Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kreu i një kishe jug-koreane akuzohet për rritjen e rasteve me koronavirus

Koreja Jugore ka akuzuar drejtuesin e një kishe të dielën, për shkeljen e rregullave të vetë-izolimit dhe pengimin e gjurmimit të rasteve, ku 240 infektime të reja kanë shkaktuar përhapjen më të madhe të koronavirusit në këtë shtet, në pesë muajt e fundit.

Rasti me kishën Sarang Jeil Church, që udhëhiqet nga pastori Jun Këang-hoon, ka rikthyer kujtimet e hidhura në Korenë e Jugut, të lidhura me pandeminë gjatë shkurtit, shkruan Reuters.

Autoritetet jug-koreane regjistruan 279 raste të reja, më shumë se dyfishi i 103 rasteve të raportuara të premten, dhe shumica e infektimeve u regjistruan brenda dhe përreth Seulit.

Rritja e rasteve me Covid-19 i shtyu autoritetet që të kthejnë masa më të rrepta brenda kryeqytetit, transmeton KOHA.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka dërguar ankesë ndaj Junit, që është një kritik i zëshëm i qeverisë, për shkeljen e rregullave të vetë-izolimit duke marrë pjesë në një tubim të shtunën, dhe për “pengimin” e hetimit mjekësor duke mos e dhënë listën e plotë të anëtarëve të kishës së tij.