Koreja e Veriut ka gjuajtur predha artilerie pranë kufijve të saj detarë me Korenë e Jugut të martën vonë, një ditë pasi Jugu filloi stërvitjet vjetore ushtarake për të përballuar më mirë provokimet e Koresë së Veriut.
Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut thanë në një deklaratë të mërkurën, se Koreja e Veriut gjuajti rreth 100 predha në brigjet e saj perëndimore dhe 150 predha në brigjet e saj lindore.
Ata thanë se ushtria e Koresë së Jugut transmetoi mesazhe disa herë duke i kërkuar Koresë së Veriut të ndalonte të shtënat, por nuk pati raportime për dhunë midis dy palëve, raportoi Associated Press të mërkurën.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se predhat nuk ranë në ujërat territoriale të Koresë së Jugut, por ranë brenda pjesës veriore të zonave mbrojtëse detare që dy Koretë i krijuan sipas një marrëveshjeje ndër-koreane në vitin 2018, që synon reduktimin e armiqësive të vijës së parë.
Është hera e dytë që Koreja e Veriut qëllon me predha që nga e premtja e kaluar.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut duhet të ndalojë provokimet që minojnë paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean. Ajo shtoi se po rrit gatishmërinë e saj ushtarake dhe, në koordinim me Shtetet e Bashkuara, po monitoron nga afër lëvizjet e Koresë së Veriut.