Kroacia ka shënuar ditën më të rëndë në pandemi sa i përket numrit të të vdekurve.
Autoritetet kroate të shëndetësisë kanë njoftuar të mërkurën se në 24 orët e fundit kanë vdekur 92 pacientë si pasojë e COVID-19, ndërkohë janë shënuar edhe 3.327 raste të reja pozitive.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kroacisë, Davor Bozhinoviq, ka paralajmëruar masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat do të bëhen të ditura të dielën.
“Këtë të diel do të precizojmë disa gjëra, në mënyrë që para skadimit të afatit për masat aktuale, 21 dhjetor, të mund të tregojmë kornizën e masave të reja”, ka thënë Bozhinoviq, përcjellin mediat kroate.
E ministri i Shëndetësisë, Vili Berosh, pret që numri i të vdekurve për 2-3 ditë të bie.
Deri më tash, në Kroaci janë shënuar 183.045 raste me COVID-19, ndërkohë që kanë humbur betejën me këtë sëmundje 2.870 pacientë.