Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koreja e Jugut propozon plan ndihme për Veriun në këmbim të denuklearizimit

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, deklaroi të hënën se do t'i ofronte një paketë të madhe ndihme Koresë së Veriut në këmbim të denuklearizimit, por ekspertët thonë se fqinji verior nuk ka gjasa të pranojë një ofertë të tillë, shkruan AP-ja të hënën.

Duke besuar se denuklearizimi është "thelbësor" për paqen e qëndrueshme në gadishull, Yoon detajoi ofertën e tij, e cila do të përfshinte ushqimin dhe energjinë, por gjithashtu do të ndihmonte në modernizimin e infrastrukturës si portet, aeroportet dhe spitalet.

“Plani do të përmirësonte shumë ekonominë e Koresë së Veriut dhe standardet e jetesës së popullit të saj, nëse ajo ndalon së zhvilluari programin e saj bërthamor dhe fillon një proces të vërtetë dhe thelbësor të denuklearizimit”, tha presidenti jugkorean të hënën, në përvjetorin që shënoi fundin e sundimit kolonial japonez më 1945.

Pheniani kërcënoi të dielën e kaluar se do t'i "rrënjosë" zyrtarët e Koresë së Jugut, duke akuzuar Seulin se qëndron pas shpërthimit të koronavirusit në vend.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha në korrik se ishte "gati të mobilizonte" aftësitë e tij bërthamore në rast lufte me SHBA-në ose Korenë e Jugut.

Ekspertët besojnë se ka pak shanse që Pheniani të pranojë ofertën e Seulit, pasi Koreja e Veriut investon një pjesë të madhe të prodhimit të saj të brendshëm bruto (GDP) në programin e saj të armëve.

Artikuj të ngjashëm