Mikhail Khodorkovsky, një oligark rus në mërgim dhe kritik i ashpër i Vladamir Putinit, inkurajoi të hënën bashkëkombësit e tij që jetojnë në Rusi, të nisin një fushatë sabotimi kundër regjimit të vendit me qëllim që të minojnë qeverinë dhe pushtimin e saj në Ukrainë.
Khodorkovsky tha në një intervistë për “Guardian” se taktikat kundër regjimit të Putinit mund të përfshijnë grafitet kundër luftës, pengimin e linjave të furnizimit për luftën ose djegien e zyrave të rekrutimit, në varësi të oreksit individual të aktivistëve për rrezik.
"Ne duhet t'u shpjegojmë njerëzve se çfarë mund të bëjnë, t'i bindim se duhet ta bëjnë atë dhe gjithashtu t'i ndihmojmë njerëzit nëse si rezultat përfundojnë në një situatë të rrezikshme", tha ai dhe shtoi se mund të lindë "rezistencë e armatosur" si një mënyrë e mundshme kundërshtimi.
Megjithatë, Khodorkovsky theksoi kundërshtimin e tij ndaj "metodave terroriste që dëmtojnë njerëzit e paarmatosur" dhe kritikoi vrasjen e Daryas Duginas, vajzës së ideologut nacionalist rus Alexander Dugin, të cilin disa e quajtën "truri i Putinit".
Khodorkovsky, babai i të cilit është hebre, e kundërshtoi me zë të lartë Putinin gjatë viteve të tij të para në detyrë në fillim të viteve 2000. Ai ishte kryetar i kompanisë ruse të naftës Yukos, kur u arrestua në vitin 2003 dhe më pas u burgos për mashtrim dhe përvetësim të fondeve. Akuzat u konsideruan nga kritikët e Kremlinit si përpjekje e presidentit rus për të mbyllur gojën një prej armiqve të tij.
Edhe
“Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit
Ai u largua nga Rusia menjëherë pasi u lirua nga burgu në vitin 2013 dhe aktualisht banon në Londër, duke marrë pjesë dhe financuar aktivitetet e opozitës ndaj sundimit të Putinit.
Khodorkovsky e quajti pushtimin rus të Ukrainës një "moment themelor" dhe tha se pikëpamjet e tij për të kundërshtuar Kremlinin ndryshuan krejtësisht pas 24 shkurtit.
Ndërsa shpresonte se regjimi i Putinit do të zëvendësohej përfundimisht nga një sistem më demokratik dhe parlamentar, ai paralajmëron se ka pak gjasa që një proces i tillë të ndodhte pa dhunë.
Megjithatë, manjati i naftës shpjegoi se ai ishte kundër një ndalimi të vizave turistike për rusët - i propozuar nga disa vende evropiane - duke argumentuar se kjo do të largonte ata që besojnë se "Rusia duhet të zhvillohet në një rrugë evropiane".
“Nëse Putini jeton edhe 10 apo 15 vjet të tjera, do të ulte me të vërtetë numrin e rusëve të orientuar drejt Evropës dhe nuk mendoj se kjo është gjë e mirë për askënd, përveç Putinit”, tha ai.
Edhe
Ndikimi i Putinit tek oligarkët rusë – ende super të pasur por pa fuqi
Libri i ri i Khodorkovskit, "Rebusi i Rusisë", një analizë e sundimit të Putinit dhe grindjes së Rusisë me Perëndimin, do të dalë në shitje më 8 shtator.
Që nga pushtimi i Ukrainës, autoritetet ruse kanë shtypur disidencën kundër regjimit, duke ndaluar çdo referencë për konfliktin si një luftë dhe duke arrestuar ata që guxojnë të demonstrojnë publikisht kundër veprimeve të qeverisë.