Një zë i ulët e i zymtë përshkon çdo cep të qytetit të Diyarbakirit, duke depërtuar edhe më larg sesa ka të drejtë. Edhe për ata që nuk e dinë as edhe një fjalë të vetme në gjuhën kurde, mallëngjimi që përçon kuptohet që me tingujt e parë vajtues.
I njohur ndryshe si kryeqyteti i kurdëve të Turqisë, Diyarbakiri (Amedi, në kurdisht) shtrihet në një breg të rrëpirët përtej ujërave të turbullt të lumit Tigris në juglindje të Turqisë, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Kur vapa përcëlluese e verës mbërthen ditën, heshtja kaplon qytetin.
Ama që në hijen e parë të mbrëmjes një grup fëmijësh shpejton vrapin në ndjekje të një topi futbolli që rrokulliset shqelm pas shqelmi nëpër rrugët e rrahura nga puhia. Gra me shami në kokë mbushin shtëpitë me qeset laramane të dyqaneve të rrethit, të mbushura përplot mallra.
Aty përtej tyre ndodhet një strukturë harkore e quajtur Mala Dengbejan (Shtëpia e Dengbejanit). Struktura me oborr të bukur e shtylla të restauruara të një qendre më se njëshekullore me bina, salla dhe një galeri, ishte dikur teatër i hapur.
Zëri përplot mallëngjim që jehon prej aty përçohet nëpër shtigjet jo lehtë të kalueshme të qytetit.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”)