Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koreja e Veriut lëshon raketë një ditë para stërvitjeve të përbashkëta SHBA-Kore e Jugut

Ushtria e Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut lëshoi ​​të shtunën një raketë të dyshuar me rreze të gjatë veprimi nga kryeqyteti i saj në drejtim të detit, një ditë pasi ajo kërcënoi se do të merrte masa të forta kundër Koresë së Jugut dhe SHBA-së për ushtrimet e tyre të përbashkëta ushtarake.

Shefi i Shtabit të Përbashkët në Seul ka thënë se raketa balistike u lëshua nga një zonë në Sunan, vendi i aeroportit ndërkombëtar të Phenianit, ku Veriu ka kryer shumicën e testeve të raketave balistike ndërkontinentale vitet e fundit.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut kërcënoi të premten me veprime të forta "të paprecedentë" kundër rivalëve të saj, pasi Koreja e Jugut njoftoi një seri stërvitjesh ushtarake të planifikuara me Shtetet e Bashkuara, që synojnë të forcojnë përgjigjen e tyre ndaj kërcënimeve në rritje të Veriut.

Toshiro Ino, zëvendësministri i Mbrojtjes i Japonisë, tha se raketa pritej të kishte rënë në ujërat brenda zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë, rreth 200 kilometra në perëndim të ishullit Oshima. Oshima shtrihet në bregun perëndimor të ishullit kryesor më verior të Hokkaido.

Zyra e presidentit të Koresë së Jugut, Yun Suk Yeol tha se drejtori i tij i sigurisë kombëtare, Kim Sung-han, po kryesonte një takim urgjent sigurie për të diskutuar këtë rast. Edhe kryeministri japonez Fumio Kishida tha se Tokio po komunikonte ngushtë me Ëashingtonin dhe Seulin për lëshimin e raketës, të cilën ai e përshkroi si "një akt dhune që përshkallëzon provokimin drejt rendit ndërkombëtar".

Artikuj të ngjashëm