministri bullgar është përgjigjur se do ta bënte këtë gjë, po të kishte vetëm një grimcë të vërtete në atë që thuhet.

“elPeriodico” shkruan se policia katalonjase dhe zyrja e prokurorisë janë duke hetuar nëse Borisovi është pjesë e një komploti të “skemës ndërkombëtare të shpëlarjes së parave”, që destinacion përfundimtar e ka Barcelonën.

Faktet, sipas policisë katalonjase “tregojnë për ekzistencën e një organizate kriminale”.